Hulumtimi i fundit i opinionit publik në Rusi, i realizuar nga Qendra pan-ruse “VCIOM”, tregon se çdo ditë e më shumë rusët janë duke u pajtuar me pavarësinë e Kosovës.
Në muajin mars të këtij viti vetëm 15 për qind e të anketuarve janë deklaruar pozitivisht për pavarësinë e Kosovës, derisa një opinion të tillë në shtator e kanë pasur 31 për qind e të anketuarve.
Hulumtimi ka treguar se numri i kundërshtuesve të pavarësisë së Kosovës është zvogëluar nga 41 për qind në muajin mars, në 28 për qind në shtator.
Vetëm çdo i katërti qytetar i anketuar (24 për qind) në shtator, pas përleshjeve në Gjeorgji, ka vlerësuar se Rusia duhet të mbështesë Serbinë në raport me Kosovën, derisa në mars qëndrim të tillë kanë pasur 37 për qind e rusëve.
VCIOM thekson se gjatë dhjetë viteve të fundit është rritur numri i rusëve të cilët vlerësojnë se shtetet tjera nuk duhet të përzihen në çështjen e Kosovës. Në vitin 1998 kështu kanë menduar 22 për qind e rusëve, ndërsa këtë vit përqindja e tyre është rritur në 47 %.
Nga ata të cilët vlerësojnë se për zgjidhjen e problemit të Kosovës është e nevojshme “përzierja ndërkombëtare” tani, gjithashtu, janë më pak (22 për qind), derisa për një gjë të tillë në vitin 1998 kanë qenë 25 për qind e qytetarëve.
Sociologët e VCIOM-it, megjithatë, janë shprehur se 28% e rusëve asnjëherë as që kanë dëgjuar për çështjen e Kosovës, 45% të tyre kanë thënë se dinë fare pak për këtë çështje, ndërsa 23 % se dinë shumë ose tepër shumë.
Rreth 60 % e të anketuarve kanë thënë se e dinë ku ndodhet Kosova, derisa çdo i dhjeti i anketuar ka gabuar në lokalizimin e pozicionit gjeografik të Kosovës.
Telegrafi
Krijoni Kontakt