Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 4
  1. #1
    ..... .....
    Anëtarësuar
    11-05-2008
    Postime
    2,503

    Si sot 18 vjet më parë Tirana tërhiqte zvarrë "qelbësirën"

    Vërshimi nga të gjitha anët për në sheshin "Skënderbej" dhe përballja me policinë tek RTSH

    Tre ditët e grevës së urisë të studentëve kishin tensionuar situatën në Tiranë. Disa qindra mijëra vetë morën rrugën drejt Kinoklubit të Qytetit "Studenti" për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për studentët grevistë. Më 20 shkurt 1991, sheshi para Kinoklubit ishte mbushur më shumë se kurrë ato ditë. Thirrjet e turmës "Studentët janë heronj", "Jemi me studentët", "Poshtë diktatura", "Enver-Hitler", si dhe do ta heqim qelbësirën, ishin një kurajo e madhe për studentët grevistë.

    Nga ballkoni i godinës së konviktorëve të Gjeologjisë, oratorë të ndryshëm mbanin fjalime kundër qeverisë dhe PPSH, të cilat po flijonin studentët për emrin e një të vdekuri.

    Rreth orës 12.00, aktorja e shquar Rajmonda Bulku, thërret nga ballkoni i godinës për të protestuar përpara godinës së Radiotelevizionit.

    Një turmë rreth 100 mijë vetash ka lëvizur nëpërmejt rrugës së "Elbasanit". Tek Liceu njerëzve u dalin përpara rreshta policësh me skafandra dhe armë. Qentë e policisë u vërsulën njerëzve, ndërsa zbrazën kallashnikovë mbi kokat e protestuesve, të cilët qëllojnë me gur dhe sende të forta policinë dhe forcat speciale. Turma çan përpara, por tashmë në drejtim të Sheshit "Skënderbej".

    Beteja e sheshit është vendimtare. Pas një përleshje mes popullit dhe forcave të Ministrisë së Brendshme busti ndjen lëkundjet e para.

    Në ora 14.00, monumenti i Enver Hoxhës bie në krah të majtë të tij, pas tre-katër lëkundjesh të forta. Disa njerëz kishin punuar tek këmbët e bustit, ku ishin edhe vidat mbajtëse, ndërsa të tjerë i kishin hedhur kavon në grykë. Enveri ra dhe bashkë me të edhe miti i tij. Policë dhe qytetarë u përqafuan për disa çaste në shesh.

    Atmosfera ishte mjaft e ndezur. Qindra dhe mijëra njerëz shtyheshin kush e kush të shkelte më shumë më këmbë shtatoren që nëpërkëmbej. Urrejtja ndaj diktaturës po dëshmohej mjaft qartë në ato momente. Pas rrëzimit, busti i ndarë në dy pjesë u lidh me kavo në një makinë plehrash, e cila nisi ta tërhiqte zvarrë për t'a dërguar në ambjentet e Qytetit "Studenti" ku po vazhdonte greva e urisë së studentëve. Përgjatë gjithë rrugës njerëzit vazhdonin të pështynin dhe të shkelnin me këmbë bustin e copëtuar të diktatorit. Nëpër rrugët e Tiranës shihje njerëz të përlotur nga gëzimi, të cilëve nuk u besohej se, busti i diktatorit ishte rrëzuar. Të gjithë u bashkuan në një varg të gjatë, duke vazhduar ecjen në drejtim të godinës ku po zhvillohej greva e urisë së studentëve. Pikëtakimi ishte pikërisht ajo godina e studentëve të urisë. Mbi njëqind mijë njerëz në një kor gjigand thërrisnin pa pushim "e hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën".

    Reagimi i diktaturës

    Siç kanë shkruar publicistët "e veja e diktatorit doli nga mbledhja pas lajmit të rrëzimit të monumentit. Ajo dënoi udhëheqjen që nuk kishte përdorur forcën për të ndalur këtë veprim. Atë ditë të paktën një njeri duhej të ishte vrarë për Enverin, kishte thënë ajo, duke akuzuar se gjithçka ishte një komplot i përgatitur nga organet shtetërore.

    Menjëherë pas rrëzimit të bustit, përfaqësuesi i qeverisë, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, pranoi se emri i diktatorit do të hiqej nga Universiteti. Ndërkohë u publikua një lajm i dalë nga kabineti i kryeministrit, Adil Çarçani, në të cilën thuhej: "Meqë do të riorganizohej Universiteti i Tiranës nuk do të ketë më emrin e Enver Hoxhës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

    Pas humbjes së bustit, vullentarët e Enverit kërcënuan se do të marshonin në Tiranë për të rivendosur monumentin dhe se do të shpallnin kryeqytet të ri të Shqipërisë, Vlorën. Më 21 shkurt 1991, ora 11.00 nga blloku i udhëheqjes dëgjohen krisma. Ndodh një grumbullim spontan, i cili marshon drejt bllokut. Turma ndalohet nga Neritan Ceka tek Hotel "Dajti".

    Në këto rrethana Ramiz Alia shpalli krijimin e Këshillit Presidencial, Adil Çarçani largohet dhe vendin e tij e zë Fatos Nano, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Më 22 shkurt, gjendja acarohet më shumë, nis revolta e ushtarakëve në Akademinë e Bashkuar të Oficerëve "Enver Hoxha". Sigurimi i Shtetit fillon goditjen ndaj demokratëve. Goditen shumë veprimtarë të PD në Tiranë, në Elbasan, në Korçë, Fier, Lushnjë etj. Ushtarakët shpallin një Komision Nismëtar të Lëvizjes për Mbrojtjen e Institucioneve të Popullit. Ata u lëshuan një ultimatum forcave politike për një referendum për Enverin, si dhe për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e monumenteve dhe vënien e RTSH nën varësinë direkte të Këshillit Presidencial.

    Ushtarakët kërkojnë revansh. Më 22 shkurt, zhvillohet një takim mes tyre dhe politikanëve. Takimi i 22 shkurtit pati një ndeshje të ashpër mes përfaqësuesve të opozitës të kryesuar nga Abdi Baleta dhe ushtarakëve. Baleta deklaroi menjëherë se, veprimet e ushtarakëve mund të quhen grusht shteti.

    Situata u tensionua pas lajmit se, ushtarakët do të vinin natën bustin e diktatorit që kishin në shkollën e tyre, në Sheshin "Skënderbej". Turma e popullit rrethoi Akademinë. Ndërkohë edhe brenda në shkollë pati përleshje mes studentëve ushtarakëve, por dhe kundër Enverit. Ushtarakët kulmin e presionit do ta arrinin kur thirrën Ramiz Alinë në Ministrinë e Brendshme. Ata i kërkuan atij llogari se, përse nuk kishte marrë masa për mbrojtjen e Enver Hoxhës. Ramizi u mbrojt duke thënë se, kishte dhënë urdhër për të qëlluar, por nuk e kishin zbatuar urdhërin".

    Më 23 shkurt, Tirana gdhihet e tronditur nga përgjakja. Sipas lajmeve të kohës ka patur katër të vrarë, përfshirë një polic dhe një vajzë 12-vjeçare me emrin Olta. Ajo vdiq, duke parë televizorin në shtëpinë e saj nga një plumb qorr. Vendi po shkonte drejt katastrofës dhe dëshpërimit. Ndërsa më 6 mars, 20 mijë vetë hipën nëpër anije në Durrës dhe u nisën drejt Italisë, duke lënë pas pak shpresë për një jetë në paqe dhe qetësi.

    Rënia e bustit të diktatorit. Gjithçka nisi nga Qyteti "Studenti", më pas thirrja e Raimonda Bulkut që protesta të shpërngulej

    Fotoreporterët e parë që fiksuan rrëzimin e bustit të diktatorit

    Më 20 shkurt 1991, të gjitha kanalet televizive të botës transmetuan si lajm të parë një vullkan urrejtjeje, që u zbraz mbi një statujë shtatë metra të lartë të diktatorit Enver Hoxha. Ndonëse busti i udhëheqësit komunist nuk ishte veçse një tog bronxi, i vendosur në sheshin më të madh të Tiranës, përmbysja e tij ishte simboli i rrëzimit të një sistemi dogmatik që i kishte ardhur koha të ikte. Lulëzim Lika, në atë kohë fotoreporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ishte një nga të paktët që arriti të fiksonte këtë moment historik. Fotoja e rrëzimit të bustit u transmetua nga ATSH-ja, me diçiturën "Pamje nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës", paçka se, për ironi të fatit, në agjencinë e vetme të lajmeve punonte në një post drejtues nusja e djalit të Enver Hoxhës. Por do të ishte kjo foto që do t'i ndryshonte karrierën fotoreporterit Lika, sepse të nesërmen, drejtues të "Reuters" i kërkuan atij të punonte për agjencinë prestigjioze, me të cilën Lika punon edhe sot.

    Armando Babani, fotoreporter, kujton se në ato ditë gri e mbante aparatin gjithnjë me vete. Studentët në qytezën e tyre ishin në kulm të protestave kundër regjimit komunist. Për fat, Babani u ndodh në Sheshin "Skënderbej", në momentin e duhur. Në tarracat dhe ballkonet e ndërtesave, përbri bustit, kishin hipur qindra njerëz. Ishin disa syresh që e ngjitën Babanin në një nga ballkonet e katit të dytë, ku ai do të arrinte të fiksonte momentet historike. "Hipeni lart se është fotograf!", kujton sot Babani. "Mund të kem bërë 9-10 shkrepje dhe ishte e gjitha kjo, gati 1 sekond e gjysmë, se më pas bustin e mbuluan njerëzit. Unë nuk e dija ç'do të ndodhte më vonë, por sot them se këto kanë qenë fotografitë e jetës sime", thotë Babani, një nga fotoreporterët më të njohur në Shqipëri. Fotografitë e Babanit u botuan në gazetën "Republika" dhe "Rilindja Demokratike", ndërsa sot fotot e Likës nga ATSH-ja, të Babanit, por edhe një fotoreporteri italian, ndodhen në të gjitha arkivat e medias në botë.

    Fatmir Çepani, operator në Televizionin Shqiptar, ishte i vetmi që hodhi në celuloid këto momente historike. "Me kameran në sup, ku mbaja edhe peshën e dhjetëra njerëzve që vrojtonin mbi trupin tim, arrita të xhiroja atë që po ndodhte në shesh.

    17 minuta xhirim të Fatmir Çepanit, shprehin përjetimet e këtyre momenteve historike, ku mbretëronte kaotizmi, turmë e revoltuar, plumba, gurë dhe forca të blinduara të policisë.

    "ROJTER", duke komentuar rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës shkruan, se u rrëzua një simbol i urryer i të kaluarës staliniste

    Komente të agjencive të huaja për zhvillimet e fillimvitit '91 në Shqipëri

    Në një njoftim tjetër të saj, agjencia ROJTER bën fjalë mbi ndryshimin e emrit të Universitetit të Tiranës. Autoritetet komuniste të Shqipërisë thekson ajo u gjunjëzuan përpara protestave popullore dhe hoqën emrin e ish-udhëheqësit stalinist, Enver Hoxha, nga Universiteti i Tiranës, por paralajmëruan se vendi është në prag të krizës

    Agjencia britanike e lajmeve ROJTER, duke komentuar rrëzimin e statujës së Enver Hoxhës shkruan, se u rrëzua një simbol i urryer i të kaluarës staliniste. Një diplomat i huaj, komenton kjo agjenci, theksoi se statuja e themeluesit të shtetit komunist u rrëzua pas një demonstrate masive në qendër të Sheshit "Skënderbej". 100 000 veta jo vetëm studentët, por edhe punëtorë dhe intelektualë, u grumbulluan në sheshin qendror të kryeqytetit dhe në të gjithë bulevardin e gjërë rreth tij. Kjo ishte ngjarja më e rrezikshme komplekse në Shqipëri gjatë këtyre dekadave.

    Në një njoftim tjetër të saj, po kjo agjenci bën fjalë mbi ndryshimin e emrit të Universitetit të Tiranës. Autoritetet komuniste të Shqipërisë thekson ajo, u gjunjëzuan përpara protestave popullore dhe hoqën emrin e ish-udhëheqësit stalinist, Enver Hoxha, nga Universiteti i Tiranës, por paralajmëruan se vendi është në prag të krizës.

    Shqipëria më parë kështjella e fundit e stalinizmit është përfshirë nga ndryshimet që nga lëvizjet e para studentore të vitit të kaluar. Alia legalizoi partitë e opozitës dhe premtoi reforma të mëtejshme. Por, ai mbajti një qëndrim të vendosur ndaj studentëve grevistë, duke i quajtur kërkesat e tyre jodemokratike.

    Sheshi "Skënderbej" ku mijëra shqiptarë rrëzuan statujën e madhe të ish-diktatorit Enver Hoxha është zemra politike e sistemit stalinist të vendit, ekuivalenti i Tiranës për sheshin "Tienanmen".

    Në komentin e saj mbi ngjarjet e fundit në Shqipëri, agjencia jugosllave e lajmeve TANJUG, pohon se trazirat e mëdha dhe shkatërrimi i momumentit të Enver Hoxhës në Tiranë të kujtojnë fillimin e përmbysjes së diktaturës në Rumani, dimrin që shkoi.

    Shkatërrimit të monumentit të babait të kombit, Enver Hoxha në Tiranëm i parapriu një luftë e vogël midis policisë dhe popullit, i cili i mbuloi me gurë forcat speciale. Në rrugë dolën edhe autoblinda e tanke u dëgjuan të shtëna.

    Bashkë me monumentin, theksoi agjencia e mësipërme, ra edhe një epokë e historisë së re jo aq të lavdishme të Shqipërisë. Policia nuk mundi të mbronte më tepër atë që nuk mund të mbrohet nga populli. Ajo hoqi dorë nga udhëheqësi i saj i dashur dhe për këtë fitoi të puthurat e masës së ekzaltuar të popullit të grumbulluar.

    Ndërkohë, bëhet e ditur se populli ka shkatërruar monumentin e Enver Hoxhës edhe në qytetin bregdetar të Durrësit, ndërsa i njëjti fat e pret monumentin e Enverit edhe në Korçë.

    Ngjarjet dhe pamjet rumune në Tiranë nuk mbetën pa jehonë edhe midis shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos në Kosovë dhe në Maqedoninë Perëndimore. Studentët e Prishtinës i dërguan telegram përkrahjeje dhe solidariteti studentëve në Tiranë. Telegram përkrahje studentëve të Tiranës i kanë dërguar edhe të rinj nga Tetova në emër të Lidhjes Demokratike të të Rinjve shqiptarë.

    Lidhur me rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, agjencia austriake e lajmeve APA, shkruan: Fakti se kur udhëheqësi heroik i popullit shqiptar, Enver Hoxha, do të rrëzohej nga piedestali i monumentit të tij, ishte thjeshtë një çështje kohe. Prej vitesh regjimi i tij stalinist mbante përgjegjësi për keqdrejtimin katastrofik të ekonomisë dhe izolimin e Shqipërisë nga pjesa tjetër e Evropës për më tepër se 45 vjet. Me rrëzimin e përmendores së tij prej bronzi, në Sheshin "Skënderbej" në zemër të Tiranës, 6 vjet pas vdekjes së tij përfundoi më në fund një epokë, e cila në bazë të teorisë së Hoxhës ishte një luftë e përhershme kundër armikut të jashtëm.

    Hoxha nuk ishte njeri që i linte gjërat përgjysmë. Ai e drejtonte vetë rrënjësisht politikën që ndërtoi sipas modelit stalinsit. Aparati shtetëror ishte plotësisht në dorën e vet, ai ngriti një shërbim të fshehtë, i cili me emrin "Sigurimi" ngjallte tmerr tek njerëzit. Ashtu si edhe i vetshpalluri Mbreti Zog, që gjatë periudhës midis dy luftërave ndiqte kundërshtarët e kuq, në të njëjtën mënyrë veproi edhe Hoxha pas luftës kundër çdo elementi antikomunist. Vala e persekutimeve të tij ideologjike mori përmasa absurde. Më në fund, si purist mbronte pikëpamjen se, vetëm ai përfaqësonte mësimet e pastra të komunizmit, dhe me këtë e shkëpuste veten nga komunistët otodokse të Lidhjes. Për KSBE dhe institucionet e të drejtave të njeriut ai nuk kishte asnjë përfillje.

    Hoxha i thurrte gjithashtu vetes lavdi si shkrimtar. Prodhimi i tij letrar u derdh në më tepër se 70 libra, për të mos i përmendur literaturën për të. Partia Komuniste e mban lart kujtimin e tij në mbarë vendin me shkronja gjigande të tipit hollivudian. Lavdi Enverit, në shpate malesh ose me parrulla të vendosura në ndërtesa të larta... Më në fund, atij i është dedikuar dhe ndërtesa më e shtrenjtë në vend, muzeumi i bukur futurist Enver Hoxha, i cili u ndërtua me shpenzimet që arrijnë deri në 3 miliard shilinga.

    Përgatiti:

    Halil RAMA


    Burimi

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e landi45
    Anëtarësuar
    10-04-2008
    Postime
    1,711
    po mire ja bene enverit po Sali berishes e Fatos nanos pse nuk i terheqin zvarre per vite e gjakun qe u derdh keteo 19 vjet

  3. #3
    I love god
    Anëtarësuar
    23-02-2007
    Postime
    8,043
    Teme shume e goditur.

    Keni kallash??

    Mire beni ti perdorni.

    Ne kohen e xhaxhit ishte ndryshe

  4. #4
    Evidenca Maska e RaPSouL
    Anëtarësuar
    09-03-2006
    Vendndodhja
    Gjermani
    Postime
    17,464

    20 shkurt 1991

    Jane mijera e mijera vete, (e ne mes tyre autori i ketyre rradheve), te pakenaqur nga udha qe moren proceset demokratike ne Shqiperi. Jane te shumta deshmite e hamendjet mbi inskenimet e tyre mbi vertetesine e qellimet e dhjetra levizjeve qe pas vitesh humbin magjine e fitores qe paten diten qe ndodhen. Permbysja dhe heqja zvarre e monumentit te Enver Hoxhes eshte te pakten me e verteta nga te gjitha.

    Ajo i dha udhe rezimit te mijera busteve, statujave, monumenteve te diktatorit qe popullonin sheshet e fshatrave dhe qyteteve ne tere vendin. Asnjehere gezimi nuk kish shfryre ne Shqiperi ne aq miliona gjokse njeheresh! Askush, as sot e as pas njeqind vjetesh nuk e erreson dot bukurine e asaj dite te 20 shkurtit te vitit 1991. Ajo shenon nje date historike qe kujtesa kombetare do ta ruaje mes atyre pak ngjarjeve te ndritura. Megjithese nuk ishte vecse nje tog bronxi, i vendosur ne sheshin me te madh te kryeqytetit, permbysja e tij, eshte nje fitore historike dhe dita kur ngjau do te mbetet e shenuar ne shekuj… Edhe pse u rezua vec simboli i diktatorit…
    Ne fillim pushtetaret e ngarkojne simbolin me domethenje: respekt, frymezim, veneracion, hijerendesi frikendjellese dhe fuqi terheqese per ta soditur. E nuk jane veçse disa kuintale bronx, -le te themi tonelata, -qe nje toge artistesh i kane dhene formen e udheheqsit, trupin dhe portretin e zotit te fuqishem ne kete pellembe dheu, zot, qe ne te gjalle nuk pat pare kurre rreth tij shumicen e popullit, t'i shfaqte ndjenjat e verteta, ato te fshehurat! E pastaj populli i tere e pranon kete loje deri ne fund. Ai ia ngarkon ketij togu te bronxte, te gjitha atributet qe perfaqeson; e lidh me gjithe pergjegjesite qe fshehur ia ka vene mbi kurriz me kohe; ripertyp te gjitha endrrat per kete dite; e rrethon statujen, i ve litarin, e heq zvarre, e peshtyn, e perdhos...
    Ja pra, kjo "gjasme" historike behet nje dite e shenuar kombetare, nga ato me te bukurat, e njohur si 20 shkurt 1991. Gjithe kanalet televizive te botes e japin si lajm te pare kete vullkan urrejtje qe zbrazet mbi nje statuje shtate metra e gjate. Te gjithe e pershkruajne kete dite kur pa asnje pike gjak perreth, u shfry hakmarrja mbi murtajen, mbi antikombetarin, vrasesin e mijera njerezve te shquar te kombit, klerikeve, patrioteve, shokeve te tij te idealit, rrenuesin e ekonomise kombetare, brrejtesin e virtuteve te bukura te edukuara qe ne lashtesine shqiptare.
    Ishte dita e shpreses me te afert, per liri, drejtesi, paqe e begati. Qindra mije njerez ne tere Shqiperine e jashte saj, shfrene, brohoriten, kenduan, u çorren. Dite me rradhe, me dhjetera mije njerez rropateshin te bashkebisedonin te ngjirrur, te lodhur e me nje drite te ngrohte ne sy. Ata , ishin brezi i vuajtur, i shtypur e i munduar qe kishin shijuar ate dite Bastijen e tyre, Sulmin mbi Pallatin e Dimrit, ngjarje qe vijne ndoshta njehere ne mijera vjet.
    Pakkush e vrau mendjen se pas Bastijes e marrjes se Pallatit te Dimrit, ne France e Rusi, kishin pasuar vite te tjere gjaku e vuajtjesh. Ditet e triumfit popullor nuk kane faj per kete. Ditet e shenuara qendrojne me vete. Fitoret qe sjellin ato lidhen me te kaluaren. Ato nuk i ngarkon dot me pergjegjesine e diteve dhe viteve qe vijne pas tyre…

    *Autori e ka shkruar kete reflektim diku nga viti 2004. (Shenim i Peshkut)
    Sui generis

Tema të Ngjashme

  1. Albtelecom
    Nga Dita në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 08-08-2017, 12:06
  2. 200 të shumëkërkuarit shqiptarë në të gjithë Botën
    Nga Albo në forumin Në kërkim të personave të humbur
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 04-02-2011, 10:52
  3. Ku ishe deri dje Edi Rama?
    Nga DYDRINAS në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 38
    Postimi i Fundit: 10-04-2009, 05:52
  4. Dr Krist Maloki per Shtetin dhe Kombin
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 15-09-2007, 15:00
  5. Albania - Andrew Mueller
    Nga katana në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 31-07-2003, 09:36

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •