Merr fund metoda “një ndalesë, një kontroll” e aplikuar në pikëkalimin kufitar Morin - Vermicë që nga qershori i këtij viti. Që nga dita e djeshme të gjithë udhëtarët që qarkullojnë nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas janë të detyruar t’u nënshtrohen kontrolleve të dyfishta si më parë, si në hyrje ashtu edhe në dalje - në pjesën e Shqipërisë dhe në atë të Kosovës. Dhënia fund e kësaj marrëveshjeje ka krijuar radhë kilometrike në kufirin Shqipëri - Kosovë, ndërkohë që drejtuesit e automjeteve dhe udhëtarët kanë kërkuar që kjo marrëveshje të vazhdojë edhe me tej, pasi përfundimi i saj ka shkaktuar radhë të gjata dhe bezdi në mesin e udhëtarëve e drejtuesve të automjeteve.
Kjo është vënë re sidomos tek udhëtarët dhe drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë shpesh në këtë relacion kufiri.
Autoritetet e kufirit të Shqipërisë kanë bërë të ditur se kjo marrëveshje ka qenë e përkohshme vetëm për sezonin turistik, për t’u krijuar lehtësira udhëtarëve që kanë qarkulluar gjatë këtij sezoni dhe sipas këtyre autoriteteve kanë qenë të shumtë në numër.
Megjithatë, zyrtarët shqiptarë të kufirit shprehen optimistë që së shpejti në pikëkalimin kufitar Morin - Vermicë do të aplikohet metoda “Një ndalesë, një kontroll” dhe kjo do të jetë e vlefshme gjatë gjithë vitit.
“Presim që së shpejti të rifillojmë aplikimin e ndalesave vetëm në dalje dhe kjo të vazhdojë për gjatë gjithë vitit. Por më parë duhet të zgjidhen disa probleme teknike dhe politike, ku edhe Kosova të përfshihet në sistemin TIMS, por këtë po e pengon mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL”, ka deklaruar komandanti i pikës së kalimit kufitar të Morinit, Lavdrim Hoda.
Krijoni Kontakt