Selman Riza, Kalvari i dhimbjeve dhe ëndrrat e dijetarit të madh
» Dërguar më: 16/02/2009 - 14:19



Behar GJOKA

Ky vit përkon me 100 vjetorin e lindjes së prof. Selman Rizës, birit të madh të Kosovës, atdhetarit të flaktë të çështjes qiptare në të gjithë hapësirën etnike, si dhe martirit të fjalës dhe mendimit të lirë, arsimtarit dhe pedagogut të talentuar, studiuesit dhe gjuhëtarit të përveçëm, që për nga thellësia e mendimit dhe punët e kryera, mund të barabitet fare lehtë me Kostandin Kristoforidhin, Sami Frashërin, Aleksandër Xhuvanin, Eqerem Çabejn, Kol Ashtën, Kristaq Cipon, Justin Rrotën, Shaban Demirin, Fatmir Agalliun etj., dhe të gjithë plejadën e ndritur të shkencëtarve të gjuhës dhe letërsisë shqipe, që ditën të sjellin për herë të parë në trojet shqiptare shkencat albanologjike dhe me kontributet e vyera, që trashëgojmë prej tyre, si libra dhe trajtime të thelluara shkencore, arritën që ta lartojnë më shumë se kurrë albanologjinë si shkencën e dëshmisë së ekzistencës dhe të vijimësisë së arbënorëve, pikërisht në këto troje, ku ka gjalluar nëpër shekuj raca iliro-arbënore-shqiptare.
Prof. Riza ka hyrë dhe ka mbetur ndër ato figura të shquara, që luajti rol sipëror në lëmimin, lëvrimin dhe studimin e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, në hapjen e horizonteve të reja në studimin e gjuhës dhe të jo pak fushave të saj, madje duke qenë edhe pjesë e miqësisë së ngushtë dhe të pastër, me figura të shquara të poezisë, prozës dhe letërsisë shqipe, si At Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci, Dhimitër Paskos, të cilit falë miqësisë së ngushtë edhe i ka kushtuar monografinë "Çështje gjuhësore", një punim mjaft interesant në lëmin e gjuhës shqipe. Selman Riza ka lindur më 25 dhjetor të vitit 1909 në Gjakovë. Prej atij moment nisi kalvari i pashkëputur i një jete të vështirë në burgje dhe internime, dhunime dhe ndalim të emrit dhe të botimit të veprave, i një jete të qëndresës morale dhe atdhetare të paepur, pa hequr dorë në asnjë rrethanë prej shkencës së gjuhës dhe fushave të tjera, ku edhe dha ndihmesë të çmuar, të cilën erdhi më në fund momenti i vlerësimit dhe shqyrtimit në të gjitha dimensionet përfaqësuese si model i shkencëtarit dhe njeriut të papërkulur.
BIR I TË DY ANËVE
TË KUFIRIT
Selman Riza bën pjesë në ato të paktë burra dhe shkencëtar të mendimit dhe të gjuhës shqipe, të kulturës dhe atdhesisë, që me jetën dhe veprën e larmishme i përket të dy anëve të kufirit, si me thënë të dy "dhenave" të përndarë padrejtësisht, pra i përket njëherit Shqipërisë dhe Kosovës, pa hequr nga mendja edhe faktin e interesimeve të tij për të gjithë trojet dhe diasporën kudoqë ajo gjellin, duke u shpëndërruar kështu në një urë të fortë kalimi ndërmjet shqiptarëve të dy anëve, madje një promotor përndritës i ndërlidhjes së pashqitshme të tyre, çka buronte dhe buron prej gjuhës, trojeve, dokeve dhe padyshim të racës së përbashkët arbënore. Pikërisht për këtë arsye Selman Riza me jetën e tij të jetuar, heroikisht dhe plot skarifica, në të dyja anët e kufirit, përmes vuajtjesh dhe peripecish të shumta, dhe sidomos vepra e gjerë studimore dhe shkencore, unike dhe adekuate në arritjet e veta, në lëmë të gjuhës dhe të letrave shqipe, ka shërbyer dhe po shërben edhe si një nyje lidhëse e gegëve me toksët, mbase e gegnishtes me toskërishten dhe padyshim edhe me gjuhën e njësuar dhe gjithë të folmet e tjera të shqipes, duke u shndërruar në një pikë referenciale e pikëpërkimeve të ndërmjetshme, duke fshirë dhe shpërfillur ndasitë dhe përndarjet e habitshme krahinore, të cilat veçmas i projektoi ideologjia komuniste dhe diktatura, që shihte tek veriu dhe trojet etnike reaksionin dhe prapambetjen.
Është ky kontribut i shquar dhe krejt i spikatur, megjithatë pak i njohur dhe i pohuar nga ana e studimeve të historiografisë së shqipes, në lartësinë ku ka mbërritur në përfundime shkencore në lëmenjtë e gjuhës dhe të disa disiplinave tepër të rëndësishme të saj, ku si rrallë të tjerë punoi për unifikimin e shqipes dhe të shqiptarëve të të gjithë trevave të banuara nga shqiptarët. Megjithatë, në shtegëtimet e pafundme të jetës së tij, të detyruara prej rrethanave dhe shtërngimeve të diktaturave dhe pushtueseve të trojeve shqiptare, vitet 1942-44 përbëjnë një gur të veçantë themeli dhe përfaqësimi në sipërmarrjen e synimeve atdhetare dhe politike, shoqërore dhe filozofike, sepse atëherë shpaloset edhe një program i qartë politik, i emërtuar si Lëvizja Antifashiste Irridentiste (Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë), ku Profesori është drejtues i saj, por edhe i një qëndrimi stoik në marrëdhënie me kohën e Luftës së Dytë Botërore, me atë realitet të çuditëshëm të një lufte absurde, andaj ai pati shpallur botërisht devizën e tij "As bisht i Ballit, as shtojcë e Frontit", si një kundërvënie ndaj synimeve pushtetmarrëse të komunistëve, si dhe të mëtonjëseve të çdo ngjyre. Një lëvizje kjo e çmuar dhe largpamëse në një kohë të vështirë, kur flama komuniste dhe nazi-fashiste kishte pushtuar qiellin e kontinentit dhe të gjithë planetit, si një metastazë frymëmarrëse. Me këtë akt, atdhetar dhe vizionar, kemi edhe një kundërshtim të hapur të pushtimit të Kosovës dhe të ndarjes së padrejtë të trojeve shqiptare në disa shtete, por edhe një "lartsynim"(një term i S. Rizës) të aspiratës së shqiptarëve, kudoqë jetojnë për bashkimin e trojeve dhe të idealeve të shqiptarëve. Është ky akt që shënon dhe zbulon pikësynimet e larta dhe të shpalosura me kohë, teksa nënvizonte: "Gjithmon' e jetës kam synue e do të synoj me kontribue, makar modestisht, në mposhtjen e kompleksit të inferioritetit të Bashkëkombasvet ndaj Ballkanasvet tjerë...", që vetëm sa lajmëton vepra dhe qëndrimet e çmuara, që do të ndërmerrte dhe realizonte në jetën e tij.
Lëvizja irridentiste, e ideuar dhe udhëhequr prej prof. Selman Rizës, zbulon të plotë figurën madhështore dhe rolin që ai mori përsipër për të shpallur botërisht idealin kombëtar, bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm, që përbën as më pak e as më shumë se sa projektin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të vitit 1878, që shpalli përtrimejen e shqiptarëve. Rimarrja e këtij programi të përbashkimit dhe rilindjes së kombit shqiptar, dëshmon përgjegjësinë qytetare dhe prirjen e udhëheqësit shpirtëror, si dhe marrjen në sy të rreziqeve, që do ta përndiqnin për shumë mote atë dhe familjen e tij të nderuar. Vetëm në moshën 13 vjeçare, posaçërisht në vitin 1922, me një grup shqiptarësh nga Kosova, kapërcen kufirin shqiptaro-jugosllav dhe vjen në Tiranë, ku edhe ndjekë mësimet në shkollën plotore 6 vjeçare "Naim Frashëri", të cilën e mbaron vetëm në tre vjet, një rast ky i vetëm në historinë e shkollës. Në vitin 1925, duke qenë në këtë shkollë, shpallet si nxënësi më i mirë i saj. Po në këtë vit futet në liceun e Korçës, një shkollë me emër qysh nga vitin 1917, që përbëhej nga 9 klasa, detyrim të cilin Riza e mbylli vetëm në 6 vite, duke shënuar një rast të vetëm dhe të papërsëritshëm në të gjithë historinë e kësaj shkolle dhe të arsimit shqiptar. Mbas mbarimit të dy fakulteteve, të letërsisë dhe drejtësisë, në Tuluzë të Francës, në një kohë të shkurtër, vetëm në tre vjet, pra duke arritur edhe këtu një rast të veçantë, kthehet në atdhe dhe nis nga puna si pedagog në liceun e Korçës. Shumicën e jetës e kaloi në Shqipëri, në dy sisteme, monarkinë që i hapi dyert për t'u shkolluar në të gjitha nivelet e arsimit, brenda dhe jashtë vendit, dhe në diktaturë, e cila e burgosi dhe ia ndaloi veprën studimore. Pra, S. Riza më shumë vite i kaloi në Shqipëri, në rininë e hershme, kur ishte mesoburrë dhe në kulmin e veprimtarisë shkencore, por edhe eshtrat i prehen këtu, në pritje të realizimit të amanteit që të prehet në Kosovë. Me Shqipërinë e lidhi edhe familja, martesa me mbesën e Safet Butkës, duke shënuar dhe dyfishuar kështu edhe një ngjizje më të fortë të atdhesisë dhe të vperimtarisë në interes të kombit, të çështjes shqiptare, si dhe të gjuhës, letërsisë dhe kulturës sonë të vyer.
Burgimet e Selman
Rizës
Mund të jetë rast unik në botë, në lindje dhe perëndim, dhe krejt i hidhur, që brenda një harku kohor 15 vjeçar të ketë provuar burgime dhe internime nga fashistët, komunistët e Tiranës pas vitit 1944, si dhe nga jugosllavët, miq të ngushtë ideologjik të pushtetit diktatorial që vendoset po në këtë vit në Shqipëri. Duke u shpërndërruar kështu në martirin e pakrahasueshëm, që për hir të mendimeve dhe idealeve, të shkencës dhe të karakterit nuk bëri kompromis në asnjë rrethanë, duke privuar veten, pasionin dhe familjen e dashur. Në shkurt të vitit 1940 arrestohet dhe internohet në Ventontene, Itali, për shkak të bindjeve dhe veprimtarive antifashiste të kryera prej tij, ku mund të veçohet pjesëmarrja në demonstratën antifashiste të 28 nëntorit 1939, një ngjarje të cilën historiografia zyrtare vijon që ta lërë në hije dhe të pazbardhur me vërtetësi. Aty, me shpritin rebel dhe të pamposhtur, por edhe të butë dhe solidar, human dhe sqimatar, do të qëndronte deri në 4 tetor të vitit 1941. Pas kthimit në atdhe do të vendoset në Kavajë, në një kthinë të humbur, bashkë me familjen.
Në janar të vitit 1945, pra kur sapo kishte mbaruar viti i parë i sundimit komunist në Shqipëri, prof. Selman Riza do të burgoset në Tiranë nga Sigurimi i Shtetit, me idenë e mbrapshtë që ta dërgojnë në Kosovë, ku e prisnin me padurim "shokët jugosllavë". Pas disa peripecishë të jashtëzakonshme për t'i shpëtuar dërgimit atje, më në fund në janar të 1948 e nisin për në Jugosllavi, natyrisht me dijeninë e diktatorit Hoxha, bashkënxënës dhe bashkëmësues me Selman Rizën në liceun e Korçës. Nga ky moment e deri në gusht të 1951 do të jetë i burgosur në Prishtinë, kur lirohet për shkak të shëndetit të dobët. Si të mos mjaftonin burgimet, nga diktatura shqiptare, në vitin e tmerrshëm 1967, kur nisi gjuatia e shtrigave mbi besimin dhe objektet e kultit, kur u rroposën njëherë e përgjithmonë më qindra kisha, xhami dhe tyrbe, Selman Rizës i erdhi edhe "dënimi" i katërt, më i ashpri po të kemi parasysh pasionin e madh për shkencën e gjuhës dhe si pedagog i shkëlqyer, largimi nga puna si pedagog dhe nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë, si dhe internimi si ciceron në muzeun e Beratit, vetëm pse guxoi që të kundërshtonte hapur idenë utopike se midis gjuhës dhe marksizëm-leninizmit nuk ka asnjë lidhje logjike. Burgimet e gjata dhe internimi jashtë kryeqytetit u mbyllën në mënyrën më të turpshme me pensionin e parakohshëm, në kulmin e aftësive shkencore, pa të drejtë botimi të veprave shkencore, si dhe i shtrënguar të jetonte i survejuar dhe i izoluar nga pjesa tjetër e botës, një fat mjaft i hidhur që do të lërë gjurmë të thella në shëndetin dhe në shpirtin e shkencëtarit të madh, njeriut rebel, që nuk përfilli as diktaturat, e as pushtimet e shumëngjyrta.
Gjuhëtari i madh
Emri dhe fama e prof. Selman Rizës, aty ku e kanë lënë rrethanat dhe atmosfera e përjashtimit absurd, lidhet para së gjithash më shkencën e gjuhës, madje me disa nga fushat e saj më të vështira, ku do të veçoheshin ato të morfologjisë, historike dhe moderne, të kritikës gjuhësore, e cila futet për herë të parë në tryezat shkencore të gjuës shqipe dhe mbeti në nivelin fillimtar të shpalosur prej S. Rizës, si dhe të tekstologjisë, gjuhësore dhe letrare. Të gjitha këto gjurmë të shqyrtimeve shkencore edhe sot e kësaj dite mbeten modelet më të larta si arritje dhe shenjëzime të verifikimit dhe interpretimit të faktologjisë gjuhësore dhe letrare të gjuhës shqipe. Botimi i katër veprave të plota, të punës studimore dhe shkencore të Selman Rizës, nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, një punë e pashoqe në zbardhjen e dimensioneve të njeriut poliglot, që fliste dhe shkruante 12 gjuhë të huaja, por edhe që e zotronte në majë të gishtave gjuhën shqipe, gjuhën amtare, ku është përfshirë gati e gjithë puna shkencore e tij, me vepra të tilla si "Tri monografina albanologjike", "Gramatikë e serbo-kroatishtes", "Fillimiet e gjuhësisë shqiptare", "Diftoret e shqipes dhe historiati i tyre", "Nyjat e shqipes", "Pronorët e shqipes", "Emrat në shqipe sistemi i rasave dhe tipet e lakimit", "Sistemi foljor i letrarishtes shqiptare bashkëkohore", "Fillimet e gjuhësisë shqiptare", "Pozita e toskërishtes", " Problemi gjuhësor dhe zgjidhja e tij", "Hyrje në fjalorthin terminologjik", " Një shqyrtim kritik mbi fjalorin e Bariçit", "Relacion i zgjeruar mbi ribotimin kritik të Gjon buzukut nga Eqerem Çabej", etj. Nisur për nga vlerësia dhe prurjet e prekshme në këta laminjë të gjerë të shkencave gjuhësore dhe tekstologjike, por sidomos nga njohja më nga afër e çështjeve të letërsisë së hershme të shekujve të 16 dhe 17, do të ndalesha paksa më gjatë mbi veprën "Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe", një punim fondamental sa i përket formatit të parë të letrave shqipe, një tekst i përpunuar disa herë, që në fakt vuri themelet e zanafillës, por edhe të shenjave gjuhësore dhe letrare të kësaj periudhe, që shënon edhe të vetmin tekst të plotë, shkencor dhe shkollor, kushtuar etapës së parë të letrave shqipe. Vlerat e shumëfishta të kësaj vepre madhore, në qasjen dhe interpretimin e këtij formati, shpërfaqen në disa drejtime thelbësore:
Së pari: Në vështrimin dhe trajtimin e periudhës së parë të letrave shqipe si një epokë e ndritur dhe më vete, krejt e identifikuar, që shënon dhe përfaqëson jo vetëm fillesat e letraritetit në gjuhën shqipe, por ishte një periudhë themelvënëse në këtë lartsynim të autorit, duke realizuar kështu një vështrim dhe shqyrtim të thuktë të kësaj periudhë të shkrimit të shqipes, megjithatë si gjuhë e kulturës, shkencës dhe letërsisë.
Së dyti: Është një vepër që kryen, në aspektin e kontekstve dhe tipareve më përfaqësuese, edhe funksionet e një monografie jetëshkrimore për secilin nga autorët e letërsisë së hershme shqipe, pra të shkrimtarëve të parë si, Gjon Buzuku, Lek Matranga, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, madje duke mbetur edhe sot e gjithë ditën si një shqyrtim i patejkaluar i biografisë dhe përfaqësimit të secilës prej këtyre figurave.
Së treti: Përbën të parën vepër shkencore dhe kërkimore, që i trajton në përbashkimin e tyre, por edhe të tipareve dalluese, prurjet e secilit prej autorëve të kësaj epoke, madje duke prekur dhe zbuluar, po ashtu edhe shenjat dhe shenjëzimet dalluese dhe të përputhura ndërmjet tyre.
Së katërti: Mbetet nga të paktat tekste dhe shqyrtime të kryera, kohë mbas kohe përmbi këtë pjesë të ekzistencës së letrave shqipe, që vlerat gjuhësore i sheh dhe trajton në marrëdhënie të përputhur të pranisë së shenjave letrare dhe të dëshmisë historike, pra duke i kundruar si një faktologji e trefishtë dhe jo siç vijon që ta kundrojë edhe tani historiografia zyrtare këtë periudhë, fillimtare dhe themelvënse, thjesht si fakt gjuhësor dhe historik.
Së pesti: Është i pari libër, i patejkaluar si konceptim dhe formulim, si strukturë tërësore dhe zbuluese, edhe në pikëpamje të krestomacisë, pra të përzgjedhjes së fragmenteve të veprës së secilit prej autorëve të kësaj periudhe, të shquar të gjuhës, kulturës dhe të letrave shqipe.
Janë këto tiparet që bart dhe mataron libri i S. Rizës mbi periudhën e parë të shkrimit të shqipes, e cila shënon gjithashtu edhe të parin akt letrar, po të nisesh nga prania e poezisë së Budit dhe Bogdanit, e po ashtu edhe të prozës së këtyre autorëve, shënon të parin akt shkencor të fillimit të leksikologjisë dhe historiografisë së shqipes, po të nisesh nga dy veprat fondamentale të Frang Bardhit, kushtur Skënderbeut dhe "Fjalorit Latinisht -Shqip", shënon të parin akt të shkollimit me anë të gjuhës shqipe, po të nisesh nga libri "E mbasme e kërshtenë", e vitit 1592, të Lek Matrangës, shënon aktin më monumental të gjuhës së shkruar në shqipe, po të marrësh në shqyrtimi "Mesharin" e Buzukut. Kjo epokë realizon dy pikësynime të larta:
- Edhe e sendërton "Rilindjen e parë" të arbënorëve, si pjesë e Rilindjes Europiane, e lëvizjeve të gjera të kohës, si Roformacioni dhe Kundëreformacioni.
- Edhe e vendosi gjuhë kulturën dhe letërsinë shqipe në marrëdhënie, logjike dhe formale ne kulturën dhe letërsinë e perëndimit.
Amaneti dhe ëndrrat e prof. Rizës
Populli shqiptar ka një shprehje hyjnore për këso rastesh "Amanetin nuk e tret as dheu", që rrezëllit ngjyresat e zotave dhe të perëndive, e cila të detyron me domosdo që të kthesh vëmendjen dhe vështrimin edhe njëherë tek amaneti njerëzor i prof. që eshtrat t'i treten në Kosovë. Ky amanet tronditës, i lënë i shkruar, një detyrim dhe thirrje edhe e përmatanshme, vetiu lidhet edhe me ëndrrat e mëdha të Selman Rizës në gjallje. Lidhet me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të cilën ai në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak nuk i vuri në dyshim, por i besojë dhe dëshirojë si askush tjetër. Padyshim kjo përbën ëndrrën e madhe të profesorit dhe atdhetarit të dalluar, por edhe të miliona shqiptarëve kudoqë jetojnë, ëndrrën që tashmë është bërë realitet. Një ëndërr tjetër, jo më e vogël përnga rëndësia dhe vlera që bart, është edhe vendosja e demokracisë në Shqipëri dhe në pjesën më të madhe të Europës lindore, një dëshirë dhe aspiratë e madhe e dhjetëra brezave të intelektualëve të shquar të Shqipërisë, Kosovës, diasporës dhe të gjithë trojeve etnike, e cila krijojë mundësinë për të rikthyer në panteonin e kulturës, të shkencës dhe vlerave, mbase të rizbulimit të përmasave të Selamn Rizës, si dhe të qindra intelektualëve të shquar të të gjithë fushave të jetës dhe kulturës shqiptare, që u mallkaun dhe dënuan nga sistemi monist, pa të drejtë. Një ëndërr tjetër, hyjnore dhe përndritëse e Selman Rizës, e shpallur qysh me Lëvizjen Irridentiste, është ajo e bashkimit të trojeve dhe të fateve të përbashkët të shqiptarëve, pavarësisht se ku jetojnë, e cila pret ditë të tjera, më të kthjellta. Janë këto ëndrra, të rënda si plumbi dhe të thella sa deti, patjetër edhe amaneti, me peshë mali që la prof. të cilat e shndërrojnë vitin 2009, që shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 21 vjetorin e ndarjes nga jeta të tij, (sepse më 16 shkurt të vitit 1988 pas një sëmundje të rëndë, mbylli sytë në Tiranë dhe u varros në heshtje të plotë) një stacion të rëndësishëm. Përvjetori i lindjes dhe ndarja e zymtë nga jeta, ka arsye dhe gjasë që të kthehet në vit të përkujtimit dhe vlerësimit të jetës dhe veprës së madhe shkencore të Selman Rizës, në vit të homazhit dhe të zbulimit, mbase të rizbulimit të vlerave të shumanshme të veprave të tij, në vit të mungesës së heshtjes absurde rreth figurës dhe përmasave që ajo shënon në historinë e kulturës, gjuhës dhe historiografisë së shqipes, në vit të vlerësimit të vetvetes si shqiptar dhe bashkëkombas të prof. Selman Rizës. Është nder i veçantë, por edhe detyrim i thellë për të gjithë institucionet e kulturës dhe të shkencës të Shqipërisë dhe Kosovës, të trojeve etnike dhe të diasporës, që viti 2009 të shpallet viti i Selman Rizës, vit i njeriut që sakrifikoi si pak të tjerë për kombin dhe popullin shqiptar, për shkencën dhe kulturën shqipe, për lirinë e fjalës dhe të mendimit, për idealet humane dhe moderne, për bagati dhe përparim të qenies shqiptare. Është në nderin e çdo shqiptari, e çdo institucioni shtetëror dhe shoqëror, shkencor dhe kulturor, që të japë ndihmesën e vetë për ta çuar deri në fund amanetin e tij, që më tepër se dëshirë ishte dhe është një aspiratë hyjnore e një biri të madh të kombit shqiptar, e një apostulli të pakundshoqshëm të lirisë dhe vlerave njerëzore.

gsh