Zemërimi është një nga përshpëritjet e shejtanit, që sjell shumë fatkeqësi e të keqia, cakun e të cilave e di vetëm Allahu i Lartësuar. Për këtë arsye, Islami ka shumë për të thënë për këtë cilësi të keqe, dhe Profeti a.s e përshkruan ilaçin e kësaj sëmundjeje dhe mënyrat se si mund t’i kufizojmë pasojat e saj. Prej këtyre ilaçeve kurues mund të përmendim:
1. Kërkojini mbrojtje Allahut nga shejtani i mallkuar:
Sulejman Ibn Sard ka thënë: “Unë isha ulur më Profetin a.s dhe dy burra po fyenin njëri-tjetrin. Njëri prej tyre ishte skuqur në fytyrë, dhe venat e qafës i kishin kërcyer. Profeti a.s tha: ‘Unë di një fjalë, që nëse ai do ta thoshte, ajo që ndien do të largohej. Nëse ai thotë: ‘Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga shejtani i mallkuar’ , ajo që ndjen (d.m.th zemërimi) do të largohej.’” (Transmeton Buhariu në al-Fath 6/337)
Profeti a.s ka thënë: “Nëse dikush zemërohet dhe thotë: “Kërkoj mbrojtje tek Allahu, zemrimi do t’i largohet.” (Sahi al-Xhami al-Sagir 695)
2. Heshtni
I Dërguari i Allahut a.s ka thënë: “Nëse dikush prej jush zemërohet, le të heshtë.” (Transmeton Imam Ahmedi, al-Musnad, 1/329)
Kjo qëndron, sepse në të shumtën e rasteve, njeriu i zemëruar e humbet vetëkontrollin, dhe mund të thotë fjalë mosbesimi (prej të cilave kërkojmë mbrojtje nga Allahu i Lartësuar), mallkime, apo fjalën e divorcit (talak) që do të shkatërronte familjen e tij, apo flalë fyese që do të shkaktonin armiqësi dhe urrejtje tek të tjerët. Thënë me pak fjalë, heshtja është një zgjidhje që të ndihmon t’i shmangësh të gjitha këto.
3. Mos lëvizni
I Dërguai i Allahut a.s ka thënë: “Nëse dikush nga ju zemërohet dhe është në këmbë, le të ulet, se kështu do t’i largohet zemërimi; dhe nëse zemërimi nuk i largohet, atëherë le të shtrihet.”
Transmetuesi i këtij hadithi është Ebu Dherri r.a, dhe ky transmetim lidhet me një histori: Ai po shpiente devetë e tij për të pirë ujë në një koritë, kur disa njerëzi kaluan andej dhe i thanë (njëri-tjetrit): “Kush mund të konkurojë me Ebu Dherrin (për tu dhënë ujë deveve) dhe ta lerë të fundit?” Një burrë tha: “Unë, mund ta bëjë atë,” dhe kështu i mori kafshët e tij dhe konkuroi me Ebu Dherrin, me qëllim që korrita të thyhej (d.m.th Ebu Dherri priste ndihmë për t’u dhënë ujë deveve, por në vend të kësaj, burri u soll keq, gjë që shkaktoi thyerjen e koritës). Ebu Dherri i cili ishte në këmbë, u ul dhe më pas u shtri. Dikush e pyeti atë: “O Ebu Dherr, përse u ule poshtë dhe më pas u shtrive?” Ai tha: “I Dërguari i Allahut ka thënë...” dhe përmedni hadithin. (Hadithi dhe kjo histori mund të gjenden në Musnedin e Ahmedit, 5/152; gjithashtu shihni edhe Sahi al-Xhami, 694)
Sipas një transmetimi tjetër, Ebu Dherri po u jepte ujë kafshëve të tij në një koritë, kur një burrë tjetër e zemëroi atë dhe ai u ul... (Fajd al-Kadir, al-Munaui 1/408)
Nga dobitë e kësaj këshille të dhënë nga Profeti a.s, është fakti se ajo e ndalon të zemëruarin të dalë jashtë kontrollit, sepse në të kundërt ai mund të shpërthente dhe të dëmtonte ndonjë njeri, madje edhe mund të vriste- siç do ta shohim pak më poshtë- apo mund të shkatërronte prona, etj. Të ulurit i zbeh acarimet dhe tërbimet, ndërsa të shtrirët të largon akoma më tepër nga kryerja e ndonjë çmendurie apo e diçkaje të dëmshme. Al-Alamah al-Khatabi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë në komentimin e Sunenit të Ebu Davudit: “Kush qëndron në këmbë është në një pozicion që shkatërron e plaçkit, ai që është ulur priret ta bëjë një gjë të tillë ndërsa përsa i përket atij që është shtrirë, nuk mund të bëjë asgjë. ثshtë e mundur që Profeti (paqa e Zotit qoftë mbi të), ta ketë këshilluar të zemëruarin që të ulet apo shtrihet, në mënyrë që të mos bëjë diçka për të cilën më vonë do të pendohej. Allahu e di më së miri.” (Suneni i Ebu Davudit me Mualim al-Sunen 5/141)
4. Ndiqni këshillën e Profetit a.s
Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetoi se një burrë i tha Profetit (paqa e Zotit qoftë mbi të), “Më këshillo” Ai i tha: “Mos u zemëro.” Burri e përsëriti pyetjen disa herë, dhe çdo herë që ai e pyeste Profeti (paqa e Zotit qoftë mbi të) i thoshte: “Mos u zemëro.” (Transmeton Buhariu në Fath al-Bari 10/456)
Sipas një transmetimi tjetër, një burrë tha: “Unë mendova rreth asaj që më tha Profeti a.s, dhe kuptova se zemërimi i kombinon të gjitha të këqiat.” (Musnedi Imam Ahmedit 5/373)
5. Mos u zemëro dhe Parajsa do të jetë e jotja (hadith sahih, shih Sahih al-Xhami 7374.)
Të menduarit rreth asaj që Allahu u ka premtuar vepërmirëve (al-muttekin), që qëndrojnë larg shkaqeve të zemërimit dhe luftojnë me vetet e tyre për ta kontrolluar atë, është rruga më e mirë për të shuar flakët e zemërimit. Një ndër hadithet që përshkruan madhësinë e shpërblimit të një vepre të tillë është ky: “Kushdo që kontrollon zemërimin kur ka mundësi të veprojë me të, Allahu do t’ia mbushë zemrën me kënaqësi në Ditën e Ringjalljes.” (Transmeton al-Tebarani, 12/453, shihni gjithashtu sahih al-Xhami 6518)
Një tjetër shpërblim i madh përshkruhet në fjalët e Profetit a.s: “Kushdo që e kontrollon zemërimin e tij kur ai ka mundësi të veprojë me të, Allahu do ta thërrasë para gjithë njerëzisë në Ditën e Ringjalljes, dhe do ta lejojë atë të zgjedhë këdo që dëshiron nga Hyrit e Xhenetit.” (Transmeton Ebu Dauti, 4777, dhe të tjerët. Klasifikohet hasan, në Sahih al-Xahmi, 6518 )
6. Vetëdija për pozitën e lartë dhe përparësitë që do t’u jepen atyre që kontrollojnë vetet e tyre.
I Dërguari i Allahut (paqa e Zotit qoftë mbi të) ka thënë: “Burrë i fortë nuk është ai që i mund të tjerët (në mundje); përkundrazi i fortë është ai që kontrollon veten e tij kur zemërohet.” (Transmeton Ahmadi 2/236; hadithi është mutefekun alej). Sa më i madh të jetë zemërimi, aq më e lartë është pozita e atij që e kontrollon atë. Profeti a.s ka thënë: “I fortë është ai që kur zemërohet dhe i skuqet fytyra e i ngrihen flokët përpjetë, është i aftë ta kontrollojë zemërimin e tij.” (Transmeton Imam Ahmedi, 5/367, dhe në sahiun e al-Xhamit hadithi klasifikohet hasan)
Enesi transmeton se Profeti a.s kaloi pranë disa njerëzve që po bënin mundje. Ai pyeti: “ا’është kjo gjë?” Ata thanë: “Filani është më i forti dhe mund të mundë këdo.” Profeti a.s tha: “A t’ju tregoj juve dikë që është më i fortë se ai? Burri i cili kur i bëhet padrejtësi nga dikush tjetër dhe kontrollon zemërimin e tij, ka sfiduar Shejtanin e Shejtani është ai që e zemëroi atë.” (Transmeton Al-Bazar dhe Ibn Haxheri tha se zinxhiri i tij është sahih. Al-Fath 10/519)
7. Ndjekja e shembullit të Profetit a.s në rast zemërimi
Profeti a.s është prijësi ynë, dhe shembulli i tij është më i larti në lidhje me këtë çështje, siç transmetohet në një numër hadithesh. Një prej më të famshmëve është transmetuar nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: “Unë po ecja me të Dërguarin e Allahut a.s, dhe ai kishte veshur një mantel Nexhrani që kishte një jakë të ashpër. Aty erdhi një beduin që e kapi ashpër për cepit të jakës, dhe unë pashë shenjat që la jaka në qafën e tij. Më pas beduini e urdhëroi atë që t’i jepte një pjesë nga pasuria e Allahut që ai kishte. Profeti a.s u kthye drejt tij, buzëqeshi, dhe më pas urdhëroi që atij t’i jepej diçka.” (mutefekun alej. Fath al-Bari 10/375)
Një mënyrë tjetër në të cilën ne mund të ndjekim shembullim e Profetit a.s, është të zemërohemi për hir të Allahut, kur të drejtat e Tij cënohen. Ky është një zemërim që ia vlen. Kështu Profeti a.s, u zemërua kur i treguan për imamin i cili po i largonte njerëzit nga namazi duke e zgjatur atë shumë; kur pa një perde më pamje gjallesash në shtëpinë e Aishes; kur Usameh i foli atij për Makzumen e cila kishte vjedhur, e ai i tha: “A kërkon ndërhyrjen time për dënimin e urdhëruar nga Allahu?” ; kur e pyesnin për gjëra që ai nuk pëlqente dhe të tjera. Zemërimi i tij ishte vetëm për hir të Allahut.
8. Ndërgjegjësimi se përmbajtja nga zemërimi është shenjë devotshmërie.
Të mirët (el-muttekun) janë ata që lavdërohen nga Allahu në Kuran dhe i Dërguari i Tij a.s. Parajsa e gjerë sa qiejt dhe toka është përgatitur për ta. Një ndër karakteristikat e tyre është: (komenti dhe kuptimi)
“Shpenzojnë në rrugën e Allahut në pasuri dhe vështirësi, (ata) përmbahen nga zemërimi, dhe i falin njerëzit; me të vërtetë Allahu i do al-muhsinun (vepërmirët).” (Ali Imran 3:134)
Këta janë ata, karakterin, qendrimin dhe veprat e mira të të cilëve i ka përmendur Allahu, dhe të cilët njerëzit i admirojnë. Një ndër cilësitë e tyre (koment): “...kur janë të zemëruar, falin.” (al-Shuara 42:47)
9. Dëgjimi i përkujtuesve
Zemërimi është pjesë e natyrës njerëzore dhe njerëzit ndryshojnë në zemërimin e tyre. Mund të jetë e vështirë që dikush të mos zemërohet, por të sinqertët do ta kujtojnë Allahun kur të ndërgjegjësohen, dhe nuk do ta kalojnë kufirin. Të mëposhtmët janë disa shembuj:
Ibn Absasi r.a transmeton se një burrë kërkoi leje të fliste me Umer Ibn Hatabin r.a dhe më pas tha: “O biri i Hatabit, ti nuk po na jep ne shumë dhe nuk po gjykon drejt mes nesh.” Umeri r.a u zemërua aq shumë sa ishte gati ta qëllonte burrin që tha këto fjalë, por al-Hurr bin Kajs i cili ishte i pranishëm, tha: “O prijësi i besimtarëve, Allahu i tha Profetit të Tij: ‘Ti (Muhamed) merre më të lehtën, urdhëro të mirën dhe largohu prej të padijshmëve.’ (al-Araf 199). Ky njeri është një prej të padijshmëve.” Për Allahun, Umeri nuk mund të shkonte më tej pasi al-Huri i recitoi atij këtë ajet, dhe ai ishte një njeri i kujdesshëm ndaj Librit të Allahut. (Transmeton Buhariu ne al-Fath, 4/304)
Kështu duhet të jetë muslimani. Munafiku (hipokriti) i keq, nuk ishte kështu kur i thanë hadithin e Profetit a.s dhe një nga sahabet i tha atij: “Kërko mbrojtje tek Allahu nga Shejtani.” Ai i tha atij që ia kujtoi: “A mos mendon se jam i çmendur? Ik, largohu!” (Transmeton Buhariu, al-Fath, 1/465)
Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga dështimi.
10. Ndërgjegjësimi për pasojat negative të zemërimit
Zemërimi ka shumë ndikime negative; me pak fjalë këto ndikime shkaktojnë dëm si tek vet i zemëruari ashtu edhe tek të tjerët. Ai që zemërohet mund të thotë fjalë fyese apo të turpshme, mund t’i dëmtojë të tjerët fizikisht në një mënyrë të pakontrolluar, madje mund të shkojë deri në vrasje. Historia e mëposhtme përmban një mësim të vlefshëm.
Ismail ibn Ueil transmetoi se babai i tij r.a i tha: “Unë isha ulur më Profetin a.s kur një burrë erdhi tek ai duke tërhequr një tjetër me litar. Ai tha: ‘O i Dërguari i Allahut, ky njeri vrau vëllain tim! I Dërguai i Allahut e pyeti atë: ‘A e vrave atë?’ Ai u përgjigj: ‘Po e vrava.’ Ai e pyeti: ‘Po, si e vrave atë?’ Ai tha: ‘Unë dhe ai po shkundnim një pemë për të rrëzuar gjethe për të ushqyer kafshët. Ai më ofendoi mua dhe unë e godita në kokë me një sopatë dhe e vrava...” (Transmeton Muslimi, 1307)
Zemërimi mund të çojë edhe në më pak sesa vdekja, si për shembull plagosja dhe thyerja e kockave. Nëse njeriu që shkakton zemërim largohet, i zemëruari e nxjerr zemërimin në veten e tij duke grisur robat, gërvishtur faqet, qëlluar me grushte, apo duke rënë pa ndjenja. Ai gjithashtu mund të thyejë edhe enët e pjatat apo pasje të ndryshme.
Në rastet më të këqia, zemërimi shpie në fatkeqësi shoqërore dhe në shkatërrimin e familjes (d.m.th divorc). Pyesni shumicën e atyre që janë divorcuar me gratë e tyre, dhe ata do t’ju thonë juve: ishte në një çast zemërimi. Këto divorce çojnë në keqësimin e gjendjes së fëmijëve, në keqardhje dhe bezdisje dhe në një jetë të ashpër dhe të vështirë. Të gjitha këto janë pasojë e zemërimit. Nëse ata do ta kishin kujtuar Allahun, asnjëra nga këto nuk do të ndodhte. Të ecurit kundër vijës së Sheriatit sjell vetëm humbje.
Dëmi që i shkakton shëndetit zemërimi mund të përshkruhet vetëm nga mjekët, siç është për shembull tromboza, trysnia e lartë e gjakut, takikardia (rahjet jonormale të zemrës) dhe hiperventilacioni (frymëmarja e pakët e vazhdueshme), që mund të çojë në goditje vdekjeprurëse të zemrës, diabetit, etj. I kërkojmë Allahut të na dhurojë një shëndet të mirë.
11. I zemëruari duhet të mendojë për veten e tij në çastet e zemërimit
Nëse i zemëruari do të shihej në pasqyrë në ato çaste, ai do ta urrente veten e tij dhe mënyrën si ngjan. Nëse do ta vinte re mënyrën se si ndryshon, dhe se si dridhen trupi dhe gjymtyrët e tij, se si i zgurdullohen sytë se sa jashtë kontrollit dhe e çmendur është sjellja e tij, ai do ta urrente veten e tij dhe do të tmerrohej nga vetë pamja e tij. ثshtë mëse e ditur se shëmtia e brendshme është më e keqe se shëmtia e jashtme. Sa i lumtur duhet të jetë Shejtani, kur një njeri është në këtë gjendje. I kërkojmë mbrojtje Allahut nga Shejtani dhe nga dështimi.
12. Duatë
Duaja është gjithmonë arma e besimtarit, më të cilën ai i kërkon Allahut ta mbrojë nga e keqja, shqetësimi dhe sjellja e keqe si dhe i kërkon atij të mos bjerë në kurthin e mosbesimit apo të veprave të këqia për shkak të zemërimit. Një ndër tri gjërat që e shpëton atë prej kësaj është: të jetë i drejtë në kohët e kënaqësive dhe zemërimit. (Sahih al-Xhemi 3039) Një nga duatë e Profetit a.s ishte:
“O Allah, me Dijën Tënde për të fshehtën dhe me Fuqinë Tënde mbi krijimin Tënd, më lër të jetoj përsa kohë që Ti e di se jeta është e mirë për mua, dhe ma sill vdekjen kur Ti e di se vdekja është më e mirë për mua. O Allahu unë të lutem Ty të më bësh të të frikësohem Ty fshehurazi dhe haptazi, dhe të lutem Ty të më bësh të flas të vërtetën në kohë kënaqësie dhe zemërimi. Të lutem Ty për të mira të vazhdueshme dhe për kënaqësi që nuk mbarojnë. Unë të lutem Ty të më bësh të pranoj udhëheqjen Tënde dhe për një jetë të mirë pas vdekjes. Unë të lutem Ty për kënaqësinë e shikimit të Fytyrës Tënde dhe për dëshirën për t’u takuar me Ty, pa kaluar në sëmundje dhe trazira devijuese. O Allah, na zbukuro me stolitë e besimit dhe na bëj prej atyre që janë të udhëzuar. Falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave.”
Krijoni Kontakt