19-vjeçarja A.L. nga Carrabregu i Deçanit, i ka dhënë fund jetës të martën, duke u varur me shami. Ndërkaq, një vajzë tjetër 21 vjeçe ka marrë lëndime të rënda duke u hedhur nga një lartësi prej 15 metrave. Për më pak se një muaj e gjysmë të këtij viti, janë shënuar 14 vetëvrasje dhe 33 tentim vetëvrasje. Sociologët përjashtojnë motivet ekonomike si shkaktarin kryesor të vetëvrasësve.
Dukuria e vetëvrasjeve, kohëve të fundit është duke tronditur vendin tonë.Këto statistika janë të regjistruara në Policinë e Kosovës, por, numri real i vetëvrasjeve ka gjasa të jetë më i lartë.Pa kaluar as dy muaj, nga fillimi i këtij vitit, 14 kosovarë kanë vrarë veten, ndërkaq 33 të tjerë kanë bërë tentativë për t’i dhënë fund jetës së tyre.
Vetëvrasje e fundit ka ndodhur në fshatin Carrabreg të Deçanit, ku një 19-vjeçare me inicialet A.L. është gjetur e vetëvarur me një shami, në një objekt afër shtëpisë së saj.
Ngjarja tragjike, sipas Policisë së Kosovës, është raportuar të ketë ndodhur të martën rreth orës 19, ndërkaq që motivet ende mbeten mister.
Në po të njëjtën ditë, një 21-vjeçare nga Gjilani ka tentuar t’i japë fund jetës së saj, duke u hedhur nga një lartësi prej 15 metrash, nga muri mbrojtës i pendës në Livoç të Epërm të Gjilanit.
Zëdhënësi rajonal i PK-së në Gjilan, Ismet Hashani, ka bërë të ditur se kjo ka ndodhur të martën pasdite, rreth orës 16:30, për të cilin rast policia është njoftuar nga qendra e alarmit.
“Me të marrë vesh që një femër kishte hipur mbi murin mbrojtës të pendës së Livoçit të Epërm, nga ku po tentonte të kërcente, policia me shpejtësi ka ftuar edhe ndihmën e shpejtë, por kur patrullat kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, viktima kishte kërcyer nga muri mbrojtës i pendës në një largësi mbi 15 metra dhe kishte rënë mbi gurë”, tha zëdhënësi Hashani.
Ai shtoi se policia ka intervenuar me shpejtësi duke e nxjerrë viktimën, e cila ishte gjallë dhe me shpejtësi është transportuar në emergjencën e spitalit rajonal në Gjilan, por për shkak të lëndimeve të rënda, ajo është përcjellë për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK.
Zyrtarët policorë pohojnë se shtimi i numrit të vetëvrasjeve është një fenomen që po bëhet shqetësues.
Zyrtari për informim në PK(Policia e Kosoves), Arbër Beka thotë për Express se ka raste kur policia njoftohet me kohë për një tentim vetëvrasje, ku shpeshherë arrijnë me kohë për të shpëtuar jetë. Mirëpo, ai thotë se për këto raste tragjike më shpesh policia informohet pasi që ndodh më e keqja.
“Ka pasur disa raste kur ne jemi njoftuar me kohë dhe kemi arritur të shpëtojmë personin që po tentonte të bëjë vetëvrasje. Së fundmi, zyrtarët policorë kanë arritur të shpëtojnë jetën e një të riu 27 vjeç, i cili kishte tentuar të hidhej nga kulmi i një ndërtese në Prishtinë. Mirëpo, për fat të keq, më shpesh ndodh që ne të informohemi kur është tepër vonë”, thotë Beka.
Ai thotë se përkundër hetimeve të shumta që bëhen pas kryerjes së vetëvrasjes, shpeshherë motivet i merr viktima me vete.
Sipas zyrtarëve policorë, format më të përhapura të vetëvrasjes janë vetëhelmimi, që kryesisht përdoret nga femrat, pastaj janë vetëvarjet, vdekja nga arma e zjarrit dhe hedhja nga lartësitë.
Në top listën e faktorëve kryesorë që ndikojnë në kryerjen e vetëvrasjes, sipas psikologut Safet Blakaj, janë struktura psikologjike e personit, faktori social që mund të jetë ndryshimi i funksionimit të familjes apo ndryshimet e të jetuarit, ballafaqimi me situata të papritura, siç është humbja e personave të dashur të familjes, ose të lidhjeve të dashurisë dhe mundësia e ballafaqimit me situata të reja, duke përfshirë edhe ato ekonomiko-financiare.
“Personat e ndjeshëm ose të paekuilibruar mentalisht janë më të prirë për të bërë vetëvrasje. Ky është faktori kryesor. Personat e paekuilibruar nuk e ndjejnë sigurinë, prandaj ndodh më e keqja. Po ashtu mund të ndodhë që vetëvrasja të bëhet për shkak të abuzimit me alkool dhe me substanca narkotike”, thotë psikologu Blakaj.
Sipas tij, që një person të marrë vendim për vetëvrasje, nuk mund të ndikojë shumë faktori financiar.
“Në hulumtimet e shumta që janë bërë nëpër botë, kanë ardhur në konkludim se numri i përqindjeve të vetëvrasjeve ka qenë më i lartë te shtresat më të larta ose të mesme sesa tek ato të ulëta”, thotë ai.
Sipas të dhënave zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dukuria e kryerjes së vetëvrasjeve cilësohet si një ndër tre faktorët kryesore të vdekjeve në botë.
Sipas statistikave të kësaj organizate, shumica e vetëvrasjeve të raportuar në botë, kryhen nga personat mbi 60 vjeç.
Ndërkaq në mbarë botën, në 50 vitet e fundit vetëvrasjet janë rritur për 60 për qind dhe se kjo rritje është shënuar më shumë në shtetet e zhvilluara.
Fakte
- Në botë, në çdo 40 sekonda një person bën vetëvrasje, ndërkaq tentim vetëvrasjet bëhen për çdo 3 sekonda.
- Për çdo person që kryen vetëvrasje, 20 e më shumë bëjnë tentim vetëvrasje.
- Numri më i madh i vetëvrasjeve ndodh në Azi, që përfshin mbi 60 për qind nga numri total i vetëvrasjeve në botë.
Vetëvrasjet në Kosovë:
Viti 2000 - 33 vetëvrasje
2001 - 59
2002 - 48
2003 - 67
2004 - 63
2005 - 53
2006 - 54
2007 - 58
Tentim vetëvrasjet:
2000 - 4
2001 - 23
2002 - 37
2003 - 65
2004 - 84
2005 - 105
2006 - 169
2007 - 154
http://www.gazetaexpress.com/index.p...xo/2551/C4/C15
Krijoni Kontakt