Tregu ilegal i barnave llogaritet më fitimprurës sesa ai i drogave. Çmimet dhe kualiteti i naftës i bëjnë konkurrencë serioze. Bosët e mëdhenj të ndërtimit ilegal në kryeqytet nuk mund t’i ndalë askush, veç ndonjë katastrofë natyrore. Ishte kohë e artë e bashkëqeverisjes me demonët
Lobi izraelit, tregtia ilegale e armëve? Cilët demonë e qeverisin vërtet botën e kohës tonë?
Mund të jetë vetëm një teori e bukur dhe e popullarizuar, një aventurë konspirative, që dëgjohet shpesh anë e kënd globit.
Ajo vlen, megjithatë, për këtë botën tonë të vogël kosovare.
Prej vitit 1999 Kosovën e kanë qeverisur, më shumë se çfarëdo autoriteti tjetër, një numër grupesh interesi, biznesi, krimi - qysh do që të quhen - e që nëpërmjet hapësirave ligjore dhe politike që u kanë krijuar politikanët, kanë vjedhur e shpërlarë aq sa sot, në përvjetorin e pavarësisë, janë një aristokraci e tërë e ngritur jashtë ligjit.
Po, pavarësisë i janë subordinuar të gjitha interesat, niveli i edukimit ka qenë i ultë dhe qeverisja e UNMIK’ut, me përcaktimin e vet, ka qenë pa autoritet në terren.
Dhe as nuk duhet të jemi pesimistë përderisa po bëhemi gati për festën e 17 Shkurtit, Deklaratës së Pavarësisë, e cila ofron mundësinë historike për ne për të qeverisur vetën dhe kështu, me shpresë, edhe shanset që ofron demokracia.
Por, në mënyrë që kjo datë të bëhet kthesa e zhvillimit tonë, që idealizmi të ketë për qëllim fillimin e demokratizimit, ne duhet t’i shtrëngojmë grushtet për të rrënuar këta demonë.
Këto grupe janë kërcënim për stabilitetin dhe për shanset e zhvillimit të demokracisë sonë. Janë shpeshherë më të fuqishme se Ambasada e SHBA’së, Ambasada e Britanisë apo Zyra Ndërkombëtare Civile për të lehtësuar apo nxjerrë një vendim me nënshkrimin e lidershipit kosovar. Nuk shpjegon çdo politikan me peshë, por kjo teoremë vlen për pjesën më vendimmarrëse të elitës politike.
Lufta jonë duhet të nisë që në Parlament.
Në listën e saj të kandidatëve për zgjedhjet e 17 nëntorit 2007, Partia Demokratike e Kosovës ka pasur emrin e njërit prej bosëve më të mëdhenj në tregun kosovar të naftës. Si mundemi ne të shmangim mendimin sot kur çmimet e naftës në tërë tregun botëror bien kurse tek ne mbesin të njëjta dhe të larta - që ky fenomen nuk bëhet pa lejen e pushtetit? Si mundemi ne të mos supozojmë se nuk ka asnjë pazar keshi mes politikës dhe këtyre grupeve të naftës kur rreth 100 maune ndalen në kufi, vlerësohen se kanë cilësi më të dobët sesa lejon ligji, dhe prapë u lejohet të futen?
Rivali kryesor i këtij emri ka qenë gjithmonë një prej sponzoruesve më të mëdhenj të AAK’së. Dhe kur asnjëra palë nuk qet në shesh të zezat, ndonëse mbajnë pozicione të kundërta politike, pse të mendojmë ne se ato deklaratat e ashpra nuk janë për të mirën publike dhe demokracinë? Pastaj, ndërtimet masive ilegale janë më të vërejtura se kudo tjetër në Prishtinë, kryeqytetin tonë, i cili, dashtë Zoti, do t’i shpëtojë ndonjë katastrofe të jashtëzakonshme.
Një numër i madh i këtyre ndërtuesve kanë qenë të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kanë shfrytëzuar zyrtarët e saj nëpër pozita për t’u mundësuar biznesin e tyre, ose të paktën për t’u mos u ndaluar. Shtuar kësaj, një deputet aktual i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës shet vet apartamente të cilat besohet se i ka ndërtuar duke e kthyer infrastrukturën qeveritare në favor të tij.
Shëndetësia është një Republikë në vete e krimit të organizuar. Për shembull, rreth 60 për qind e barnave në Kosovë janë ilegale. Kështu u ikin taksave dhe kritereve. Prandaj përfitimet janë maksimale. Nuk do t’u lejohej kjo hapësirë po që se politikanët do të kishin vullnetin për të vënë rend dhe ligj përpara se për të qenë vet pjesë e këtij fitimi masiv.
Thuhet se tregu i barnave është me më shumë përfitim edhe se tregu i drogave.
Përderisa pritet që do të fillojë privatizimi nën drejtimin kosovar, ekziston frika e bazuar se politika do të thotë prapë fjalën e saj në raste të shpeshta tenderësh. Të tri partitë e mëdha politike - PDK, LDK, AAK- kanë përgjegjësi në shëndetësi dhe kanë pasur gisht në procesin e privatizimit, duke ndihmuar të favorizuarit e tyre.
Këto janë vetëm disa raste. Natyrisht se në botë, interferenca mes biznesit dhe politikës është e zakonshme, është luftë e përditshme e njerëzimit.
Por, në Kosovë është bizare. Për pasurinë e disa personave, keqpërdoren qindra tenderë barnash me pasoja kolaterale. Pastaj për qëllime të ngjashme, shëmtohet një qytet si Prishtina i cili ndoshta 50 vjet s’do të mund të rimëkëmbet. Ajo që është dashur të jetë e mirë publike, po kthehet në të mirë të disa grupeve të ngushta.
Nëse duam vërtet të nisim transformimin gradual të Kosovës në një shoqëri demokratike, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është çelësi. Ajo do të nxiste pastaj vet reformën brenda partive, edukimi do të bëhej prioritet kurse ekonomia do të fitonte më shumë hapësirë për konkurrencë dhe inovativitet.
Në demokraci, është e zakonshme që politikanët të jenë pjesë e klasës së mesme shoqërore. Tek ne, një numër i madh emrash, bëjnë pjesë në listat e njerëzve më të pasur. Dhe askush nuk mund të bëjë biznes të madh pa marrëveshje me ta. Në shkëmbim, janë të gatshëm të hartojnë ligje e të marrin vendime që u shkojnë përshtati këtyre grupeve. Përkundrazi, nuk kanë qenë në gjendje të mbështesin dhe të reformojnë sistemin gjyqësor.
Që e keqja të bëhet edhe më e madhe, e përfshirë në këtë rrjet të krimit të organizuar është edhe vet një mazhorancë e “shoqërisë civile”. Gati gjithmonë njerëzit e njëjtë kanë fituar grante marramendëse të fondeve që kanë hyrë për zhvillim, po të njëjtit kanë qenë shpesh pjesë e rehabilitimit të marrëveshjeve mes politikanëve dhe këtyre demonëve të krimit të organizuar duke mos qenë kurrë në gjendje të hapin debate jo-statusore.
Aq thellë ka shkuar kjo punë sa sot Kosova rrezikon të niset drejt një depresioni të madh politik, në mungesë të alternativës ndaj Qeverisë, të kontrollit të saj dhe ku, për çudinë tonë tashmë të zakonshme, shoqëria civile shpesh shfaqet hipernacionaliste, e pakredibilitet, e pandikim.
Nëse duam që Deklaratën e Pavarësisë ta kthejmë në platformë të zhvillimit tonë, që ka qenë aspiratë e shqiptarëve për dekada, duhet që vitet e ardhshme t’i identifikojë lufta kundër krimit të organizuar. Shenjat duhet të vijnë. Gjërat e mira ndonjëherë janë të dhimbshme...
Të mbajmë mend: më shumë se Kombet e Bashkuara ose çdo institucion tjetër, këto vjet, Kosovën e kanë bashkëqeverisur këta demonë, bartës të krimit të organizuar, me të zgjedhurit e popullit.
Për të konsoliduar lirinë, duhet të ndryshojmë këtë mënyrë të qeverisjes, të realitetit. Pastaj do të rrisnim edhe kuptimin tonë për demokracinë dhe do ta fusim atë në funksion tonin.
S’ka pse na dhimbset top-pozita në listat e optimizmit. Do të më pëlqente të na identifikonin si “realistë të vrazhdë”.
Nga Artan Mustafa
Krijoni Kontakt