Hajrie AZEMI
Shkup, 10 shkurt - Të gjithë nxënësit e klasave të pesta shprehin interesim të madh për lëndën e mësim-besimit fetarë. Drejtorët e shkollave fillore informojnë se me fillimin e gjysmë vjetorit të dytë shkollor janë tejkaluar problemet me këtë lëndë, ndërsa tani mësim-besimi realizohet pa asnjë pengesë.
Drejtori i shkollës fillore "7 marsi", Halil Palloshi, thekson se interesimi për këtë lëndë është i jashtëzakonshëm, derisa edhe teologu është i profesionalizuar.
"Nuk kemi pasur problem me teologun-arsimtar. Është përfolur shumë se gjoja disa shkolla kanë problem me teologët. Ata që dëshironin të krijojnë probleme, më mirë të merren me veten. E rëndësishme është se nxënësit tregojnë shumë interesim për lëndën e mësim-besimit fetar. Orët mësimore mbahen me rregull. Numri më i madh nxënësve janë shprehur se do të vazhdojnë në Fakultetin e Shkencave Islame. Të gjithë nxënësit duan të bëhen hoxhallarë", shprehet Palloshi.
Edhe në shkollën fillore "Naim Frashëri" në Studeniçan, interesimi për mësim-besimin është shumë i madh. Drejtori i kësaj shkolle, Letfulla Memeti, thotë se shumica nxënësve kanë siguruar tekstet për mësim-besimin islam, ndërsa disa të tjerë mësojnë përmes shënimeve. "Fatmirësisht, në shkollën tonë nuk e kemi atë problem me të cilin ballafaqohen shkollat fillore që gravitojnë në Komunën e Çairit. Kemi teolog të diplomuar, i cili posedon edhe lejen e trajnimit të përfundimit. Të gjithë nxënësit shprehin interesim për fenë islame. Gjithçka funksionon mirë", siguron Memeti. Ndërsa ngjarje interesante është shënuar në shkollën e përzier etnike "26 korriku", ku edhe shqiptarët, por edhe maqedonasit janë deklaruar për mësim-besimin fetarë islam. Drejtori Halit Sejdiu thotë se teologu i njëjtë mbanë orë në gjuhën shqipe dhe maqedonase.
"Në fillim nuk na shkoi mendja se kaq shumë interesim mund të kenë nxënësit për mësim-besimin islam. Fatmirësisht edhe në shkollën tonë nuk kemi probleme, të cilat u paraqitën nëpër shkolla tjera. Kemi teolog të diplomuar, i cili posedon edhe licencën e Ministrisë Arsimit. Nxënësit posedojnë tekste shkollore, por disa prej tyre i ndihmon teologu përmes shënimeve", shprehet Sejdiu.

koha