Dr. Asllan Bajrami
I nderuari z. Krasniqi,
Në emër të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës shpreh shqetësimin personal dhe institucional të Federatës, për deklarimet e juaja publike në emër të Qeverisë.
Deklarimi i juaj, i transmetuar në medie vizive dhe të shkruara, se Marrëveshja e 14 tetorit 2008, në mes të Federatës dhe Qeverisë, ka qenë e parashikuar vetëm për tremujorin e fundit të vitit të kaluar se: “...Marrëveshja me sindikalistët shëndetësorë ka përfunduar...” (Koha Ditore, 10 shkurt, faqe 7), është shumë shqetësuese, pasi Marrëveshja nuk është për tre muaj por edhe për vitet në vazhdim. Ju kisha lutur që t’i referoheni pikës 1 të Marrëveshjes, ku thuhet: “Nga 1.10.2008, të ketë kompensim në lartësi prej 44 (dyzet e katër) euro, për të gjithë punëtorët shëndetësorë (13.247), për vitet në vijim...”
Deklarata e Juaj është përsëritur disa herë në medie çka më ka bërë të besoj se nuk është një lëshim teknik. Kjo deklaratë na ka alarmuar, duke vënë thellësisht në pikëpyetje seriozitetin dhe përkushtimin e deklaruar të Kryeministrit, z. Hashim Thaçi, për zbatimin e Marrëveshjes. Ky qëndrim gjithashtu bie në kundërshtim të plotë me filozofinë qeverisëse që z. Thaçi e ka deklaruar para dhe gjatë mandatit tij si Kryeministër, për punë dhe angazhim serioz në zgjidhjen e problemeve të vendit.
Deklarimi i Juaj për të zhvilluar dialog me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura (BSPK) nuk duhet të shihet si një mundësi për një dialog dhe negocim nga zeroja. Çfarëdo dialogu që të bëhet Marrëveshja nuk duhet, dhe nuk mund, të anashkalohet, edhe nëse parapëlqehet nga të dy palët.
Z. Krasniqi, nëse Qeveria ka vendosur që mos t’i realizojë Marrëveshjet e nënshkruara nga vet ajo, ky është një sinjal që seriozisht vë në pikëpyetje dialogun social, për të cilën Federata është munduar kaq shumë, duke ju lënë hapësirë të bollshme, që nga gushti i vitit 2008. Gjithashtu, ky deklarim i Juaji, i cili shkel këtë Marrëveshje, është kundër të gjitha parimeve të qeverisjes demokratike.
Dua të Ju rikujtoj se Marrëveshja ka qenë një ofertë e Qeverisë, me garancitë e Presidentit të vendit, z. Fatmir Sejdiu, Kryeministrit, z. Hashim Thaçi dhe Ministrit të Shëndetësisë, z. Alush Gashi. Ju kujtoj edhe se, Presidenti dhe Kryeministri, kanë bërë presion ndaj nesh, për ta pranuar këtë Marrëveshje të REALIZUESHME. E deklaratat e juaja, në fakt, janë kundërshtim i vetvetes dhe dëmtim i rëndë i besimit institucional.
Z. Krasniqi, ju e mbyllni deklaratën duke kërkuar dialog social mes palëve. Por përse do të bëhet dialog nëse Qeveria nuk zbaton Marrëveshjet e dialoguara dhe të nënshkruara, e për më shumë i mohon ato?!
Pranoni nderimet e mia,
(Autori është kryetar i Federatës Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës
Krijoni Kontakt