Çështja e pronave të shqiptarëve në Greqi është tashmë çështje e drejtësisë. Drejtësia do të vendosë për këtë çështje. Kështu deklaroi ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakoyannis gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Tiranë me homologun e saj shqiptar, Lulzim Basha.

Gjatë konferencës për shtyp, Basha theksoi se kishte njohur homologen e tij, për përgatitjen e procesit zgjedhor në vend, për këtë arsye, theksoi ai, ka kërkuar nga OSBE-ja që të monitorojë procesin zgjedhor të 28 qershorit.

Bakoyannis nga ana e saj garantoi se OSBE do të dërgojë vëzhguesit e saj në zgjedhjet parlamentare shqiptare dhe plot optimizëm u shpreh se beson se Shqipëria do të arrijë standardet e kërkuara në zgjedhje.

Basha theksoi se Bakoyannis është një mike e Shqipërisë, ndërsa Greqia është një partner strategjik dhe politik. Duke e vlerësuar takimin si të frytshëm numri një i diplomacisë shqiptare, tha se marrëdhëniet midis dy vendeve kanë perspektivë edhe në të ardhmen.

Ndërsa Bakoyannis deklaroi se Shqipëria kishte mbështetjen e Greqisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Gjithsesi, ajo i ka rikujtuar edhe një herë Tiranës zyrtare se respektimi i të drejtave të njeriut është kusht për këto procese integruese.

Bakoyannis ka shprehur mbështetjen e vendit të saj për integrimin në NATO si dhe për liberalizimin e vizave.

Vizita e njëditore e Ministres Bakoyannis në Shqipëri, përmban një agjendë e ngjeshur takimesh me personalitetet më të larta të vendit, si me kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, presidentin e Republikës, Bamir Topi etj. /Balkanweb