Vdekja argument i qartë! Kush mund ta mohojë vdekjen! Askush kurrë! Argumentit të vdekjes kurrë askush nuk mund t'i paraprijë e as t'i shmanget. Jo, vdekja secilin njeri do ta prek. E vdekja prek edhe të gjallët. Por cilët! Kë përveç atyre që logjikojnë! Kur një të vdekuri i thonë lamtumirën e fundit! Ata që mendojnë, mendojnë edhe në fundin e tyre. Vdekja po, argument, e askush përpara këtij argumenti nuk mund t'i mbyllë sytë!
Jo, kurrsesi! Nuk e sheh sesi kur një të vdekur përcjellim, argumenti paraprinë! Po, jo vetëm njeri i vdekur, i pajetë, por argument të gjallë. Argumenti i gjallë, i qartë, i pamohueshëm, i pamposhtur, i pa fshehur! Pra, është vdekja! Ti e sheh, por ndoshta i zhytur në jetën e kësaj bote, mendja s'të funksionon! E kush pra këtë argument të gjallë, që njerëzve u paraprinë e mediton, veçse atij që Allahun dhe Ditën e Fundit e beson!
E kush tha që Fjala e Allahut nuk ngadhënjen! Ju me sytë tuaj shihni sesi e vërteta ngadhënjen! Por, ju mësim nuk merrni. Ju fjalosni, e nuk heshtni. Ju kur një të vdekur përcillni, ndoshta mendoni edhe sa ditë ju kanë mbetur kënaqësitë e kësaj jete për t'i shijuar. Jo, nuk e mendoni fundin, sepse ju derisa në përcjellje jeni, nuk ulni kokat, nuk vrenjtësoni fytyrat! Po, juve fytyrat ju buzëqeshin, atëherë kur duhej t'ju qanin!
Në përcjellje të një të vdekuri! Po, i vdekuri argument i vdekjes. E ç'është pra argumenti i vdekjes! Që ti të mendosh në fundin tënd. Të mendosh sesa i paaftë je! A nuk i thërrisni mendjes! Nuk e shihni se i vdekuri paloset. Shtrihet. Krah e këmbë, kokë e shpinë, i shtangur, i palëvizshëm! Nuk mund të bëjë asnjë veprim. Jo, kurrsesi! Nuk mund të ngrihet e të ecë sikur ju po ecni, derisa po e përcillni atë.
Pse nuk e kapni për krahësh, por e keni shtrirë, dhe po ju paraprinë! A nuk mendoni, po ende nuk e keni kuptuar se argumentit të qartë, argument që Krijuesi i qiejve dhe tokës e ç'ka mes tyre, i Cili përcaktoi dhe inspiroi, duke e quajtur vdekjen argument të qartë, që ju ta shihni! Që ju ta përjetoni! Që ju të mos i paraprini këtij argumenti!
Ju paraprinë, ju duke e nderuar atë, po edhe sikur ju udhëheq, e do t'ju kumtoj faktin se, misioni i tij në ekzistencë nuk ka përfunduar!
Po, që edhe sikur të ishit në lartësi, a në largësi, argumentin ta shihni! Pse nuk logjikoni! Pse nuk heshtni! Pse nuk pushoni nga dalldisja ndaj jetës së kësaj bote, para se një ditë të shtangeni! Pse nuk përjetoni argumentet, e të merrni mësim prej tyre, para se të bëheni argument për të tjerët! Po juve po ju mashtron mashtruesi që mashtron; ju urdhëron të keqen e ju ndalon të mirën. Armikun e merrni për mik! Mjerë për njerëzit që nuk logjikojnë!
Assesi! Prapë assesi! S'keni për të ndierë të vërtetën, argumentin; thelbin e çështjeve! Përderisa ju të mos mposhtni epshin! Përderisa ju të mos mposhtni vetveten lakmitare! E epshi e lakmia të ka bërë të ndjehesh i pavdekshëm. Jo, ti ke për të vdekur, por vetvetja e mbushur me epshe dhe lakmish të ka bërë vdekjen të harrosh! A s'ke ndjenja që ndjejnë. A nuk ke mendje që mendon. Argumentin sheh me dy sytë e tu, por prej tij s'përfiton! I vdekuri, sa do të dëshironte të ngrihej e porosinë t'jua jepte! Jo, të rikthehej, e me dy duart të kapte në dorë Kur'anin, e të mos e lëshonte më kurrë! E të ecte me dy këmbë, e çdo lëvizje që do të bënte, Allahun ta madhëronte; e me ballë në sexhdeh të binte, e kurrë të mos çohej; e gjithçka që kishte, në rrugën e Allahut ta jepte, pasurinë e vetveten! E të flijonte dunjanë, e ç'ka në të, që Ahiretin të fitonte. Të mos turpërohej nga e vërteta, të mos lodhej nga e vërteta, të mos e kalonte kohën kot, të mos ishte dyfytyrësh. E sa do të dëshironte! Falënderues, mirënjohës, e besimtar i devotshëm të ishte! Assesi! Nuk ka për t'u kthyer.
Kur argumenti i qartë duket, nuk zhduket! Kur argumentet e Allahut subhanehu ve teala për sytë e njerëzve haptazi shfaqen, nuk ka më kthim mbrapa! Ose të shpërblyer ose të ndëshkuar!
E për argumentet e qarta parashenja nuk ka! Janë të befasishme! Vdekja!
O Allah! Na udhëzo argumentet t'i shohim para se argument për të tjerë të bëhemi!
Inna lilahi ve inna ilejhi raxhiun, ve-l-hamdu lilahi rabbi-l-alemin ve salAllahu alejhi ve selem
Avni TAFILI
Krijoni Kontakt