Xhami el-Uluum uel-Hikam [vëll.1, f.62] e Ibn Rexheb el-Hanbelij
Uthman ibn Se'id ka transmetuar se Ebu Ubejd ka thënë:"Pejgamberi [salallahu alejhi ue selam] i ka mbledhur çështjet e jetës së përtejme në një frazë:
'Kushdo që shpik në këtë çështje tonën diçka që s'është prej saj, do t'i refuzohet'".
Kurse, çështjet e kësaj bote i ka mbledhur në frazën:
"Vërtet, punët varen nga qëllimet".
Dhe këto përfshihen në tërë dijen.
Imam Ahmed ka thënë:"Baza e Islamit janë tri hadithe:
1. Hadithi i Umerit:"Punët varen nga qëllimet..."
2. Hadithi i A'ishes:"Kushdo që shpik në këtë çështje tonën diçka që s'është prej saj, do t'i refuzohet".
3. Hadithi i Nu'man ibn Beshir:"Hallalli dhe harami janë të qarta ..."
El-Hakim ka thënë:"Na është transmetuar nga Abdullah ibn Ahmed se babai i tij kishte përmendur thënien e të Dërguarit 'Punët varen nga qëllimet ...', thënien e tij 'Vërtet, krijimi i secilit prej jush bashkërendohet në barkun e nënës për dyzet ditë ...', si dhe thënien tij 'Kushdo që shpik në këtë çështje tonën diçka që s'është prej saj, do t'i refuzohet', dhe kishte thënë:'Çdo libër duhet të fillojë me këto hadithe, sepse këto janë baza e Hadithit'".
Is'hak ibn Reheuej ka thënë:"Katër hadithe janë baza e fesë:
1. Hadithi i Umerit:"Punët varen nga qëllimet ..."
2. Hadithi [i Nu'man ibn Beshir]:"Hallalli dhe harami janë të qarta ..."
3. Hadithi [i Ibn Mes'udit]:"Vërtet, krijimi i secilit prej jush bashkërendohet në barkun e nënës për dyzet ditë ..."
4. Hadithi [i A'ishes]:"Kushdo që shpik në këtë çështje tonën diçka që s'është prej saj, do t'i refuzohet".
Ebu Daud ka thënë:"Shqyrtova hadithet nga i dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam] dhe gjeta që ato ishin [afërsisht] katërmijë. Shqyrtova më tutje dhe gjeta që këto katërmijë vërtiten rreth katër haditheve:
1. Hadithi i Nu'man ibn Beshir:"Hallalli dhe harami janë të qarta ..."
2. Hadithi i Umerit:"Punët varen nga qëllimet ..."
3. Hadithi i Ebu Hurejres:"Vërtet, Allahu është i mirë dhe nuk pranon gjë tjetër veç të mirës. Dhe Allahu i ka urdhëruar besimtarët me të njëjtat gjëra që i ka urdhëruar të Dërguarit ..."
4. [Hadithi i Ebu Hurejres]:"Shenjë e njohjes së Islamit është lënia e asaj që nuk të hyn në punë".
Më pas, ai tha:"Secili nga këto katër hadithe paraqet çerekun e dijes".
Po ashtu, është transmetuar se Ebu Daud ka thënë:"Kam shkruar 500 000 hadithe nga i dërguari i Allahut [salallahu alejhi ue selam]. Prej tyre kam zgjedhur ato që janë përfshirë në këtë libër [dmth Sunen Ebu Daud]. Në të kam përmbledhur 4 800 hadithe, kurse njeriut do t'i mjaftonin për fenë e tij katër prej tyre:
1. "Vërtet, punët varen nga qëllimet ..."
2. "Shenjë e njohjes së Islamit është lënia e asaj që nuk të hyn në punë".
3. "Njeriu s'mund të jetë një besimtar i vërtetë, derisa të mos pranojë për vëllain e vet atë që pranon për vete".
4. "Hallalli dhe harami janë të qarta ..."
Në një tjetër transmetim, ai ka thënë:"Fikhu vërtitet rreth pesë haditheve:
1. "Hallalli dhe harami janë të qarta ..."
2. "Le të mos bëhet dëm e as të mos ketë dëm të ndërsjellët".
3. "Vërtet, punët varen nga qëllimet ..."
4. "Feja është sinqeritet ..."
5. "Atë që jua kam ndaluar, lëreni; atë për çfarë ju kam urdhëruar, bëjeni aq sa të keni mundësi ..."
Në një tjetër transmetim:"Baza e Sunen-it në çdo shkencë janë katër hadithe:
1. "Vërtet, punët varën nga qëllimet ..."
2. "Hallalli dhe harami janë të qarta ..."
3. "Shenjë e njohjes së Islamit është lënia e asaj që nuk të hyn në punë".
4. "Bëhuni asketë në këtë jetë, Allahu do t'ju dojë. Bëhuni asketë ndaj asaj që posedojnë njerëzit, do t'ju duan njerëzit".
El-Hafidh Ebul-Hasen Tahir el-Endelusi është shprehur në një poemë:
'Për bazë të fesë kemi katër hadithe nga më i miri njeri.
Mënjano dyshimet, ji asket dhe lëre atë që nuk të hyn në punë.
Dhe bëj një qëllim, kur të veprosh'.
Krijoni Kontakt