Secila parti e pavarur do të garojë në zgjedhjet e ardhshme vendore. Tre kandidatë janë të partive politike shqiptare BDI-së, PDSH-së dhe Demokracisë së Re.
Me kandidatët e tyre do të paraqiten edhe VMRO-DPMNE-ja, dhe Partia për Ardhmëri evropiane e Fiat Canoskit, kurse LSDM-ja ende nuk është prononcuar. Pikërisht kjo mund t'i komplikojë llogaritë dhe Struga e cila është me popullatë dominante shqiptare, mund të mos ketë kryetar komune shqiptar. Me regjistrimin e fundit të, 51 për qind e popullatës ne Strugë janë shqiptarë, 36 për qind maqedonas, por nuk duhet të nënçmohet as numri i torbeshëve, votat e të cilëve mund të jenë vendimtare. Atyre i prinë Fiat Canoski i Partisë për Ardhmërui Evropiane i cili thotë se do të paraqitet në mënyrë të pavarur në zgjedhje.
"Spekulimet se ne ishim në marrëveshje për koalicion me VMRO-DPMNE dhe me disa parti të tjera nuk janë të sakta. Kishte bisedime me parti të caktuara se duhej t'i jepej mbështetja ndonjë kandidati të caktuar. Ne menduam se ato janë opsione që nuk janë të pranueshëm për ne", deklaroi Fiat Canoski, kandidat për kryetar komune i PAE.
"Anëtarësia ishte e një mendimi se duhet të shkohet me kandidat maqedonas nga VMRO-DPMNE-ja për kryetar të komunës së Strugës. Ne jemi në koalicion me Partinë për Ardhmëri Evropiane, dhe presim që koalicioni të funksionojë në rrethin e dytë zgjedhor", theksoi Slavko Kotevski, kandidat i VMRO-DPMNE-së.
Kryetari aktual i komunës, Ramiz Merko nga BDI-ja, i cili për herë të dytë do ta kërkojë mandatin nga qytetarët thotë se është për një garë korrekte dhe se nuk i nënçmon asnjërin nga kundër-kandidatët.
"Do të shpalosim programin të cilin e kemi krijuar si subjekt politik, si BDI. Do ti fusim të gjitha përvojat që i kemi krijuar në mandatin që po e lëmë. Do të përfshijnë edhe projekte tjera me synimin për të realizuar edhe projekte të tjera që shkojnë në interes të gjithë popullatës së Strugës", tha Ramiz Merko, kandidat i BDI-së.
Biznesmeni Mendi Qyra i PDSH-së është kundër-kandidat i Merkos. Ai konsideron se qytetarët dinë të zgjedhin se çka është më së miri për qytetin e tyre.
"Ndër problemet kryesore në Strugë janë urbanizmi dhe turizmi dhe për këtë aspekt unë kam një përvojë mjaftë të madhe dhe këtë e dinë gjithë qytetarët e Strugës. Mendoj se kësaj radhe do të më japin besimin dhe unë do ti menaxhoj mirë të gjitha gabimet që janë bërë gjatë katër viteve të kaluara", potencoi Qyra.
Edhe partia e Selmanit, Demokracia e Re do të marrë pjesë me kandidatin e vet, ish-ministrin e Drejtësisë, Xhevdet Nasufin.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Strugë BDI fitoi 6.900 vota, VMRO-DPMNE 7.100, PDSH 5.000, derisa PAE 4.600 vota.
Miki Trajkovski
ALSAT-M
Krijoni Kontakt