Pjesen e meposhtme e kam shkeputur nga libri "Te Mjeret" (ose "Les Miserables", sic njihet) te shkrimtarit (tim te preferuar) Victor Hugo.
Keto pak rreshta jane thurrur ne menyren me te jashtezakonshme dhe shprehin me se godituri realitetin e te gjitha shoqerive ne bote. Mendova t'i ndaja me ju, duke mirepritur cdo lloj opinioni, dhe per te diskutuar.
* * *
S’ka njeri më të keq se ai që përgjon dhe fut hundët kot në veprimet e të tjerëve. “Pse filan zotëri vjen gjithmonë në të errur?”, “Pse filani nuk e var kurrë çelësin në gozhdë të enjteve?”, “Pse shtegton gjithmonë rrugicave?”, “Pse filan zonjë zbret nga karroca përpara se të arrijë në shtëpinë e vet?”, “Pse dërgon t’i blejnë një fletore për letra, kur ajo të tilla ka në shtëpi sa të hajë qeni?”, etj., etj. Ka asi njerëzish, të cilët, për të gjetur çelësin e këtyre enigmave, që nuk hyjnë aspak në punë, shpenzojnë më shumë të holla, më shumë kohë, heqin më shumë keq nga sa do të duhej për të bërë dhjetë punë të mbara; dhe këtë e bëjnë krejt falas, nga qejfi, vetëm e vetëm se i bren kureshtja nga brenda. Do të venë e t’i bien pas e ta gjurmojnë të birin apo të bijën e botës me ditë të tëra, do të rrijnë të bëjnë rojë e të përgjojnë me orë të tëra qosheve të rrugëve, nën qemeret e portave, natën, në të ftohtë e në shi, do të shtien kallauzë pas kallauzësh, do t’u japin të pinë e do të dehin karrocierë e shërbëtorë, do të blejnë ndonjë shërbyese, do të shtien në dorë ndonjë portier. E përse? Për asgjë. Kjo është një vardisje këmbëngulëse për të parë, për të mësuar dhe për të futur hundët në punët e të tjerërkujt. U ha goja për të folur. Dhe shpesh këto sekrete të njohura, këto enigma të zgjidhura shkaktojnë katastrofa, dyluftime, falimentime, rrënim familjesh, shkatërrim jetësh dhe u sjellin gëzim të madh atyre që kanë “zbuluar gjithçka” pa asnjë interes, por vetëm nga instinkti. Ç’gjë e trishtuar!
Një palë njerëz janë të këqij vetëm e vetëm për shkak se s’u rrihet pa folur. Bisedimi i tyre, kuvendimi në sallon, llafet në dhomën e pritjes, janë si ata oxhakët që i djegin shpejt drutë; atyre u duhet shumë lëndë djegëse; dhe kjo lëndë djegëse është fqinji, i afërmi.
Shkëputur nga Të Mjerët, f. 218, Vëll.1, Victor Hugo
(Botimi në shqip i vitit 1982)
Krijoni Kontakt