Kryeministri Hashim Thaçi kërkoi të premten nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Jagcilar, që të bëjë një raport për periudhën 2004-2007, lidhur me shpenzimet e shpronësimit të banorëve të fshatit Hade, për të cilat ekzekutivi beson se ka pasur parregullsi të shumta.
Kryeministri tha e se në këtë projekt, që nga vitit 2004 janë shpenzuar më shumë se 20 milionë euro të Buxhetit të Kosovës, ndërsa procesi nuk është përmbyllur. Madje, sipas Thaçit, nga ky buxhet janë ndërtuar banesa të ndryshme në Prishtinë që akoma nuk kanë titullar.
Këto deklarata, kryeministri kosovar i bëri gjatë mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës. “Atje janë shpenzuar rreth 20 milionë euro nga viti 2004 deri më 2007. Ka lëshime të mëdha që kanë ndodhur në shpronësimin e pronave, madje edhe keqpërdorime. Ka objekte në Prishtinë, pa pronarë, nuk dihet se të kujt janë, kush është pronari, të gjitha këto janë bërë prej këtij fondi 20-milionësh”, tha kryeministri Thaçi.
Ai theksoi se Ekzekutivi nuk mund t’i mbyllë sytë para 20 milionë euro keqpërdorimeve që kanë ndodhë në procesin e eksproprijimit dhe kompensimit të pronave në Hade. “Ne nuk mund t’i mbyllim sytë qoftë edhe për 1 cent të keqpërdorur nga buxheti i vendit”.
Këto paqartësi ndikuan që kryeministri ta heqë nga rendi i ditës propozimin e KEK-ut që t’i lejohet inicimi i procedurës së eksproprijimit dhe kompensimit të pronave në fshatin Hade.
Kryeministri tha se nuk mund të shkohet më tej në këtë lokacion, pa e qartësuar fatin e 20 milionë eurove të shpenzuara. Ai e porositi ministrin e MPMH-së që ta përgatisë me shkrim raportin dhe ta dorëzojë sa më shpejt.
Fshati Hade, në afërsi të mihjeve sipërfaqësore të thëngjillit që shfrytëzohen nga termocentralet e Kosovës, ishte shpallur nga Qeveria e kaluar si zonë e interesit të veçantë, dhe njëkohësisht e rrezikshme për banim.
Banorët fillimisht kishin kundërshtuar të lëshojnë fshatin, por me urdhër ekzekutiv të qeverisë dhe më ndihmën e policisë, të gjitha familjet janë zhvendosur. Qeveria ka marrë obligim që t’u krijojë vendbanim deri në kompensimin e të gjitha pronave. Mirëpo deri më tani ky proces është përcjellë me shumë konfuzione.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria diskutoi edhe për rregullimin e procedurave të furnizimit me mallra dhe shërbime për ambasadat e Kosovës. MPJ-ja mori pëlqimin që të procedojë çështjen në Agjencisë për Prokurimin Publik dhe në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.
Krijoni Kontakt