Në datën 16 janar, në Tiranë u mbajt Forumi për Dialogun Ndërfetar në Evropën Juglindore, nën kujdesin e Kryeministrit, z. Sali Berisha dhe në kuadër të Aleancës së Qytetërimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Shqipëria, si një shembull shumë shekullor i harmonisë, bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërfetar, që simbolizohet më së miri nga fryma e respektit të thellë mes katër komuniteteve kryesore fetare të vendit, atij mysliman, orthodhoks, bektashian dhe katolik, e mori këtë iniciativë me qëllim institucionalizimin e një mekanizmi takimesh periodike mes vendeve të Evropës Juglindore, ku nëpërmes dialogut konstruktiv të bëhet i mundur shkëmbimi i eksperiencave pozitive në drejtim të bashkëpunimit ndërfetar, ndëretnik dhe ndërkulturor në rajon.
Të pranishëm në këtë forum ishin përfaqësues të qeverive të Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, OSBE-ODIHR, UNESKO, të Trupit Diplomatik etj.
Në emër të Kryeministrit, përshëndeti, Zv.Kryeministri, z. Genc Pollo, ndërsa takimi u drejtua nga ministri i jashtëm, z. Lulzim Basha.
Një vend të rëndësishëm zuri dhe fjala e katër përfaqësuesve kryesorë të feve në Shqipëri, mesazhi i të cilëve zgjoi interes të veçantë tek të pranishmit, mes të cilëve, në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përshëndeti takimin Kryepiskopi Anastas.
Forumi miratoi në fund Deklaratën e Tiranës. Në këtë dokument parashikohet rritja e bashkëpunimit ndërfetar, ndëretnik dhe ndërkulturor në rajon, në katër fusha kryesore si ajo e arsimit, të rinisë, emigracionit dhe medias. Në Deklaratë parashikohet mbajtja e takimeve të tilla një herë në dy vjet.

Thoma Dhima