Fondi Monetar Ndërkombëtar publikon një raport alarmant për krizën botërore. Sipas tij, ekonomia botërore do të pësojë rënien më të madhe që pas Luftës së Dytë Botërore gjatë 2009. Një rimëkëmbje e saj pritet vetëm në vitin 2010
Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, viti 2009 do të shoqërohet nga një rënie të konsiderueshme ekonomike. Gjatë këtij viti, bota do të ketë një rritje ekonomike vetëm me 0.5%, ndërkohë që një situatë e tillë nuk rezulton që prej viteve të Luftës së Dytë Botërore. FMN-ja ka arritur në përfundimin se situata e kredidhënies në të gjithë botën është rënduar dhe kjo ka rritur akoma më shumë kostot e krizës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se kriza ekonomike globale do të kushtojë 2.2 miliardë dollarë nga 1.4 miliardë që parashikohej kjo kosto në muajin tetor. Kështu, raporti i FMN-së evidenton se rritja ekonomike në eurozonë për këtë vit do të pësojë një rënie prej 2 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm rritja parashikohet të jetë vetëm 0.2 për qind. Ekonomia amerikane do të pësojë një rënie prej 1.6 për qind gjatë 2009-ës, ndërsa vitin e ardhshëm do të rritet po në këtë masë. Gjermania do të përfshihet këtë vit nga rënia e ekonomisë që vlerësohet 2.5 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm rritja do të jetë vetëm 0.1 për qind. Rënia e ekonomisë italiane përllogaritet për vitin 2009 në masën 2.1 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm rënia do të jetë vetëm 0.1 për qind.
FMN-ja vlerëson në raport se sistemi financiar global ndodhet ende nën presion dhe kësaj i shtohet edhe përkeqësimi i ekonomisë reale. “Rikthimi i besimit dhe funksionimit të sektorit financiar është kusht i domosdoshëm për rimëkëmbjen e ekonomisë”- nënvizohet në raportin e FMN-së. Në këto kushte, Fondi Monetar thekson se duhen marrë masa agresive nga qeveritë. Receta që jepet nga FMN-ja bazohet në tri forma për të ndërhyrë. Masa e parë synon pastrimin e bilanceve nga humbjet, ndërhyrja e dytë parashikon injektimin e likuiditeteve për të garantuar funksionimin e tregjeve dhe masa e tretë është mbështetja direkte me kapital e kompanive që janë prekur tashmë nga kriza. Fondi Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se nevojitet një reagim ndaj krizës në nivel global.
Sipas parashikimeve të FMN-së, kriza ekonomike botërore do të ketë një kosto prej 2.2 bilionë dollarësh.
Vetëm dy javë më parë, përfaqësuesja e përhershme e FMN-së në Shqipëri, Ann-Margaret Westin ka deklaruar se efekti i krizës globale ka filluar të ndihet edhe në Shqipëri, duke marrë për bazë ngadalësimin e kërkesës për eksporte, dërgesat e emigrantëve dhe ngadalësimin e investimeve. Westin ka paralajmëruar dhe ka këshilluar qeverinë të tregohet sa më e kujdesshme dhe të tregojë maturi për një politikë fiskale më të kujdesshme gjatë vitit 2009 në krahasim me 2008-ën.
Krijoni Kontakt