Fatmira Nikolli
Dje u mbajt Simpoziumi Shkencor Ndërkombëtar me temë: "Problemi çam sot dhe trashëgimia e Abedin Dinos". Në të u lexuan kumtesa të karakterit historik, politolog, juridik e diplomatik që lidhen me çështjen çame dhe të minoriteteve të tjera në Greqi. Në këtë aktivitet mbajtën kumtesa rreth 30 studiues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Anglia, Turqia, Greqia etj, si akademiku Beqir Meta, drejtori i Institutit të Studimeve për Çamërinë, Gazmend Haxhia, kryetari i shoqatës "Çamëria", Ardian Tana, kryetari i PDI-së, Tahit Muhedini, dr.Lisien Bashkurti, dr.Petrit Kasemi, prof.dr. Ali Arslan, prof.dr.Deniz Ekinci etj. Ai u organizua nga Instituti i Studimeve për Çamërinë, shoqata patriotike "Çamëria" dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim. Qëllimi i aktivitetit ishte sjellja e një kontributi për zgjidhjen e çështjes çame sot në kushtet e integrimit rajonal, e gjithashtu përkujtimi i rilindësit të madh shqiptar nga Çamëria, Abedin Dino me rastin e 165-vjetorit të lindjes.
Çamët
Prof.i asc dr.Deniz Ekinci në Universitetin e Stambollit, ka folur për problemet e minoriteteve në Greqi dhe minoritetin shqiptar të çamëve. Qëllimi i paraqitjes së prof. Ekinci ishin reformat politike dhe socialekonomike që janë ndërmarrë në Greqi para viteve 1990 dhe analizimi i impaktit të tyre në komunitetin shqiptar dhe të drejtat e tyre. Shteti grek sipas tij ka disa parime mbi argumentet që kanë të bëjnë me politikat ndaj minoritetit. Sipas Greqisë, shteti i tyre ka vetëm një racë ose origjinë. Artikulli i shekullit të 19-të mbi ligjin e qytetarëve grekë thotë se ata që nuk kanë origjinë helenistike mund të privohen nga qytetaria greke. Kur shteti grek u krijua në vitin 1830, përmbante katër grupe etnike: grekët, shqiptarët, turqit dhe ulahët. Shteti grek ka minoritete të etnive, besimeve fetare dhe të folurave gjuhësore dhe kulturore të ndryshme. Sidoqoftë këto minoritete nuk patën asnjëherë administrim të mirë nga administrata greke dhe nuk kanë mundur të kenë të drejtat e tyre si minoritarë, as si qytetarë. Greqia po implementon një presion të pabesueshëm mbi çamët për t'i asimiluar. "Një prej elementëve shqiptarë janë arvanitasit e asimiluar nga grekët. Minoriteti çam që jeton në territorin grek është po ashtu viktimë e politikës kundranacionaliste dhe asimiluese të shtetit helen", - tha ai.
Një lloj genocidi
Zhdukja e etnisë dhe ndryshimi i emrave të strukturave demografike është një tjetër lloj genocidi. Emrat shqiptarë që i kishin qytetet, fshatrat, lumenjtë dhe malet, janë ndryshuar sipas prof. Ekinci, i cili shton se kjo është bërë për të eliminuar çdo gjë që kishte origjinë shqiptare. Administrata greke jo vetëm që iu mori minoriteteve të drejtat e tyre për të menaxhuar dhe kontrolluar themelet e tyre, por gjithashtu mori edhe pronat. Duke marrë në konsideratë çështjen se Greqia i tregon Greqisë dhe elementë të tjerë etnikë se ata kanë ardhur dhe kanë origjinë greke. Si konkluzion i kësaj, mbrojtja e minoriteteve në Greqi nuk ofron akoma homogjenitet. "Grekët kanë njohur minoritetet e tyre linguistike dhe religjioze dhe kanë krijuar kushtet bazë për konservimin dhe zhvillimin e këtyre gjuhëve dhe besimeve. Shteti grek duhet të zgjidhë problemin e minoriteteve dhe besimeve, gjuhëve, kulturave e të etnive në Greqi. Duhet të zvogëlojnë politikat ndaj minoriteteve. Duhet ta admirojnë minoritetin dhe të drejtat e tij. Shteti grek duhet të pranojë minoritetet si qytetarë me të drejta të barabarta me të gjithë njerëzit e tjerë", - tha prof.Ekinci.
Ndikimi grek në Shqipëri
Sa emergjente ishte ideja e shkollimit në Shqipëri? Kjo është pyetja që ka shtruar dje në simpoziumin shkencor mbi çamët prof. Ali Arslan nga Universiteti i Stambollit. Ai ka folur mbi shkollimin shqiptar gjatë kohës së sundimit otoman në vendin tonë, por është shprehur se Patriarkana Ortodokse ka qenë më efektive se shteti otoman në edukimin sipas një stili të ri evropian të shkollave veçanërisht në jug të Shqipërisë. "Për shembull, kanë qenë 80 shkolla të shtetit otoman dhe 160 shkolla greke në Gjirokastër, Berat dhe Vlorë, të cilat ishin edhe sanxhakët e vendit. Burrat e zgjuar shqiptarë u shqetësuan nga grekëzimi i çamëve dhe filluan të vepronin", - thotë ai. Ai jep si shembull Hoxha Hasan Tahsin, i cili njihet si rektori i parë i Universitetit të Stambollit, i cili ishte me origjinë nga Ninati në Çamëri. Tahsin u përpoq që të hapte një shkollë shqiptare në Berat dhe për këtë u arrestua në Delvinë. Edukimi primar ishe ai fetar, sipas prof.Arslan. Fëmijët edukoheshin në gjuhët e besimeve të tyre. Shkolla e parë shqiptare u hap më 7 mars 1887. Ishte një shkollë ku studentët shqiptarë studionin pavarësisht besimeve të tyre fetare. Në të njëjtin vit, sistemi i shkrim-këndimit në Shqipëri filloi edhe në fshatra si Polena dhe Luaras. Petro Nini Luarasi filloi të jepte mësim në shqip falas për nxënësit nga Kolonja. Jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit studiuan në shkollë. "Liderët shqiptarë vepruan për të vënë një administratë autonome në vendin e tyre dhe donin që gjuha shqipe të ishte ajo zyrtare. Për këtë atyre iu desh të kundërshtonin Qeverinë Osmane dhe kjo shkaktoi një reagim nga kjo e fundit. Si rezultat i këtyre veprimeve, disa prej shkollave që jepnin mësim në Shqipëri dhe Çamëri u mbyllën. Rreth një vit më vonë, gjatë periudhës së Konstitucionalistëve, një shkollë shqiptare u hap në Elbasan në gusht 1908, e më pas edhe shumë shkolla të tjera u themeluan në jug të vendit. Shteti turk vendosi të ishte objektiv në këtë rast", - shton Prof. Arslan. Sipas tij, çdokush ishte i lirë të preferonte alfabetin shqiptaro-latin ose atë arabo-latin. Qeveria otomane lajmëroi që të gjitha provincat mbi këtë vendim të marrë në 3 shkurt 1910. Kisha ortodokse greke u përpoq që të ndalonte themelimin e shkollave ku jepej mësim shqip në jug të Shqipërisë dhe në territorin çam. Përse shteti turk mendoi për shkollat shqipe? A i mbështeti ai ato financiarisht? A i financoi botimet në shqip qeveria osmane? Këtyre pyetjeve të shtruara prej tij, ai nuk iu përgjigj. Si pas tij si përfundim, kur shqiptarët deklaruan pavarësinë e tyre në vitin 1912, alfabeti latino-shqiptar u mor nga shteti osman.
GSH
Krijoni Kontakt