Tiranë, 20 janar 16:29 NOA - Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”, përktheu dhe botoi në gjuhën shqipe librin “Historia e letërsisë perse” të autorit iranian Ahmed Tamimdari.
Botimi i këtij libri bëhet me rastin e shpalljes të vitit 2009-të nga ana e Unesco-s si viti botëror i gjuhëve.

Duke patur parasysh kapacitetet e pranisë dhe të kaluarës të letërsisë perse në trojet shqiptare, ky libër mendohet të shërbejë si një burim i përshtatshëm për të interesuarit dhe hulumtuesit shqipfolës të rajonit.

ibri në fjalë u përkthye nga Abdullah rexhepi, student shqiptar që vazhdon studimet për doktoraturë në gjuhë dhe letërsinë perse në Iran. Redaktimi i librit është bërë nga prof.dr Jorgo Bulo, një nga figurat më të shquara të gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në parathënie të këtij libri të drejtorit të fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”,z. Shahrouz Falahatpisheh lexojmë:

“...Letërsia perse është një thesar i madh dijesh dhe njohurish. Kjo letërsi ka mundur më së miri që të ruajë mësimet e saj dhe ti përcjellë ato te popujt, te kulturat dhe qytetërimet e tjera botërore. Kudo që ka depërtuar kjo letërsi, opinioni publik kulturor i atij vendi jo vetëm që e ka përqafuar vullnetarisht dhe me dëshirë këtë letërsi, por më së miri e ka shfrytëzaur duke pasuruar thesarin e njohurive të letërsisë së vet. Në shumë vende të botës edhe pse s’ka pasur ndonjë institucion kulturor iranian, që të përkthente, të botonte dhe të promovonte vepra nga letërsia perse, u vu re se shumë prej veprave të letërsisë iraniane ishin përkthyer dhe botuar, në mënyrë të vullnetshme dhe të vetvetishme, nga intelektualët dhe nga elita kulturore së shoqërisë së vendeve përkatëse. Letërsia perse është e njohur edhe në Shqipëri; shoqëria dhe kultura shqiptare e kanë njohur këtë letërsi para më shumë se gjysmë shekulli.

epra të letërsisë perse si “Gjylistani dhe Bostani” i Sadiut, pjesë të zgjedhura nga “Shah Nameja” e Firdeusit, “Rubairat” e Omar Khajamit në këtë vend janë përkthyer dhe botuar në mënyrë të vetvetishme.”

Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” shpreson që përkthimi dhe botimi i librit “Historia e letërsisë perse”, të krijojë mundësinë që lexuesi shqiptar të njihet më shumë me brendinë e letërsisë perse dhe të përfitojë sa më tepër prej saj.

Ky botim është një hap tjetër i këtij fondacioni në rrugën e forcimit të marrdhënieve kulturore dhe në përçimin e mesazhit të miqësisë ndërmjet dy popujve, qytetërimit dhe kulturës iraniane në Shqipëri.