Skema e re e kompensimit. Kreu i AKP-së: Nesër mbaron verifikimi i 740 dosjeve. Brenda muajit jepen paratë nga fondi prej 5 milionë USD

Brenda këtij muaji do të përfundojë kompensimi financiar për ish-pronarët. Kjo deklaratë bëhet nga kryetari i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, i cili gjatë një prononcimi për "Shqip" sqaron procedurën që do të ndiqet nga agjencitë për të shqyrtuar dosjet e depozituara nga ish-pronarët deri më tani. Sipas Vatnikajt, deri më tani në rang vendi janë të depozituara 740 dosje, të cilat po rishqyrtohen dhe deri ditën e hënë, ky proces duhet të ketë përfunduar. Pas përfundimit të procesit të shqyrtimit të kërkesave të ish-pronarëve nga Agjencitë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të nisë përllogaritja e parave që do të përfitojnë pronarët nga kompensimi. Shuma e lëvruar për vitin 2008 është 5 milionë dollarë, e cila sipas kryetarit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ende nuk është shpërndarë. Gjatë përllogaritjes, tha Vatnikaj, do të përcaktohen saktësitë për të mos krijuar asnjë mosmarrëveshje, numri i përfituesve nga kjo shumë, si dhe sasinë që do të përfitojë gjithsecili për pronën e tij. Nga ky kompensim do të përfitojnë ata pronarë, të cilët dosjet e tyre i kanë nisur për shqyrtim që në 1993-1994, pra janë ndër të parët. Dosje të cilat janë të kopsitura saktë dhe pa probleme në dokumentacionin e kërkuar nga agjencitë e kthimit dhe kompensimit të pronave si në Tiranë ashtu edhe në rrethet përkatëse. Në bazë të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve, duhet të realizohen paralelisht të dyja proceset, si ai për kthimin fizik të pronës, ashtu dhe ai për kompensimin financiar. Por në bazë të ligjit, ish-pronarët përfitojnë kompensim financiar vetëm për 200 metra katrorë truall dhe jo për tokat bujqësore. Ndërsa pjesa tjetër i kompensohet me një pronë fizike, që merret nga fondi i tokave të lira, i miratuar nga qeveria. Afati për përfundimin e procesit të kompensimit financiar apo fizik të ish-pronarëve në ligj është parashikuar viti 2014. Përgjatë tre viteve të qeverisjes së demokratëve, qeveria ka akorduar një fond prej 1.5 miliardë lekësh për kompensimin financiar të pronarëve, ndërkohë që procesi i kompensimit fizik nuk ka filluar ende.

Privatizimet

Ligji i ri për buxhetin e shtetit ka sjellë ndryshime të rëndësishme në krijimin e një fondi shtesë në mbështetje të ish-pronarëve. I kërkuar me forcë nga deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, Ministria e Financave pranoi ndryshimet që do i bënin ndarjes së të ardhurave nga privatizimet. Më parë, të ardhurat nga ky zë shkon 50 për qind për të shlyer borxhin publik, ndërsa pjesa tjetër për investime. Tani nga pjesa e privatizimeve do të merren 10 për qind e fondit, i cili do të përdoret për ish-pronarët dhe ish-të të përndjekurit politikë. Në këtë pikë, për vitin 2009, kreu i AKKP-së, Tunxh Vatnikaj, sqaron se do të krijohet shtesë një fond prej 25 milionë eurosh, i cili do të ndahet në dy pjesë mes ish-pronarëve dhe ish të përndjekurve. Për ish-pronarët, që i bie 12.5 milionë dollarë do të bashkohet edhe fondi i parashikuar nga buxheti i shtetit që është rreth 600 milionë lekë. Pra, në total, për këtë kategori do të vihen në dispozicion rreth 2 miliardë lekë ose 22 milionë dollarë. Për momentin, AKKP-ja po merret me shpërndarjen e fondit që i takonte vitit 2008. Gradualisht, në çdo vit qeveria parashikon ta rrisë fondin për ish-pronarët me 100 dhe 200 milionë lekë, por fatura financiare për shlyerjen e të gjithë detyrimit nuk jep shumë kohë në dispozicion të procesit. Fatura shkon në rreth 4.5 miliardë dollarë, ndërsa qeveria çdo vit ndan rreth 6 milionë dollarë. Pra, me këto ritme, procesi rrezikon të zgjasë edhe për ca dekada të tjera.

Shumat e akorduara nga qeveria


2005

Në vitin 2005, qeveria miratoi një fond prej 200 milionë lekësh për kompensimin e ish-pronarëve


2006

Në 2006-n, qeveria miratoi një fond prej 300 milionë lekësh, për kompensimin e ish-pronarëve


2007

Në vitin 2007, qeveria miratoi një fond prej 500 milionë lekësh dhe ky për kompensimin e ish-pronarëve


2008

Në vitin 2008, qeveria miratoi një fond prej 500 milionë lekësh, i cili pritet të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve

Burimi