Organizohet nga Drejtoria e Politikave Rinore në bashkëpunim me Drejtorinë e Arteve dhe Letrave

Tiranë, 18 janar 21:12 NOA - Drejtoria e Politikave Rinore në bashkëpunim me Drejtorinë e Arteve dhe Letrave, kanë nisur programin "Të rinjtë pranë librit".

Në axhendën e programit përfshihen takime dhe tryeza të hapura mes gjimnazistëve të gjimnazeve të Tiranës me shkrimtarë dhe studiues e kritikë të njohur letërsisë shqipe.

Do të përzgjidhen shkrimtarë të suksesshëm në Shqipëri dhe jashtë saj, të cilët dy herë në javë do të mbajnë një seminar për nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës në mjediset e MTKRS.

Ky program mbahet në kuadër të zbatimit të politikave kulturore të qeverisë, mbështetjes ndaj librit, dhe nxitjes së të rinjve për të qëndruar më pranë botës së letrave.

Takimet e shkrimtarëve me të rinjtë, sikundër konsideron MTKRS, do të ofrojnë mundësi të reja për shkëmbim informacioni dhe për krijimin e urave lidhëse midis nxënësve të shkollave të mesme dhe shkrimtarëve të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj.

Programi "Të rinjtë pranë Librit " synon t’i përcjellë të rinjve mesazhin se vlerat e mirëfillta universale , qëndron te libri dhe se dija është rruga më e shkurtër e integrimit evropian të mbarë shoqërisë.

Kjo nismë i shërben nxitjes së krijimtarisë tek të rinjtë dhe ndërgjegjësimit të tyre për rëndësinë që ka leximi në botëkuptimin dhe zhvillimin e kulturës individuale.

Përmes kësaj mbështetje jemi te bindur se i shërbejmë edukimit

kulturor të shoqërisë ,nxisim leximin dhe marrëdhëniet me librin duke bërë të mundur integrimin intelektual të individit dhe më pas i tërë shoqërisë.

Finalizimi i projektit do të jetë dhurimi i librave artistik bibliotekave të të gjithë gjimnazeve të Tiranës nga MTKRS.