Pse o mall më trete fare!
(Elegji kushtuar motrës time ZH. Ç.(B) )
Pse o mall më trete fare?
U bënë vite pa të parë.
Mbeti koka në dritare,
Loti faqeve s'është tharë.
Rri të pres,të vish pa ndjerë,
Të të shoh si ke ndryshuar,
Të të flas si dhe njëherë,
Të më thuash si ke shkuar.
Pres të bjerë një celular,
Të dëgjoj zërin e ëmbël,
Të dëgjoj fjalën "derman"
Të më futet thellë në zemër.
Pse o mall më trete fare
Dhe ma le motrën në varre?
Thuaji të vij pak tek unë,
Veç t'i flas nuk kam shumë punë.
Sa t'i shikoj sytë e bukur,
Atë buzëz të qeshur
Ta mbaj në duar,si një flutur,
Ta shikoj si është veshur.
T'i them të braktisë varret,
Të vijë këtu me ne,
Se loti këput dhe malet,
Jemi tretur për mbi dhe.
Më duket sikur ke humbur,
Dëgjoj zhurmë dhe potere,
Ngrihem natën i përgjumur;
Ti sikur rri mbrapa dere.
Bëhet zhurmë për të të parë,
Presin ty për të takuar,
Të gjithë vënë në radhë,
Ditë e natë rrinë zgjuar.
S'të besojnë që ke vdekur,
Vetëm kur vijnë tek varri,
Largohen të gjith të heshtur,
Faqet lagur nga i qari.
Si mund të durojë nëna,
Kur i ka ikur e bija!
Gdhihet ngryset tek divani,
Lutet Zotit :"Sillma Zh......in"
Kush të çoi ty në varreza
Dhe të shkëputi nga mua?
Më le qyqe me të zeza,
Dhe burrin tënd pa grua.
Mall,o mall,mendohu mirë,
Se është një ditë e tërë,
Mos më gënje në të gdhirë,
M'i le punët gjithë pa bërë.
Më thuaj që do të vijë,
Ta mbledh këtu njerëzinë.
T'i njoftoj menjëherë,
Të vijnë njerëz nga çdo derë.
Mall,o mall ti mos u tall,
Mos më bëj mua tellall.
T'i thërras sa herë më thua,
Kurrë s'mendoke për mua?
Merre njëherë seriozisht,
Sillma pranë të vërtetën,
Do të vijë a s'do të vijë,
A ta gjëj vetë Zh......ën?
Eja, mall ,edhe më zgjo,
Po flë me syrin pa shuar.
Dhe pa dritë e dalloj....
Vetëm sill atë që dua.
Mall,o mall,më çmënde fare,
Na le larg,kaq të brengosur,
Mbetëm duke qarë në varre,
Durimi na është sosur.
Si mund të shërohet plaga,
Kur ilaçi nuk e mbyll?
Dhe të zërë kore nga brënda,
Malli prap pikon si dyll.
Krijoni Kontakt