Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu priti të enjten Ambasadoren e Francës në Kosovë Delphine Borione, me të cilën ka biseduar për aktualitetin politik dhe zhvillimet e përgjithshme në Kosovë.
“Me këtë rast Borione shprehu edhe një herë përkrahjen e Francës për Kosovën duke theksuar se Franca do të vazhdojë mbështetjen e përhershme për Republikën e Kosovës dhe për qytetarët e saj në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe realizimin e vizionit të saj drejt integrimeve euroatlantike”, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës për Informim të Presidentit të Kosovës.
Nga ana tij, thuhet se Presidenti Sejdiu falënderoi Ambasadoren Borione dhe Republikën e Francës për mbështetjen e rëndësishme që i është dhënë Kosovës në proceset e gjertanishme në rrugën e lirisë dhe të pavarësisë dhe të ndërtimit të shtetit demokratik për të gjithë qytetarët.
“Presidenti Sejdiu nënvizoi rolin e rëndësishëm që ka luajtur Franca në udhëheqjen e BE’së dhe përkushtimin e saj për Kosovën duke theksuar po ashtu rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi me Francën, e cila ka qenë dhe mbetet gjithnjë partner i rëndësishëm i bashkëpunimit me Kosovën në të gjitha fushat”, citohet të ketë thënë Presidenti.
Në këtë takim, sipas komunikatës, është biseduar edhe për misionin e EULEX’it dhe funksionimin e tij sa më efikas, në dobi të institucioneve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Krijoni Kontakt