Si asnjëherë më parë, dy presidentit janë emocionuar nga nderimet e Gardës së Republikës së Kosovës dhe intonimet e dy himneve tona shtetërore, derisa përballë tyre ka qëndruar flamuri kuq e zi dhe flamuri i shtetit të Kosovës.
Presidenti Topi ka shkelur përherë të parë në qilimin e kuq të shtetit të Kosovës, dhe bashkë me Presidentin Sejdiu, një vit pas shpalljes së pavarësisë, kanë paralajmëruar një marrëveshje që do t'iu mundësoi qytetarëve të të dyja vendeve që të lëvizin pa pasaporta në të dy anët e kufirit gjatë gjithë vitit.
"I dashur president, ju falënderoj për këtë mikpritje vëllazërore. Viti shkon mbarë kur fillon me Kosovën. Nuk mund ta filloja vitin 2009 më bukur sesa me këtë vizitë", deklaroi Bamir Topi, President i Shqipërisë.
"Është tepër e nevojshme që të japim një shembull të veçantë, të një bashkëpunimi të ngushtë të vendeve të rajonit. Ne mendojmë se do të startojmë në këtë mënyrë të realizimit të lirë të qytetarëve, pa pjesën e formaliteteve që mund të jenë pjesë e pengesave administrative sikur kanë qenë, p.sh çështja e pasaportave. Dhe kjo të jetë një shembull në komunikim dhe me vendet tjera të rajonit me Malin e Zi dhe Maqedoninë, për çka do të ketë nevojë të proceseve përgatitore. Një mini-shengen i Evropës Juglindore", tha Fatmir Sejdiu, President i Kosovës.
Presidenti shqiptar ka dënuar incidentet në veri të Mitrovicës, të cilat ia tha se kanë bekraund ultranacionalistë dhe dihet nga vijnë. "Incidentet që ndodhin në veriun e Kosovës kanë një bekraund ultranacionalist, është e dukshme se nga vijnë dhe në këtë periudhë admirohet shumë mënyra shumë civile e sjelljes së institicioneve të Kosovës, e popullsisë shqiptare dhe besoj që është shumë e rëndësishme që gjërat të hetohen...", shtoi Topi.
Presidenti Topi dhe homologu i tij kosovar Sejdiu kërkuan nga Serbia që të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Alsat
Krijoni Kontakt