Historia e Kosovës që nga periudha e pushtimit Romak e deri në ditët e sotme është në fokus të “Kosova: një histori e shkurtër” të historianit anglez Noel Malcolm. Kjo është edhe vepra që e cilësoi atë si më të mirin e autorëve të huaj në konkursin e albanologjisë. Dr. Malcolm trajton me objektivitet ngjarjet historike dhe rivlerëson të vërtetën historike të deformuar nga mitet dhe trajtimi tendencioz i historiografisë serbe.
“Një histori e shkurtër e Kosovës” është botimi i tretë i historianit pas “Një histori e shkurtër e Bosnjës” dhe “Origins of english nonsense”. Në intervistën e mëposhtme ai tregon për veprën dhe se si e sheh të ardhmen e Kosovës.
“Kosova” ju dha çmimin e autorit më të mirë të huaj. Mendoni se çështja e Kosovës ishte arsye që ju të vlerësoheshit?
Shpresoj se kam marrë çmim për faktin se pjesëmarrësit në konferencë mendojnë se kjo është një histori objektive dhe serioze. E di se çështja e Kosovës ka shumë interes për shqiptarët por për një historian në radhë të parë, është objektiviteti i librit. Besoj se kam analizuar faktet dhe problemet e historisë në mënyrë objektive.
Ju jeni një historian filozof, por çfarë ju shtyu të merreni me çështjen e Kosovës?
Kam menduar se ishte i nevojshëm një libër i tillë për historinë e Kosovës, sepse problemi ishte: një çështje politike e përzier me ideologji. Në të gjitha rastet pretendimet serbe kanë qenë historike, për historinë e Kosovës. Në të njëjtën kohë nuk ekzistonte asnjë libër në Perëndim për historinë e Kosovës. Ishte një rajon pothuaj i panjohur.
Ekzistonin libra vetëm për historinë e Jugosllavisë dhe historianët që i kanë shkruar këto libra kanë pasur pikëpamje serbe. Pra nuk ekzistonte asnjë histori ku autori ka lexuar edhe burimet dhe librat shqiptarë dhe të tjerë. Në këtë kontekst ishte e domosdoshme një histori e Kosovës.
Cilat janë burimet arkivore që keni shfrytëzuar për këtë botim?
Kjo është një histori që fillon me fundin e Perandorisë Romake dhe vazhdon deri në ditë e sotme. Kam shkruar shumë për periudhën mesjetare për periudhën osmane, rilindjen dhe për periudhën e shtetit Jugosllav. Ka qenë i nevojshëm studimi i arkivave të Vjenës, Romës, Vatikanit, Venedikut, në Paris, Londër, dhe Uashington. Gjithashtu kam shfrytëzuar edhe librat që janë botuar në Jugosllavi, Kroaci në Greqi, Itali etj. Puna kërkimore është ndërkombëtare.
Në arkivat që keni parë ju si është paraqitur çështja e Kosovës?
Varet nga periudha. Gjatë periudhës së osmanëve burimet perëndimore nuk interesohen shumë për çështjen e gjeopolitikës, pasi Kosova ishte një pjesë e Perandorisë Osmane. P.sh në raportet e kishës katolike që kam grumbulluar në Romë, Kosova herë është konsideruar si një pjesë e Serbisë herë si një e Shqipërisë.
Megjithatë Albania dhe Serbia janë fjalë që nuk kanë një kuptim të përcaktuar gjeografik, por një kuptim administrativ të Kishës. Është mjaft e komplikuar. Shumë informacion për Kosovën ka edhe në periudhën e diplomacisë moderne.
Por për të sotmen e Kosovës çfarë mendoni ?
Natyrisht që jam shumë i lumtur për pavarësinë. Jam pak i brengosur me politikën ndërkombëtare veçanërisht me politikën e Rusisë dhe të Kombeve të Bashkuara, megjithatë mendoj se janë probleme të përkohshme. Jam i bindur se eventualisht Kosova do të jetë plotësisht e pavarur dhe do të funksionojë si shtet i pavarur.
Cili është libri i fundit që keni në dorë?
Është një gjë krejtësisht tjetër. Në fillim të karrierës akademike unë kam qenë kryesisht historiani filozofisë dhe jam në përfundim të botimit të tekstit të Thomas Hobs “Leviatani”. Është një vepër shumë e vështirë për tu botuar sepse e ka shkruar në gjuhën angleze edhe pastaj e ka përkthyer në gjuhën latine. Botimi im do të jetë me faqe paralele anglisht-latinisht dhe historia tekstuale është shumë e komplikuar.
Shekulli
Krijoni Kontakt