Ç'është me ty!
“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” – Kur’an, 51:56
Shkruan: Avni Tafili
Zëri i Zgjimit!
Toka të ka prangosur, vallë! Çka të ka bërë të teprosh në gjithçka që prej toke del, e të mos e teprosh në diçka që prej qiellit zbret! Ti a s’ke shpirt, e ti bashkë me shpirt vendbanim tokën s’e ke.
Koha s’ka vlerë për ty. Veten po e drejton në litar të vdekjes! Sekondat s’kanë rëndësi. Numëron vetëm javët. Të kalojnë ditët e netët vetëm duke ngrënë e pirë, e vetëm duke bërë gjumë! Jo, besën të jap, se s’ke për t’u zgjuar nga gjumi i agonisë përderisa nuk i harron dy fjalët “bukë” e “gjumë”! E ç’është me ty, që e pranon dobësinë, e nuk turpërohesh! E ç’është me ty, që e di sesi mund të zgjohesh prej gjumit që po të ha të gjallë, e nuk të bëhet vonë! Vazhdon të hash, derisa të ngopesh, e ngopesh derisa të të lodhet shpirti!
Ç’është me ty! Kush të bëri magji! Jo, s’është magji, por je njeri pa ëndrra. Nuk dëgjon Allahun, por dëgjon askënd. Kë dëgjon vallë, ta kuptoj! Kur ke për të shijuar fuqinë e mrekullisë. E ç’di ti ç’është mrekullia! Mrekullia e të qenët rob i devotshëm ndaj Allahut, që të krijoi, e nuk të krijoi kot, e mrekulli, të ndjesh lartësitë, të ndjesh madhështinë, të ndjesh paprekshmërinë! Po si nuk të vret ndërgjegjen qortimi, që ty të shtyn të zgjohesh prej gjumit, që po të ha syçelë!
Ti sytë mbaj të hapur tërë kohën. Por kjo nuk të ndryshon! Ti mbaje tërë kohën gjuhën në lëvizje. Por kjo nuk të përmirëson! Rrugën e ke të hapur e të gjerë, pse nuk lëviz! Kë pret të të shtyj! O mjerimi vet! O ti që ke forcë, ke udhëzim, ke dritë, mos pret radhën vallë, e kur vjen radha, të kesh hyr në radhën e njerëzve të vdekur! Kurrsesi, ti i ndalur je, nuk ke për të lëvizë, përderisa të dridhet toka, me dridhjen e fortë të saj! E atëherë, zgjohesh, por ai zgjim nuk është i yti!
Ç’është me ty, kur thirresh në adhurim, nuk bëhesh adhurues besnik! E kur thirresh të mohosh idhujtarinë, nuk të forcohet bindja e besimi ndaj Krijuesit që të udhëzoi! Thirresh, e nuk përgjigjesh, veçse i shtyrë! I shtyrë jo nga zelli e vullneti për zgjim e përmirësim, por i shtyrë nga diçka që as emrin vet s’ia di! E ti thirresh, por a e dëgjojnë thirrjen njerëzit e vdekur! Jo, të vdekurit dëgjojnë, por s’përgjigjen. Ti s’përgjigjesh, sepse shumë pak logjikon!
Për ty s’ka agim, s’ka mëngjes! Lindja e diellit është për njerëzit që lindin çdo ditë e më të rinj, më të freskët, më të fuqishëm, më të mbushur në bindje, vullnet e shpresë. Për ty të gjitha ditët janë njëlloj. Ti ndërron ditët vetëm në kalendar. Derisa të vjen çasti, kur as lindja e diellit nuk të shndrit, sepse ke hyr në agoninë e vdekjes së vërtetë! E vërteta e vërtetë, që ti aq shumë e urren, e që do të të gjej! Njerëzit e gjallë në bindje, vullnet e shpresë, jetëgjatësinë e dëshirojnë, që të avancohen çdo herë e më shpejt se vetë ndërrimi i ditës dhe natës në kalendarin tënd! Ndërsa ti çdo herë e më tepër vdekjen zemrës ia shton, para se datat në kalendar t’i ndërrosh! Mjerim qenka kur e vërteta nuk ndjehet!
Kurrsesi! Të mirën s’e ke shijuar. Të pastrën s’e ke ndier! Po, se ti nuk ndjen rrezet e diellit, që me to dita fillon. E si t’i ndjesh, kur ti je i vdekur në gjumë! Jo, ti je i ngopur deri në fyt! Ha dhe e tepron. E kur ti e tepron, Zoti që atë diell e krijoi, nuk të donë! A nuk i bindesh plotësisht Zotit, që ti thirresh në besim ndaj Tij. Apo ke gjetur udhëzim, që ty fuqi errësira të sjell! Jo, ti vetes besimtar i thua, ndërsa besim as në vetvete s’ke! E si ore vetëthirresh, e nuk përgjigjesh. Edhe ndaj vetvetes bëhesh i shurdhët!
E ç’është me ty! Shkel shenjtërinë, e ti i pavetëdijshëm ndaj saj. Ti ngrihesh për adhurim, ndërsa i pandërgjegjshëm ndaj tij. Jo, po ti Kur’an nuk dëgjon! E Kur’ani pastron shpirtra e qetëson zemra. E ti muzikën e adhuron. Atë e dëgjon, e në idhujtari zhytesh! Jo, ti qetësi po kërkon, por ti vetes zjarr po i fryn! Ç’është me ty, veten po e ha të gjallë! Kush je ti, ti ke Zot, Allahun, e Allahu i Madhëruar ndaj teje është i Dashur e i Mëshirshëm, ndërsa ti ia kthen shpinën!
Toka të ka prangosur, vallë! Çka të ka bërë të teprosh në gjithçka që prej toke del, e të mos e teprosh në diçka që prej qiellit zbret! Ti a s’ke shpirt, e shpirti qetësinë në tokë s’e ka. E ç’di ti ç’është qetësia! Qetësi, e qetësia është të ndjehesh i fuqishëm, jo i plogësht, qetësia, të ndjehesh i madhështor, jo i vogël përtokë, qetësia, të ndjehesh i nderuar, jo i përçmuar, qetësia, të ndjehesh i ngritur, jo i nëpërkëmbur! E ç’di të ç’është qetësia, kur ti trupin e ke ngulfatur me tokë. Qetësia është qiellore.
Ç’është me ty, që nuk ke guxim të mos thuash asgjë, por të ngrihesh e të falësh dy rekate e të pendohesh, e Allahut të Gjithëfuqishëm, Atij që sheh dhe dëgjon, falje t’i kërkosh, e të zgjohesh. Zgjim pa kthim mbrapa! Po edhe të mos flasësh, e të mos pretendosh, e të mos imagjinosh! Por, në heshtje ta thërrasësh vetveten të dëgjojë zërin e arsyes, zërin që jetë gjallëron!
Lum ai, që edhe sekondën e numëron. Lum ai që në të ushqyer nuk e tepron. Lum ai që bën gjumë pak! E le ta dijë pra, secili musliman, që Ummet të Fortë ëndërron, përderisa të mos i harrojë fjalët “Bukë” e “Gjumë”, nuk ka për të pasur ngadhënjim!
O Allah, na udhëzo!
Ve ma et-teufik ila bilah
Krijoni Kontakt