Në Shqipëri ka 2,5 milionë përdorues celularësh
BRIKENA DEMIRAS
22/12/2008 80 persona në 100 banorë kanë të paktën një telefon mobil
Në dhjetë persona 8 kanë të paktën një telefon celular. Sipas të dhënave zyrtare, deri në korrik të vitit 2008 numri i shqiptarëve që zotërojnë një telefon të lëvizshëm është rritur ndjeshëm. Madje, në total kjo shifër është 2,5 milionë përdorues për të tre operatorët që funksionojnë në treg.
Shifrat
Madhësia e tregut celular në Shqipëri ka shënuar rritje të konsiderueshme, vlerësojnë ekspertët. “Në korrik të vitit 2008 numri i përdoruesve celularë arriti në 2.5 milionë që përbën afërsisht 80% nivel penetrimi për 100 banorë”, - thekson raporti i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Sipas këtij vlerësimi, numri i përdoruesve të telefonisë celulare deri në vitin 2000 ka qenë i ulët dhe numëronte jo më shumë se 28 775 përdorues që ishin të regjistruar në kompaninë e vetme në atë kohë, AMC. Aktualisht, ekspertët vlerësojnë së operatorët AMC dhe Vodafone Albania kanë secili afërsisht 50% pjesë nga tregu në terma të përdoruesve, trafikut dhe të ardhura. Përdoruesit me kontratë në fund të vitit 2007 përbëjnë rreth 6% të numrit total të përdoruesve, shifër që sipas specialistëve është rritur në krahasim me vitet e mëparshme kur ishte 3%. Por e ardhura mesatare për përdoruesit me kontratë është shumë më e lartë se përdoruesit me parapagim dhe vlerësohet të jetë më e larta në vendet e Evropës”, -thekson raporti. Për këtë është miratuar metodologjia, e cila detyron dy kompanitë AMC dhe Vodafone Albania që të reduktojnë tarifat edhe me 20 për qind deri në fund të 2009-s.
Telefonia
Nga ana tjetër numri i përdoruesve të Eagle Mobile, që filloi ofrimin e shërbimeve më 13 mars 2008 është rreth 200 mijë. Operatori AMC është licencuar si operator publik kombëtar i telefonisë celulare në vitin 1996 dhe u privatizua në shtator të vitit 2000, në 85 për qind të aksioneve. Operatori Vodafone Albania u licencua si operatori i dytë kombëtar më 9 qershor 2001 dhe më 3 gusht 2001 filloi ofrimin e shërbimeve të saj GSM. Afati i vlefshmërisë së licencave të tre operatorëve është 15 vjet nga datat e lëshimit të tyre. AMC dhe Vodafone Albania kanë realizuar në kohë detyrimet e tyre të licencave për mbulimin e popullsisë dhe territorit dhe aktualisht, secili prej rrjeteve të operatoreve mbulon afërsisht 84% të territorit dhe 95% te popullsisë. Operatori Eagle Mobile megjithëse ka vetëm 9 muaj që ka filluar aktivitetin, ka realizuar mbulimin e popullsisë dhe territorit në nivele të krahasueshëm me dy operatorët e tjerë, shumë më shpejt se kushtet e licencës.
Krijoni Kontakt