Sot ne Muslimanët jemi ndarë në aq shumë grupe saqë po të ishte gjallë Pejgamberi s.a.v.s. do të dëshpërohej me këtë realitet.
Dikush e quan veten Hanefi, dikush Selefi, dikush Ehli Sunnet, etj.
Pra nëse një Musliman shkon nga një qytet në qytet tjetër dhe hyn në një xhami për të falur namaz njerëzit e pyesin: “Çka je ti? Hanefi apo Selefi?”
Më kujtohet kur kam filluar të falem rregullisht se si jam befasuar që në xhaminë e lagjes tonë qenkan dy grupe Hanefi dhe Selefi.
Pra sot nuk mjafton të jesh vetëm Musliman por duhet të jesh edhe pjesëtar i njërit prej këtyre grupeve.
Në këtë mënyrë po iu përngjajmë të krishterëve të cilët janë ndarë në Katolikë, Ortodoks apo Protestant.
Allahu xh.sh. në Kur’an na urdhëron qartë që ta quajmë veten Muslimanë:
11:14. E nëse nuk u përgjigjen juve, atëherë pra ta keni të qartë se ai (Kur'ani), është i zbritur me dijen e All-llahut dhe se nuk ka zot pos Tij. A jeni pra muslimanë?"
41:33. E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e All-llahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: "Unë jam prej muslimanëve?"
3:67. Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve.
2:132. E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi. (u thanë) "O bijtë e mi, All-llahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë"!
Edhe Pejgamberi s.a.v.s. është urdhëruar i pari që të deklarojë se është Musliman:
6:163. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)!
Unë mendoj se pa marrë parasysh se cilit grup i takon vëllau ynë Musliman ne duhet ta duam atë për hir të Allahut xh.sh. dhe ta respektojmë duke pasur parasysh faktin se ai i përgjigjet Ezanit dhe vjen në xhami e bie në sexhde para Allahut xh.sh.
Duhet ta kemi parasysh që kemi plot vëllezër shqipëtarë që nuk vijnë në xhami fare prandaj vëllaun që e kemi pranë duhet ta duam dhe ta respektojmë.
Mua personalisht më ka ndodhur në një xhami të lagjes tjetër kur jam falur ndryshe të gjithë xhemati më kanë dhënë një shikim të çuditshëm apo të ashpër.
Përderisa në Qabe në kohën e Haxhit falen bashkë Muslimanë nga e gjithë bota secili në mënyrën e vet dhe askush nuk e kritikon tjetrin për mënyrën e tij të faljes mendoj se edhe ne duhet të ndjekim këtë shembull dhe nëpër xhamitë tona lokale, të falemi bashkë dhe të kemi raporte të mira me njëri tjetrin.
Unë nuk e di dhe as nuk dua ta di kush i ka krijuar këto grupe por e di një gjë: me këto ndarje të Muslimanëve kënaqen armiqtë tanë.
Përse të mos jemi pasues direkt të Muhammedit s.a.v.s. por të kemi nevojë për ndërmjetësimin apo ndjekjen e ndonjë Imami, Dijetari apo të ndonjë grup njerëzish?
Prandaj vëllezër, është mirë të ndalemi nga këto emërtime e ti përgjigjemi atij që na pyet vetëm me fjalët: “Unë jam Musliman!”
Edhe nëse kemi këto lloj ndarjesh nëpër xhamitë tonë duhet ta ruajmë gjuhën tonë e mos ti diskutojmë këto gjëra para atyre që nuk falen fare apo para besimtarëve të religjioneve tjera e pastaj ata të na kritikojnë apo të na ofendojnë!
Autor: Sefedin Muqaj, Prizren.
Referenca: Kur’ani – Përkthim i Sherif Ahmetit
Krijoni Kontakt