U bënë 9 vite e Unmik-u vazhdon të qëndrojë në Kosovë.
Jo se Kosova ka nevojë për të por ai ka nevojë për Kosovën.
Shumë ndërkombëtarë kanë diplomuar gjatë punës së tyre këtu, disa dhe kanë gjetur “fatin e jetës” e janë martuar, kurse shumica janë kënaqur e argëtuar si në parajsë.
Shumë ndërkombëtarë me kualifikim të mesëm merrnin pozita të rëndësishme si p.sh. Oficer Regjional Administrativ dhe merrnin pranë vetes nga një Asistent Administrativ nga stafi lokal e në shumicën e rasteve ky i fundit ishte më i shkolluar se shefi i tij, por ishte “njeri lojal” dhe i sjellshëm.
Zakonisht në këto pozita pranoheshin më shumë femrat sepse ato janë më “gjentile”
Pra këta ndërkombëtarë që kur vinin në mision nuk dinin as si ta ruajnë apo shtypin një dosje, dhe ishin shumë të shoqërueshëm e shakaxhi, më vonë merrnin pozita V.I.P. dhe ndryshonin stilin, visheshin me kostume e kravata dhe paraqiteshin më seriozë.
Dhe asistentët e tyre dhe i tërë stafi lokal i bënin lajka atij.
Të njejtën gjë po e bëjnë politikanët tanë me ndërkombëtarët e Unmik-ut apo Eulex-it.
Politikanët tanë janë kënaqur shumë me ardhjen e Eulex-it por siç e pashë në një foto edhe shefi i Eulex-it Mr. Yvi dukej shumë i lumtur kur e vendosi flamurin e EU-së në ndërtesën e re të Misionit.
Pse të mos gëzohej? Ka fituar pozitë të mirë që paguhet shumë dhe mundësinë që në të ardhmen të përparojë si kolegu i tij Mr. Kouchner.
Po i kthehem prapë temës që e fillova:
Këta ndërkombëtarë së bashku me politikanët tanë bëjnë jetë luksoze kurse populli ynë vuan nga papunësia e varfëria.
Populli ynë nuk e ka idenë se çka bëhet në institucionet tona dhe ndoshta nuk i beson këto që po i shkruaj por unë këto gjëra i kam përjetuar dhe i kam parë me sytë e mi.
Këta politikanët tanë që i simpatizojnë shumë amerikanët shkuan aq larg sa që e shpallën Kosovën shtet laik.
Pra këta ish-luftëtarë të UÇK-së qenkan aq të guximshëm e trima dhe nuk po i frikësohen as Zotit (Krijuesit të tyre).
Kurse amerikanët në kushtetutën e tyre e përmendin Zotin dhe bile edhe në monedhat e tyre shkruan “Në Zot ne besojmë!”
Zoti na ruajtë prej dëmit të tyre dhe prej të gjithë armiqve të popullit shqiptar!
Autor: Hasan Hyseni (ish “përkthyes” i Unmik-ut)
Krijoni Kontakt