Afati për regjistrimin, absurd. Ambasada u refuzon vizat
Pakkush e di, por ka qindra shqiptarë, të cilët kanë trashëguar nga të parët e tyre prona, llogari bankare. Shumë prej tyre janë pronarë të tokave, ndërtesave apo banesave që janë lënë me qira nga të afërmit e tyre. Sipas një ligji të miratuar pak kohë më parë nga shteti grek, të gjithë ata që pretendojnë se kanë prona në shtetin helen duhet t‘i regjistrojnë ato para mbylljes së muajit dhjetor 2008. Nisur nga kjo, qindra shqiptarë rrezikojnë t‘i humbin këto pasuri, pasi një pjese të madhe të tyre u është mohuar e drejta për t‘u pajisur me vizë. Lajmin e ka konfirmuar kreu i Shoqatës së Shqiptarëve me Prona në Greqi, Agim Koçillari. Sipas tij, pasi kanë gjezdisur poshtë e përpjetë dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe ndihmë të saktë, kryesia e kësaj shoqate është mbledhur dhe ka nënshkruar një peticion, i cili është dërguar te Presidenti, Kryeministri, Kryetarja e Kuvendit, ministri i Jashtëm, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Avokati i Popullit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe te të gjitha trupat diplomatike të akredituara në Shqipëri. Shoqata kërkon ndihmë, asistencë ligjore, kërkon lehtësim të procedurave për pajisje me vizë dhe krijimin e një komiteti i cili të shqyrtojë çështjen e më shumë se 700 shqiptarëve që rezultojnë pronarë në shtetin helen. Të gjitha pronat, paratë, apo përfitimet në formën e qirasë, të pronarëve shqiptarë rezultojnë të kapin shifrën e rreth 4 miliardë eurove. Veç problematikave të historisë, që sipas Koçollarit, nuk janë dhënë në versionin e saktë, shqiptarët kanë prona jo vetëm në Follorinë, Selanik, Janinë e qytete të tjera, por madje edhe në Akropoli. Dhe këtë këta pronarë e vërtetojnë me dokumentet që disponojnë. "Jemi këshilluar me avokatë të huaj, kemi kërkuar dhe rezulton që dhe sot dhe kësaj dite, qiramarrësit u derdhin bankave paratë sipas kontratave të bëra vite më parë. Madje, disa kanë marrë përgjigje, pasi kanë dërguar dosjet pranë strukturave greke", sqaruan dje përfaqësues të Shoqatës së Shqiptarëve me Prona në Greqi.
Megjithëse shumë të pasur, aktualisht shumica prej këtyre pronarëve nuk kanë akses për viza, nuk mund të përballojnë shpenzimet për t‘i rënë mbrapa çështjes së tyre, madje rrezikojnë edhe t‘i humbasin ato nëse burokracitë vazhdojnë të shumohen nga viti në vit. Kërkesat e tyre bazohen në të drejtat e tyre, në dokumentet që zotërojnë dhe mbi një traktat të quajtur "Traktati i Miqësisë" që deri tani nuk është zbatuar. Peticioni mbetet zgjidhja e parafundit që u ka mbetur pronarëve. Bërja me dije e gjithë trupës diplomatike në Shqipëri është një kërkesë për ndihmë, më pas nëse nuk do të ketë asnjë përgjigje, shpresa e fundit do të jetë shqyrtimi i çështjes në Strasburg.
"Ne anëtarët e shoqatës shqiptare me prona në republikën helenike u mblodhëm për të vlerësuar masat e marra nga autoritetet vendase dhe ato greke lidhur me kërkesat tona të vazhdueshme për lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave të pajisjes me vizë të qytetarëve shqiptarë, të cilët për shkak të shfuqizimit të ligjit 2636 datë 24 tetor 1940 kanë të drejtë të pretendojnë kthimin e pronave të tyre, sekuestruar mbi bazën e ligjit të sipërcituar", deklaroi dje kryesia e shoqatës.
Ata vijuan duke thënë se: "Pas shqyrtimit të disa deklaratave zyrtare të diplomatëve të të dy vendeve dhe mbi të gjitha pas refuzimit nga ana e autoriteteve greke të dhjetëra kërkesave për pajisje me vizë të shtetasve shqiptarë me prona në shtetin helenik për fat të keq jemi në kushtet kur duhet të vëmë në dyshim besimin tonë te qëllimi dhe funksioni i Traktatit të Miqësisë midis Republikës së Shqipërisë dhe republikës helenike (më tej referuar si Traktati i Miqësisë) ratifikuar në vitin 1997 prej këtyre dy vendeve".
Gjithashtu, pronarët mbeten të pasigurt në realizimin e së drejtës së tyre për pronën që të parëve të tyre iu sekuestrua si pasojë e luftës italo-greke. Edhe pse Shqipëria dhe republika helenike kanë ratifikuar instrumentet mjaft të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut dhe janë protagonistë aktivë në garantimin e këtyre të drejtave në rang ndërkombëtar pronarët mbeten pa një mjet juridik efektiv në dispozicion për të realizuar të drejtat.
Konkretisht, nuk ka asnjë strukurë të përshtatshme të krijuar nga dy vendet tona në zbatim të nenit 15 të Traktatit të Miqësisë nëpërmjet të cilit vendet janë angazhuar "Të heqin çdo barrierë në sistemet ligjore respektive, të cilat bëhen pengesë për zotërimin paqësor të pasurive të shtetasve të njërës palë në territorin e palës tjetër. "Nuk jemi të qartë sot 12 vjet pas lindjes së shpresave tona për gëzimin paqësor të pronave të të parëve tanë se kujt t‘i drejtohemi për zvarritjen e procesit të heqjes së barrierave ligjore në këtë drejtim në kuptim të pritshmërisë legjitime që gjeneron për ne Traktati i Miqësisë", theksuan dje pronarët.
Peticioni i shoqatës
Në kushtet e Traktatit të Miqësisë...
Duke dashur të besojnë te qëllimi i vërtetë i Traktatit të Miqësisë:
Duke besuar vërtet se ratifikimi i Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve i dha fund njëherë e përgjithmonë "ngërçit" politik midis republikës së Shqipërisë dhe republikës helenike, si dhe pasuri vlerat e këtyre dy vendeve si promovuese të paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut edhe në nivel ndërkombëtar.
Duke besuar se me ratifikimin e traktatit të miqësisë popujt e të dy vendeve më shumë sesa momentet e vështira vendosën të promovojnë "praktikat e mira" të modelit të fqinjësisë së mirë përgjatë historisë.
Duke besuar se lehtësimi i procedurave të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë që pretendojnë për prona në Greqi është një nga barrierat themelore ligjore që qeveria greke duhet të heqë për t‘i lejuar ata që të nisin procedurat lidhur me pretendimet e pronësisë para institucioneve greke.
Duke besuar në ekzistencën e zgjidhjeve diplomatike dhe teknike të cilat mund të vihen në përdorim nga diplomatët për të na ofruar zgjidhje lidhur me pretendimet e pronësisë.
Ja çfarë duam!
Kërkesat e shqiptarëve me prona në Greqi
Përpjekjen serioze të të dy qeverive për t‘i dhënë zgjidhje sa më të shpejtë problemit në përputhje me nenin 15 të Traktatit të Miqësisë.
Angazhimin serioz të autoriteteve të republikës helenike për lehtësimin e procedurave të vizave për në Greqi, për të gjithë shtetasit shqiptarë që synojnë të adresojnë pretendimet e tyre të pronësisë para institucioneve greke.
Angazhim serioz të autoriteteve vendase për të siguruar ndihmë ligjore për të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë pretendime të pronësisë në territorin e republikës helenike nëpërmjet ngritjes së një zyre qeveritare, e cila do t‘u japë informacionin e nevojshëm lidhur me procedurat administrative dhe/ose gjyqësorë që nevojiten ashtu sikurse edhe lehtësira të tjera në këtë proces
Informimin në një kohë të përshtatshme nga ana e të dy qeverive lidhur me masat e marra për kërkesat e mësipërme/
Kontributin e trupave diplomatike dhe organizmave ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut për t‘i dhënë fund gjendjes së pasigurisë nëpërmjet asistencës për të dyja qeveritë në zgjidhjen e aspekteve teknike, të cilat rezultojnë të pengojnë zbatimin e nenit 15 të Traktatit të Miqësisë.
Shqip
Krijoni Kontakt