Kreu i LSI-së i jep të drejtë Agollit, Meidanit e Pëllumbit: "Të bashkëpunojmë". Negociatori Brokaj nis takimet
Shfaqen shenjat e para serioze të afrimit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ish-kryeministri Ilir Meta i "shtriu" dje dorën Edi Ramës, duke i kërkuar negociata me qëllim fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Në respekt të shqetësimeve dhe preokupimeve të sinqerta të Meidanit, Agollit e Pëllumbit për bashkëpunim të së majtës ai ofroi si negociator nga LSI-ja profesorin Sabit Brokaj. Teksa ky i fundit filloi fazën e takimeve me këto personalitete që mbrëmë, nga selia rozë mungoi një reagim zyrtar. "Ata shprehin shqetësimin për situatën brenda opozitës dhe bëjnë apel për bashkëpunim të opozitës dhe në mënyrë të veçantë midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim", tha Meta. Teksa shprehu konsideratat e tij, për shqetësimet dhe preokupimet e tyre duke besuar se janë vërtet të sinqerta. "Jam këtu t‘ju konfirmoj të tre këtyre personaliteteve, por edhe të gjithë të tjerëve që dëshirojnë një bashkëpunim opozitar, që dëshirojnë një bashkëpunim edhe midis Partisë Socialiste dhe LSI-së, në mënyrë të veçantë, se Lëvizja Socialiste për Integrim dhe unë si kryetar i saj, kemi bërë të gjitha përpjekjet që ky bashkëpunim të realizohet në vitin 2006", tha Meta. Ndryshe nga sa ka vepruar kryetari i Partisë Socialiste, shtoi ai, pas rizgjedhjes së tij më 18 shkurt në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe pavarësisht nga të gjitha zhvillimet e padëshiruara, sidomos gjatë këtij viti, asnjëherë nuk janë ndërprerë iniciativat për dialog. "Jemi përgjigjur gjithnjë ftesave të bëra nga kryetari i Partisë Socialiste, por njëkohësisht kemi marrë shumë iniciativa, që për fat të keq mungon përgjigjja dhe vullneti për dialog dhe bashkëpunim, sikurse e dini të gjithë ju dhe opinioni publik, që është edhe ftesa ime zyrtare, e bërë që prej 15 ditësh, pra më 6 dhjetor, drejtuar zotit Rama, për një takim për të diskutuar për çështje të rëndësishme, sidomos për standardet e zgjedhjeve", nënvizoi kreu i LSI-së. Me këtë rast, vijoi Meta, dua të shpreh edhe njëherë vendosmërinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të bashkëpunuar me çdo forcë politike në vend, në mënyrë të veçantë me çdo forcë politike të opozitës, në mënyrë akoma më të veçantë, me Partinë Socialiste, mbi baza parimore dhe interes të opozitës, të së majtës dhe të interesave kombëtare të vendit tonë. Duke iu rikthyer shqetësimeve të këtyre kolegëve të respektuar dhe me shumë përvojë të Partisë Socialiste, pra zotit Meidani, zotit Agolli dhe të zotit Pëllumbi, unë ngulmoi Meta, dua të shpreh edhe njëherë tjetër vendosmërinë time, për të qenë i hapur për dialog, për të qenë i hapur për t‘u takuar me zotin Rama, sa më shpejt që të jetë e mundur. "U kërkoj, si zotit Mejdani, si zotit Agolli, si zotit Pëllumbi, meqenëse ata janë pjesë e Partisë Socialiste, që të japin kontributin dhe ndikimin e tyre, për t‘u realizuar ky bashkëpunim", tha Meta. Për këtë qëllim, ai mandatoi Sabit Brokajn për negociata, duke pasur besim edhe tek angazhimi i tij tepër i sinqertë dhe parimor, për të kontribuar në krijimin e një klime, e cila do të sillte një takim dhe do të rivendoste një dialog, që do të rivinte në vend themelet e një bashkëpunimi parimor, që u shërben jo thjesht interesave të LSI-së apo të PS-së, por interesave të një opozite të fuqishme dhe alternative.
Pëllumbi: Nuk kam mandat për negociata
Profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, deklaroi dje se nuk ka dijeni për qëndrimet e fundit të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ai konstatoi se nuk është mandatuar nga PS për të bërë rolin e negociatorit për një takim midis dy krerëve të partive, Metës dhe Ramës. "Mbetem i hapur për takime individuale në këtë rast me kreun e LSI-së", theksoi Pëllumbi. Teksa shtoi se për propozimin e Metës nuk ka mandatim nga askush në selinë rozë.
Kanë thënë
Dritëro Agolli
"Po ta them në mënyrë popullore, ata do t‘i bashkojë frika, se në frikë njerëzit bashkohen. Në mos e bëfshin përpara zgjedhjeve, pas do ta bëjnë. Nëse janë të ndarë veç e veç, vihet një pikëpyetje e madhe për fitoren e zgjedhjeve të 2009. LSI është një parti me një vitalitet shumë të madh dhe LSI nuk është si partitë e krahut tjetër"
Rexhep Meidani
"Pavarësisht shfaqjeve aty-këtu të mosbesimit reciprok apo nxitjeje të ‘kasiove‘ të dyanshme, një bashkëpunim i dobishëm i të gjithë forcave politike të krahut të majtë dhe të qendrës, sidomos midis PS-së dhe LSI-së; konsiderohej tërësisht i mirëpritur, madje një garanci e plotë e fitores së zgjedhjeve të ardhshme"
Sërvet Pëllumbi
"Kjo është një kërkesë e pashmangshme për kohën. Bashkimi i opozitës, i partive të majta, është e vetmja mundësi. Kërkesa e tillë është veçse për bashkim dhe bashkëpunim, sepse edhe zgjedhjet vetëm kështu mund të fitohen nga e majta"
Rrjedha
Nga bashkimi pas ardhjes së Ramës, te ndarja e fundit
PS-LSI, shkëlqimi dhe rënia e një koalicioni problematik
Pas ardhjes së Ramës në krye të Partisë Socialiste u desh disa muaj që të arrihej një gjuhë e përbashkët me partinë e ish-kryeministrit Ilir Meta. Kjo e fundit hezitoi për shumë kohë të vendoste firmën mbi protokollin e bashkëpunimit. Aleanca e re opozitare, pas vendosjes së vulës edhe nga LSI, u angazhua për fitoren e zgjedhjeve të pushtetit lokal. Sfida e 18 shkurtit 2007 tregoi qartazi se ky bashkim do mund të dilte fitues përballë mazhorancës së drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Nuk para kishte ndodhur që partia në opozitë të fitonte zgjedhjet lokale, por procesi i 18 shkurtit dëshmoi diçka të tillë. Ndonëse problemet e vogla nuk munguan, dy partitë i mbajti bashkë dëshira për të shfrytëzuar momentin e zgjedhjes së Presidentit. E majta, si pasojë e lëvizjeve të brendshme, kryesisht brenda selisë rozë dështoi në misionin e saj për kalim në zgjedhjet e parakohshme në korrikun e vitit 2007. Zgjedhja e Bamir Topit me votat e majta ishte një goditje e rëndë për këtë formacion politik që kishte zgjedhur të abstenonte në votim. E teksa u bashkuan në kauzën kundër ish-kryeministrit Fatos Nano që dëshironte të bëhej President, mes PS dhe LSI nuk kishte mbaruar lufta. Mjaftoi një deklaratë në dimrin e vitit 2007 e kryetarit të asamblesë kombëtare të socialistëve, Gramoz Ruçi, që gjithçka të acarohej. Ruçi tha se në rast fitoreje të së majtës, Kryeministri i padiskutueshëm ishte Edi Rama. Veprim që nuk u prit aspak mirë prej drejtuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim që shpresonin te fitorja e zgjedhjeve dhe caktimi i Metës në detyrën e kreut të qeverisë. E ndodhur në një marrëdhënie komplekse me LSI-në, për shkak të frikës së çfarë ajo do të kërkonte në prag të zgjedhjeve lidershipi socialist preferoi të ndryshohej Kushtetuta, duke vendosur një sistem pa biseduar me aleatët. Kjo ishte pika kthesë në koalicion, pasi Meta deklaroi publikisht shkëputjen nga aleanca me socialistët dhe krijimin e koalicionit "E majta për Integrim". Grupim që në fillim gjeti edhe mbështetjen e Partisë Demokracia Sociale të Paskal Milos dhe Partisë Aleanca Demokratike të Neritan Cekës. Në këtë realitet, PS zgjodhi të votojë paketën e ndryshimeve në Kushtetutë, pasi u negociua në Parlament me shumicën. Që nga ky moment, sulmet e LSI-së ndaj Ramës dhe lidershipit të socialistëve u shtuan ndjeshëm. Pjesë e këtij qëndrimi ishte edhe aksioni politik me tezën e referendumit për Kushtetutën. Selia rozë nga ana e saj zgjodhi të mos akuzojë publikisht Metën duke u mjaftuar me thirrjet publike për atë që e cilësonte "moskthim në politikën e vjetër të mikut Ilir Meta". Kjo klimë veçse u përkeqësua pas negociatave PS-PD për ndryshimin e ligjit të zgjedhjeve. Greva e urisë ishte pika kulmore ku LSI dhe PS u pozicionuan bindshëm përballë njëra-tjetrës. Qenia në një vit elektoral duket se i detyroi dy partitë të shkojnë drejt një rezultanteje përbashkuese para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009.
Burimi
Krijoni Kontakt