Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,065
    Postimet në Bllog
    22

    Krishtlindja: Dashuria e Perëndisë mishërohet

    KRISHTLINDJE 2003

    Prania e Tij - dritë besimi dhe shprese

    +Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë


    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,

    “Dhe emrin do ta ketë Emanuel, që e përkthyer do të thotë Perëndia është me ne”(Matth. 1:23)

    A

    E kremtja e sotme shpall diçka të pakapshme nga mendja njerëzore: Perëndia erdhi për të qëndruar me ne. Erdhi për t’u bashkuar me njerëzimin, të ndajë me të dhembjen, t’i përgjigjet aspiratës për shpëtim. Gjurmë nga kërkimi i njerëzve për të Përtejshmen, Hyjnoren, gjenden nëpër sisteme të ndryshme fetare. Por, ajo që e dallon mesazhin e krishterë dhe e bën atë unikal është, se vetë Perëndia erdhi dhe u bë njeri, “që të hyjnizojë njeriun”. Kemi të bëjmë me një realitet tronditës.

    Perëndinjeriu nuk erdhi si një engjëll ose si profet për të na zbuluar vullnetin e Perëndisë, për të caktuar Ligjin suprem dhe pastaj të largohet. Ai erdhi, që të bëhet një me ne. “Dhe ndenji mes nesh” (Jo. 1:14). Hyri tek njerëzimi me një lindje reale nga Virgjëresha Mari, që të mbetet përjetësisht “njëri prej nesh”, i njëjti me ne, përveç mëkatit, njëri që i përket me të vërtetë familjes sonë njerëzore.

    Me sigurinë se Jisui është “Emanueli”, “Perëndia është me ne”, fillon Dhiata e Re. Dhe me atë konfirmim të vetë Krishtit të ngjallur, “dhe ja, unë do të jem me ju çdo ditë deri në fund të jetës” (Matth. 28:20), përmbushet vepra e Tij. Emri Emanuel përmbledh vetëm në një fjalë misterin e të bërit njeri.

    Vasili i Madh, duke përmbledhur kuptimin e të kremtes së sotme, shpjegon se Fjala e Perëndisë erdhi në tokë që “ta ringrejë njerëzimin drejt vetes së Tij”. Ai erdhi që gjininë njerëzore ta risjellë në drejtimin e duhur, të cilin e kishte humbur. Ta ribashkojë njerëzimin me rrënjën e tij, me Perëndinë. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”, shpalli Krishtin gjatë predikimit të Tij publik. Urtësia, drejtësia, paqja, shpëtimi, që dëshirojnë aq shumë njerëzit, grumbullohen tek Personi i Tij. “Te Krishti ndodhen të fshehura të gjitha thesaret e urtësisë dhe të diturisë”, siguron Apostull Pavli (Kol. 2:3). Bashkimi personal i natyrës hyjnore me atë njerëzore tek Krishti, i dha njerëzimit një dinamikë të re. Me ardhjen e Tij në tokë, Perëndinjeriu risolli tek Perëndia Triadik, tek Dashuria e gjallë, “mbarë njerëzimin” , mbarë gjininë njerëzore, tërë natyrën njerëzore, tërë krijimtarinë njerëzore. Që t’i rikrijojë ato dhe t’i lartësojë brenda dritës së energjive të pakrijura hyjnore, që rrezaton dashuria e Tij.


    B

    Këtë siguri, se Perëndia është “bashkë me ne”, vjen për ta rigjallëruar në ndërgjegjen tonë e kremtja e Krishtlindjeve. Kisha, me himnologjinë e saj, na fton që t’i ndjejmë këto evenimente si të jenë të sotme. “Sot lind prej Virgjëreshës Ai që mbarë krijesën e ka në pëllëmbë të dorës”, dëgjuam në një tropar. “Të gjitha sot mbushen me gëzim, Krishti lindi prej Virgjëreshës”, në një tjetër tropar.

    Zakonisht, shumë njerëz e mendojnë Jisuin si një person të largët, të së kaluarës, dhe jo si Emanuelin, Krishtin e gjallë që qëndron me ne. Shumë besojnë më tepër në një Zot që mungon se sa në një Zot përjetë të pranishëm. Ndaj, dhe emri Emanuel nuk u vjen në mendje, nuk u ngroh zemrat. Madje, edhe shumë nga ne, ndihen të qetë dhe me më shumë siguri me mendimin se “me ne është paraja, me ne është pushteti, me ne është mbrojtja e të fuqishmëve”, se sa në besimin se me ne është Perëndia. Prandaj, aq shpesh mbetet mes nesh mëria, frika, agonia, dhe zhytemi në vetmi. Sigurinë se Krishti qëndron pafundësisht me ne, e shpall gjithnjë Kisha e Tij. Këtë ndjesi të gjallë të pranisë së Tij dhe bashkimin organik me Të, e garanton me kryerjen e Mistereve të hirshme, që fillojnë me Pagëzimin dhe arrijnë kulmin me Eukaristinë Hyjnore. Premtimin e Zotit, pas Pësimit dhe Ngjalljes së Tij, se “ja, unë do të jem me ju çdo ditë të jetës suaj”, na e kujton dhe konsolidon në ndërgjegjen tonë Kisha. Krishti është me ne jo vetëm gjatë çasteve të lutjeve dhe të paqes, por edhe gjatë ditëve të turbullta të dyshimit dhe të dobësisë. Madje, edhe gjatë çastit të frikës ose të tradhtisë së pavullnetshme. Ndërgjegjësimi për praninë e Zotit Jisu, na fuqizon dhe na frymëzon.


    C

    Dhe emrin do ta ketë Emanuel, që e përkthyer do të thotë Perëndia është me ne”. Festa e Krishtlindjeve na fton që ta forcojmë këtë ndjesi të pranisë së vazhdueshme të Emanuelit. Që të lëvizim me vizionin, me kriteret dhe me fuqinë e Tij. Me sinqeritetin, dëlirësinë dhe me dashurinë e Tij. Që të jemi të çliruar nga fobitë dhe ankthet, duke vështruar drejt Personit të Tij, duke u mbështetur tek dora e Tij. Që të jemi mbartës të paqes, të drejtësisë, të pajtimit dhe të optimizmit në rrethin tonë të ngushtë dhe në atë më të gjerë. Që të tregohemi të paepur e krijues, edhe në kushtet shoqërore më të vështira dhe të pasigurta. Karakteristikë e besimtarit orthodhoks mbetet, së pari, ndjesia e gjallë e pranisë së Emanuelit; dhe së dyti, përpjekja e vazhdueshme që të bëhet e ndjeshme prania e Krishtit edhe tek të tjerët - me fjalën, me punën, me heshtjen, me tërë ekzistencën tonë.

    Në kohën kur dhuna, padrejtësia dhe varfëria mundojnë njerëzimin dhe na mbushin zemrat me turbullirë dhe ankth, e kremtja e Krishtlindjeve vjen përsëri për të ndezur në shpirtrat tanë dritën e besimit dhe të shpresës. Në epokën e sotme, kur dituria njerëzore na zhyt në pafundësi, në vogëlsinë e pafund të materies dhe në madhësinë e pafund të hapësirës kozmike pambarim, zemra jonë merr hov para mesazhit të besimit të krishterë, se Perëndia i Pafund vjen për të marrë natyrën tonë njerëzore dhe për të na çuar në pikën më të lartë të zhvillimit: në hyjnizimin e njeriut pas hirit.

    Fjala e Perëndisë, vëllezër, erdhi që “mbarë njerëzimin ta ringrejë drejt vetes së Tij” - pra drejt jetës dhe dashurisë së vërtetë. Le ta presim me më shumë përkushtim, duke i hapur tejpërtej dyert e mendjeve dhe zemrave tona. Dhe le të punojmë që ta takojnë Atë sa më shumë nga vëllezërit tanë, që ndodhen afër dhe larg. E tërë jeta jonë mund të transformohet në një festë ngazëlluese, nëse e vërteta se “me ne është Perëndia” bëhet atmosfera, në të cilën do të marrim frymë dhe do të lëvizim.

    Të bekuara qofshin Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Me ndjesinë e vazhdueshme të pranisë së Tij.

    Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
    + Anastasi
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-12-2008 më 14:33

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,065
    Postimet në Bllog
    22
    Krishtlindje 2004

    Dashuria e Perëndisë mishërohet

    “Perëndia është dashuri. Kështu u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne: Perëndia dërgoi birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të rrojmë nëpërmjet tij”(1 Jn. 4:8-9)

    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
    +Anastasi

    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,
    Bij të shtrenjtë më Zotin,

    E vërteta që shpall me ngulm besimi i krishterë është se “Perëndia është dashuri”. Këtë realitet mahnitës thekson në mënyrë gazmore e kremtja e sotme. Krishtlindjet na risjellin në mënyrë solemne në mendje dhe ndërgjegje shprehjen tronditëse të dashurisë së Perëndisë, që e përmbledh vargu i Ungjillit: “Kështu u shfaq dashuria e Perëndisë tek ne: Perëndia dërgoi birin e tij të vetëmlindur në botë, që ne të rrojmë nëpërmjet Tij”.
    Me hyrjen e Fjalës Hyjnore në udhën historike të njerëzimit, dashuria e Perëndisë zbulohet në mënyrën më të fortë: “ajo mishërohet”. Me Trupëzimin e Tij, i Biri i Perëndisë, merr tërë natyrën njerëzore, në tërëqenien e saj shpirtërore dhe materiale. E rikrijon atë. Ky fakt mbetet rrënja e zbulesës së krishterë, që ushqen çdo propozim dhe vlerë tjetër të krishterë.
    Kjo shfaqje konkrete e dashurisë së Perëndisë me anën e “mishërimit”, bën dallimin përcaktues të besimit të krishterë: Perëndia, Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë nuk është një veprim, urtësi dhe fuqi abstrakte, diçka që mendja njerëzore mund të dyshonte dhe t’i afrohej me aftësitë mendore të trurit. Eshtë Perëndi personal plot
    dashuri, që i zbulohet njeriut dhe ndodhet në marrëdhënie të vazhdueshme me të. Një marrëdhënie që bëhet e ndjeshme nga e gjithë qenia njerëzore. Perëndia i dashurisë nuk e braktisi botën, e cila gjen vdekjen nga egoizmi
    dhe urrejtja. Ai lëviz midis nesh, brenda qyteteve tona të zhurmshme, në shkretëtirën e vetmisë sonë, duke dhënë fuqi dashurie, duke falur kuptim dhe plotësim në jetë.


    * * *

    Kjo dashuri e Perëndisë mbetet përjetësisht e dukshme në Trupin mistik të Krishtit, që është “Kisha e Perëndisë së gjallë, shtyllë dhe mbështetje e së vërtetës (1 Tim. 3:15). Misioni bazë i Kishës së Tij është të zbulojë dhe të bëjë të pranishme dashurinë hyjnore tek e këtushmja dhe e tanishmja”, në çdo çast kohor dhe në çdo vend, ku gjendet dhe vepron. Çdo shprehje e jetës së saj, adhurim, fjalë, strukturë administrative, aktivitet, vepër sociale, vetëm kur mishërojnë këtë dashuri të përjetshme të Perëndisë, përderisa e bëjnë vepruese dhe të dukshme,
    kanë rëndësi dhe vlerë të vërtetë.
    Unikaliteti i Kishës së Krishtit qëndron pikërisht në faktin se, në shprehjet e ndryshme të qenies njerëzore, të shoqërisë njerëzore, në vlerat e ndryshme të kulturës, ofron dashurinë, në formën e saj autentike. Nëse ajo pushon së shërbyeri “këtij misteri të madh të shpresëtarisë” (1 Tim. 3:16), që përmbledh fakti se Perëndia i dashurisë “u shfaq në mish”, atëherë “bëhet enë bakri që kumbon ose cimbal që tingëllon”, qoftë edhe nëse ka profeci, dije,
    edhe nëse njeh tërë misteret, qoftë dhe nëse kryen vepra të rëndësishme dhe impresionuese (I Kor. 13:1-3).
    Dashuria e krishterë nuk mbetet në gjëra të përgjithshme dhe të papërcaktuara. Ajo ka shprehje konkrete në jetë - zbulohet në marrëdhëniet njerëzore: “Dashuria është zemërgjerë, bën të mira, dashuria nuk ka smirë, dashuria nuk krekoset, nuk mbahet me të madh, nuk sillet shëmtuar, nuk kërkon të vetat, nuk zemërohet, nuk mendon të keqen, nuk gëzohet me padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën; të gjitha i mban, të gjitha i beson, të gjitha i shpreson, të gjitha i duron. Dashuria kurrë s’bie poshtë” (1 Kor. 13:4-8).


    * * *

    Këto të vërteta nuk janë të pranueshme nga të gjithë njerëzit. Gjatë shekujve, të shumtë ishin ata që nuk e pranuan dhe nuk iu përgjigjën dashurisë së Perëndisë. Disa u tallën me të, të tjerë dyshuan, të tjerë e urryen, disa të tjerë e injoruan. Megjithatë, miliona shpirtra nga të gjitha shtresat shoqërore, nga të gjithë popujt dhe kategori njerëzish, të shkolluar e të pashkolluar, të pasur e të varfër, të privilegjuar ose jo, besuan se “aq shumë e deshi Perëndia botën saqë dha të Birin e Tij të vetëmlindur, që të mos humbasë kushdo që do t’i besojë atij, por të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16). Dhe u përpoqën, brenda mundësive, të mbeten në dashuri, ta bëjnë atë vizion, ideal, akt, vepër dhe përpjekje.
    Njerëzimi u detyrohet të gjithë atyre me mirënjohje të madhe. Duke pasur dëshirë të zjarrtë t’i afrohen Perëndisë dhe të bashkohen me Të, ata “mbetën” në dashuri. Dhe siç na zbulon Ungjillor Joani, “Perëndia është dashuri, dhe kush mbetet në dashuri, mbetet tek Perëndia dhe Perëndia tek ai” (1 Jn. 4:16).
    Çdo qelizë e Trupit të dukshëm të Krishtit, të Kishës, çdo besimtar, është thirrur me anën e pagëzimit dhe pjesëmarrjes në Eukaristinë Hyjnore, që dashurinë e Perëndisë ta shprehë, ta bëjë të dukshme, ta shfaqë, “ta mishërojë” me qenien dhe veprën e tij, në të gjitha kushtet ku jeton. Kush mbetet tek Perëndia, nuk mund të mos dojë ashtu si Ai, me një dashuri që ndërmerr nisma të guximshme, që nuk njeh kufij, paragjykime, që përqafon gjithçka.
    Konfirmimi se “Perëndia është dashuri”, na ngushëllon dhe na çliron nga frika e shumëllojshme, nga frika e tjetrit, që është ndryshe, e të panjohurit, e zhvillimeve të njerëzimit që shpesh parashihen si kërcënuese. Nga frika prej dështimeve dhe ndonjëherë prej humnerës së shpirtit tonë. “Frikë nuk ka në dashuri. Por dashuria e përkryer e nxjerr jashtë frikën” (1 Jn. 4:18).
    Madje, dhe shumë njerëz që mohojnë ose që nuk duan të pranojnë fjalën “Perëndi”, në mënyrë indirekte ata pranojnë emrin tjetër të Tij: “Dashurinë”. Fakti që dashuria përbën vlerën më të lartë të jetës, fuqinë mistike të botës, aq më shumë bëhet e pranueshme, nëpërmjet përvojave të ndryshme dhe mënyrave të të menduarit. Ky fakt bëhet një rrugë e fshehtë kalimi që i çon njerëzit - ndoshta pa e kuptuar - pranë Perëndisë së Dashurisë. Kjo, besojmë, përbën qëllimin final të ecjes së botës.

    * * *

    Këto ditë të shenjta, vëllezër dhe motra, le t’i lëmë mënjanë elementet e shumta të jashtme, zakonet që shpesh nuk kanë të bëjnë fare me thelbin e Ngjarjes, dhe le të mendojmë më me kujdes bërthamën e festës së Krishtlindjeve,
    pra, se me ardhjen e Tij në botë, Krishti zbuloi, “Mishëroi” dashurinë e përjetshme të Perëndisë. Dhe le t’i shtojmë përpjekjet për të rregulluar qëndrimin dhe sjelljen tonë të përditshme sipas kësaj të vërtete. Le ta mishërojmë dashurinë tonë me pastrim të ndjenjave tona për të tjerët, me iniciativa dhe vepra konkrete dashurie. Dhe le t’i përgjërohemi të Trupëzuarit: O Zot, Ti që erdhe midis nesh për të shfaqur dashurinë e pakufishme të Perëndisë, e cila përqafon dhe transformon gjithçka, qëndro tek ne, sidomos gjatë këtyre ditëve. Dhe gjatë Vitit të Ri që do të vijë pas pak ditësh, na bëj të denjë që të mbetemi të qëndrueshëm në dashuri tek Ty.

    Për shumë vjet të bekuara dhe të gëzuara!

    Me uratat e zjarrta të Perëndisë,
    Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit
    dhe i gjithë Shqipërisë
    + Anastasi
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-12-2008 më 14:34

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,065
    Postimet në Bllog
    22
    KISHA ORTHODHOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË

    Krishtlindje 2005

    (Lindja e Diellit të Drejtësisë)


    + Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë


    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,

    “Linde Ti prej Virgjëreshës, o Krisht, Diell shpirtëror i Drejtësisë”, psalëm dje gjatë Shërbesës së Mbrëmësores. Foshnja Hyjnore, Lindjen e së Cilës kremtojmë sot, nuk rrezaton vetëm pafajësi, dëlirësi dhe mirësi, por njëkohësisht është “Dielli shpirtëror” për mbarë rruzullin; “drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Jn. 1:9). Ai lind në historinë e njerëzimit për të zhdukur errësirën dhe pluhurin, për të ndriçuar, për të ngrohur dhe për të gjallëruar qenien tone; për të drejtuar ecjen e mbarë botës. Gjatë periudhës së jetës së Tij në tokë, Fjala e Trupëzuar e Perëndisë, shpalli: “Unë erdha dritë në botë” (Jn. 12:46). “Unë jam drita e botës; ai që më ndjek pas, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Jn. 8:12).

    Njerëzimi, në të kaluarën, ka njohur pika të ndryshme të ndritura. Por, siç ka theksuar Klementi i Aleksandrisë: “Filozofia greke i ngjan shkëlqimit të fitilit që ndezin njerëzit duke vjedhur mjeshtërisht dritën nga dielli. Por, sapo u shpall Fjala, shkëlqeu tërë ajo dritë e shenjtë”.

    Që në periudhat më të lashta, njerëzimi ndjeu rëndësinë unikale të diellit për çdo formë jete mbi tokë. Sa më shumë zhvillohet shkenca, aq më shumë aspekte mahnitëse të ndikimit të diellit njohim. Nën rrezet e tij zbulohet pasuria e papërshkrueshme e ngjyrave, e bukurisë së tokës, të detit e të qiellit dhe kryhet në mënyrë mahnitëse evolucioni i çdo lloji të jetës. Por, “nëse dielli që i nënshtrohet prishjes është aq i bukur... shumë herë më i bukur është dielli i drejtësisë” (Vasili i Madh). Rrezet e Diellit shpirtëror të Drejtësisë hedhin dritë, gjallërojnë hipostazën tonë psiko-trupore, na fuqizojnë në përpjekjen tonë shpirtërore. Ndikimin e Tij mirëbërës ndjejnë në mënyrë indirekte edhe ata që nuk e shohin drejtpërdrejt – nga që re të dendura që errësojnë mendjet dhe zemrat e tyre – madje edhe ata që janë të mbyllur në shpella të errëta pasionesh ose në rrugë të nëndheshme mashtrimi dhe pabesie.

    Karakteristikë bazë e Shpërblyesit është drejtësia. Thirrja “o Diell shpirtëror i Drejtësisë” përjashton çdo keqinterpretim fiziokratik të alegorisë theologjike. Dhe Krishti i porsalindur caktohet si qendër e jetës sonë personale, e shoqërisë dhe e lëvizjes së botës. Me fjalën, me jetën e Tij, me Pësimin dhe Ngjalljen, Jisui do të zbulojë në plotësinë e vet kuptimin e drejtësisë. Do t’i ofrojë njeriut të drejtën e vet si hir dhe përdëllim, do t’i dhurojë pastrimin shpirtëror dhe ndriçimin e mendjes dhe të zemrës, do të shpallë me të madhe lidhjen që bashkon drejtësinë, paqen dhe shpëtimin.

    * * *

    Në epokën e sotme, ku padrejtësia vazhdon të lëndojë në shumë mënyra dhe shpesh në mënyrë vdekjeprurëse miliona shpirtra, dëshira e zjarrtë për drejtësi mbisundon tek njerëzimi në nivel personal, shoqëror dhe ndërkombëtar. Brenda trishtimit dhe zhgënjimit për padrejtësinë shumëformëshe, Fjala e Mishëruar e Perëndisë nuk qëndron indiferente përballë shkeljes së drejtësisë. Perëndia i Pafund zbulohet jo si një Qenie Supreme indiferente, si Njësh i ftohtë, i palëvizshëm i filozofisë, por si Perëndi vetjak, i interesuar drejtpërdrejt për sa ndodhin në botë, si Zot i paqes dhe i drejtësisë. Kjo e vërtetë ofron ngushëllim të thellë. Ndaj, sado që herë pas here duket se dominojnë, nën pretekste të ndryshme, aktet e paligjshme të të fuqishmëve dhe tinzarëve, Dielli i Drejtësisë do t’i zbulojë përfundimisht dhe do t’i neutralizojë qarqet e padrejtësisë së tyre.

    Njëkohësisht, për të gjithë ne, besimtarët që marrim rrezatimin e hirit të Diellit shpirtëror të Drejtësisë, vihet një detyrë e menjëhershme: Të jemi njerëz të drejtë në çdo çast të jetës sonë, në të gjitha marrëdhëniet me njerëzit tanë dhe ata të huaj, të mbështesim me guxim dhe burrëri drejtësinë në jetën shoqërore. Sepse mbetet përherë aktuale dukuria që stigmatizon profeti: “Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë dhe të mirën të keqe; që për dhurata e shfajësojnë të shtrembëtin dhe të drejtit ia mohojnë të drejtën” (Isaia 5:20-21). Nuk janë vetëm qarqet që parakushtëzojnë gjykatat me veprime korruptive, të cilat në vende të ndryshme po minojnë dhënien e drejtësisë. Në nivelet e ndryshme të shoqërisë sonë shumëformëshe, për shmangien e padrejtësisë, kërkohet qëndresë me fjalën, shembullin, sjelljen, qoftë edhe kur kjo gjë ka kosto të lartë. “Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë, sepse e atyre është Mbretëria e Qiejve” (Matth. 5:10), të cilën sjell Krishti i porsalindur.

    Të gjithë ata që i besojnë dhe e duan Perëndinjeriun Jisu, duhet veçse të kërkojnë më parë “mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij” (Matth. 6:33) dhe të përpiqen të bëhen, çdo ditë e më shumë njerëz që kanë uri dhe etje për drejtësi (Matth. 5:6). Jo në mënyrë të jashtme, fariseike, sa për t’u dukur, por në mënyrë të brendshme, personale. “Nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e tepërt se ajo e shkruesve dhe farisejve, nuk keni për të hyrë në Mbretërinë e Qiejve” (Matth. 5:20), shpalli Krishti.

    Ndikimi mirëbërës i Diellit të Drejtësisë arrin edhe në skutat ku nuk i prekin direkt rrezet e Tij. Ndaj, “nga çdo komb pranon atë që ka frikë prej Tij dhe bën drejtësi” (Vep. 10:35). Sa më tepër lidhen me njëri-tjetrin banorët e planetit tonë, aq më shumë dëshira për drejtësi merr përmasa mbarëbotërore. Dëshira dhe përpjekjet për paqe dhe drejtësi mbi tokë, në çdo rast konkret, në çdo kënd të rruzullit, është pjesëmarrje në veprën e Perëndisë dhe ka shenjtëri të padiskutueshme. Gjithashtu, kjo përbën prelud dhe “shenjë” për mbizotërimin përfundimtar të së drejtës, kur Krishti, gjatë ardhjes së Tij të dytë” do të gjykojë mbarë botën me drejtësi” (Vep. 17:31). Aspirata jonë për të parë “qiej të rinj dhe tokë të re... në të cilat rri drejtësia” (II Petr. 3:13), përbën vizionin bazë të krishterë për qëllimin e Historisë. Drejtësia e Perëndisë është për nga natyra eskatologjike, por parashijimi i saj bëhet i ndjeshëm që tani. Dhe kjo siguri eskatologjike lëshon një rrezatim dinamik bamirës në përpjekjet tona, të të gjithëve, për drejtësi, tek e këtushmja dhe e tashmja.

    * * *

    “Linde Ti prej Virgjëreshës, o Krisht, Diell shpirtëror i Drejtësisë”, psalëm me dëshirën e brendshme që të shkëlqejë vazhdimisht edhe në shpirtin tonë. Por “dielli i drejtësisë... nuk u fal të gjithëve kënaqësinë e vet, por vetëm atyre që rrojnë denjësisht sipas tij” (Vasili i Madh).

    Ndaj, është koha që me ndërgjegje t’i drejtohemi Krishtit, Diellit të Drejtësisë, lindjen e të Cilit kremtojmë, me vendimin që të ecim nën dritën e Personit të Tij. Le t’i përgjërohemi që të hedhë dritë në mendjet dhe zemrat tona, në çdo çast dhe fazë të jetës sonë, të mbushë plot dritë paqeje dhe dëshirë drejtësie vendin tonë dhe mbarë botën. Dhurata më e çmuar që mund t’i bëjmë vetvetes për Krishtlindje është ta mbajmë brenda nesh këtë Diell.

    Krishtlindje të bekuara!

    Me uratat e zjarrta të Perëndisë,

    Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjthë Shqipërisë
    + Anastasi
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-12-2008 më 14:34

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,065
    Postimet në Bllog
    22

    KRISHTLINDJE 2006

    Të mendojmë për shenjtërinë e familjes


    † Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë




    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë orthodhoksë,

    Bij të shtrenjtë më Zotin,



    "Virgjëresha lindi sot të Përmbiqenëshmen Fjalë."

    (Shkurtorja e Krishtlindjeve)


    A

    Ne festojmë në Krishtlindje ardhjen e Shpëtimtarit në botë, mishërimin e Fjalës Hyjnore, bashkimin e natyrës njerëzore me atë hyjnore. Njeriut iu dha nga vetë Krijuesi i tij qysh në pikënisjen e historisë së njerëzimit, dëshira e zjarrtë për t’iu përafruar Perëndisë dhe për t’u bashkuar me Të. Dhe siç tregohet në faqet e para të Shkrimit të Shenjtë, djalli shfrytëzoi pikërisht këtë dëshirë për të mashtruar të parëkrijuarit. "Mos iu bindni Perëndisë, kërkoni pavarësinë tuaj dhe atëherë sytë tuaj kanë për t’u hapur dhe do të jeni si Perëndi". (Zanafilla 3:4). Por, të parëkrijuarit duke ndjekur këtë këshillë djallëzore nuk u bënë "si Perëndi", por të dyve iu hapën sytë dhe "ata panë se ishin lakuriq". (Vargu 7). E kuptuan se ishin të zhveshur, të dobët dhe të pambrojtur. Edhe pasardhësit e tyre jetuan një aventurë të mbushur me dhimbje, konflikte dhe dështime.

    Por dashuria e Perëndisë ndërhyn në këtë rrugëtim paranojak të njerëzimit. I Përmbiqenëshmi trupëzohet me vullnetin e Tij duke marrë natyrën njerëzore, për ta çuar gjininë njerëzore drejt Hyjnizimit të dëshiruar. E bën këtë nëpërmjet përulësisë, mohimit të vetes dhe dashurisë, rrugë kjo që në përfundim do të ndriçohet me Kryqin dhe dritën e tërëndritshme të Ngjalljes së Perëndinjeriut. Kjo e vërtetë tronditëse përshkruhet nga himnshkruesi në një mënyrë përmbledhëse, duke iu drejtuar Hyjlindëses së Përmbishenjtë, e cila bashkëpunoi në Trupëzimin e Fjalës Hyjnore: "Dëshirë më nxiti gjarpri dinak, për t’u bërë i barabartë me Krijuesin e me këtë rob më zuri. Por, o e Tërëshenjtë, me bashkëpunimin tënd u thirra përsëri (në lavdinë e parë) e me të vërtetë u hyjnizova. Dhe ti, Nënë e Perëndisë, linde Atë që më hyjnizoi mua). (Kanoni i Shën Nikollës, ode e parë).

    Mashtrimi i parë i kryer në fillesën e historisë së njerëzimit, u vazhdua më tej në forma të ndryshme. Nxitje të tjera të ngjashme djallëzore e çuan njerëzimin drejt katastrofës. Udhëheqës fodullë të çdo lloji propozuan në kohë të ndryshme idetë dhe teoritë e tyre, që njerëzit të bëhen "si perëndi". Ata vetë dëshiruan shpeshherë pushtete hyjnore dhe kërkuan të drejtojnë njerëzimin në begati me të njëjtën predispozitë bazë: Larg Perëndisë. Pa Perëndinë. Kjo parullë e lashtë dëgjohet shumë shpesh edhe sot, në variante të ndryshme, duke pasur si rezultat robërinë ndaj vetëshkatërrimit, poshtërimin e personit njerëzor, hyjnizimin e pasioneve dhe skllavërimin ndaj interesave të paligjshëm.

    Kisha, - "Trupi i Krishtit"- duhet të veprojë në këtë aventurë të rrezikshme me urtësinë, fuqinë dhe parimet e Krishtit Perëndinjeri, i Cili është Kryeja e saj e përjetshme. Kisha duhet të theksojë vlerën e personit njerëzor - pavarësisht gjinisë, moshës, prejardhjes dhe arsimimit. Duhet të interesohet në mënyrë të veçantë për ata të cilëve iu është bërë padrejtësi, për të varfrit dhe të hidhëruarit. Kisha duhet të kultivojë respektin e sinqertë për dinjitetin e çdo njeriu si "ikonë e Perëndisë", që është thirrur të ecë drejt "shëmbëllimit", duke e përdorur siç duhet lirinë e tij dhe dashurinë, për lartësimin e mbarë gjinisë njerëzore.


    B

    "Virgjëresha lindi sot të Përmbiqenëshmen Fjalë."

    Tregimi i Ungjillit në lidhje me ngjarjen e Lindjes së Zotit, na fton të përqendrojmë vëmendjen tonë edhe në një pikë tjetër: I Përmbiqenëshmi, Biri i i Perëndisë, duke ardhur në botë, mohoi komoditetet, banesën, mohoi pasuritë dhe shumë nga ato që njerëzit i konsiderojnë të domosdoshme. Ai zgjodhi dhembshurinë e Nënës së Tij të Tërëshenjtë, si të nevojshme dhe të mjaftueshme. Ai, I Cili si Perëndi është vetë dashuria që ekziston, pranon dashurinë e nënës si përshëndetjen më të vërtetë njerëzore. E Tërëshenjta, me dhembshuri, "e mbështolli me shpërgënj dhe e vendosi në grazhd". (Luka 2:7). Në ikonat bizantine, foshnja Jisu nuk duket thjesht se po pranon përkujdesjet e dhembshura të Nënës së Tij, por edhe i përgjigjet asaj me Dashurinë e Tij Hyjnore. Ekziston reciprocitet.

    Josifi i drejtë, nga ana e tij, mbështet dhe e përforcon ngrohtësinë e Nënës, heshturazi, me urtësi dhe mirësi, duke i ofruar Krishtit të sapolindur dhe Nënës së Tij të Tërëqashtër mbrojtjen njerëzore. Merr përsipër të mbrojë Foshnjën Hyjnore, meqenëse mjedisi rreth e rrotull kthehet nga një ambient indiferent dhe jomikpritës, në agresiv dhe i rrezikshëm. Ata që e sigurojnë Foshnjën e pambrojtur Hyjnore, ndaj kërcënimeve dhe përndjekjeve, janë dy përfaqësues të gjinisë njerëzore.

    E Tërëshenjta dhe Josifi E shpëtojnë, duke emigruar në Egjipt, dhe janë po ata që E sjellin përsëri në tokën e shenjtë dhe E çojnë për t’u falur në Jerusalem kur ishte dymbëdhjetë vjeç. Krishti si fëmijë "iu bindej atyre". (Luka 2:51). Pra, bërthama e parë njerëzore, në të cilën zhvillohet Perëndinjeriu gjatë fazës së parë të jetës së Tij, është mjedisi familjar. Krishti e bekon familjen edhe në vazhdim, në fillim të aktivitetit të Tij, kur bën mrekullinë e parë në Kanë të Galilesë. Familja bëhet në këtë mënyrë qeliza bazë e shoqërisë, qelizë që frymëzohet nga besimi i krishterë.

    Megjithëkëtë, pështjellimi i përgjithshëm ideologjik dhe shpirtëror në ditët tona, i cili përbuz vlerat njerëzore të dhëna nga Perëndia, e ka çuar familjen në një krizë të shumanshme. Si mund të ekzistojë harmoni familjare pa një besnikëri të ndërsjellë, pa pasur mirëkuptim, frymë faljeje, përkushtim dhe vetësakrifikim? Marrëdhëniet familjare janë helmuar nga ide dhe prirje të tjera; madje kjo ndodh edhe në marrëdhëniet më të natyrshme dhe të shenjta, siç janë ato midis fëmijëve dhe prindërve. Gjithnjë e më shpesh dëgjojmë për konflikte brenda në familje, madje edhe për dhunë brenda saj; dukuri që i vënë fitilin qëndrueshmërisë e paqes së familjes dhe traumatizojnë psiqikisht të mëdhenj dhe të vegjël. Por kur kjo bërthamë bazë e shoqërisë tronditet, pra vatra familjare, që e mbron njeriun dhe siguron progresin e tij,- atëherë plagoset rëndë vetë njeriu si personalitet; dhe çon në shkallë të gjerë në dekadencë shpirtërore.


    * * *

    "Virgjëresha lindi sot të Përmbiqenëshmen Fjalë."

    Vëllezërit e mi, le të mbushet zemra jonë me lavdërim dhe mirënjohje për ardhjen e Fjalës Hyjnore në historinë e njerëzimit. Edhe mendja jonë le të mos reshtë kurrë së menduari për pasojat shpëtimtare të kësaj ngjarjeje.

    Në të njëjtën kohë le të mendojmë me më seriozitet për shenjtërinë e familjes. Forcimi i solidaritetit dhe i dhembshurisë brenda familjes përbën një shprehje thelbësore të besimit dhe të mirënjohjes sonë ndaj Zotit tonë.

    Le të kërkojmë nga Krishti dhe Nëna e Tij e Tërëshenjtë të na falin diçka prej dashurisë së tyre të vërtetë; dhe le t’i përgjigjemi kësaj dashurie duke e ofruar atë, gjatë Vitit të Ri, si në mjedisin tonë familjar, ashtu dhe më gjerë në shoqërinë ku jetojmë.

    Krishtlindje të bekuara!



    Me lutje të zjarrta tek Perëndia

    Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë

    † Anastasi
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-12-2008 më 14:35

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,065
    Postimet në Bllog
    22
    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

    Krishtlindje 2007


    MERGIMI



    +Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë


    Drejtuar klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks

    Bij të shtrenjtë më Zotin,

    Fjala e Perëndisë mori natyrën e njeriut dhe u përfshi në historinë njerëzore. Këtë Ngjarje tronditëse kremtojmë gjatë Krishtlindjeve. Perëndia i përjetshëm, “Ai që ka qenë, u bë për ne ajo që nuk ishte, dhe ndërsa nuk iu largua natyrës, mori nga brumi ynë”.

    Por, krahas kuptimit qendror theologjik dhe antropologjik, kjo Ngjarje ka të bëjë me hollësi të veçanta tipike që hedhin dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës njerëzore, siç është edhe përvoja e mërgimit. Që në vitet e Tij të para, Jisu Krishti, Nëna e Tij e Përmbishenjtë dhe Josifi i drejtë, morën rrugën e gjatë për në Egjipt (Matth. 2:14), të pajisur me besimin absolut ndaj providencës dhe mbrojtjes së Perëndisë. Pra, Jisui, ende foshnjë, ka jetuar si i huaj në vend të huaj. Ai përjetoi dhe shenjtëroi këtë formë jete, që njerëz të panumërt përjetojnë edhe sot e kësaj dite.

    Më vonë, gjatë veprimtarisë së Tij publike, Krishti theksoi detyrën e respektit dhe interesit ndaj të huajve. Madje, duke folur për fundin e historisë, Ai u identifikua me ta. Në Gjykimin përfundimtar gjatë Ardhjes së Tij të Dytë, si kriter bazë që do të ndikojë përfundimisht në vlerësimin e njerëzve, Ai përcaktoi qëndrimin e tyre ndaj të huajve: “Isha i huaj dhe ju më morët në shtëpi”, ose për ata që qëndruan indiferentë në këtë detyrim: “isha i huaj dhe ju nuk më morët brenda” (Matth. 25:35,43).

    Jisui u gjend në pozitën e “të huajit” si në fillim ashtu dhe në fund të jetës së Tij në tokë. Një himn paraqet Këshilltarin e nderuar Josif, duke i kërkuar Pontit Pilat Trupin e Krishtit të kryqëzuar, me këto fjalë: “Jepmë këtë të huaj që u bë i huaj qëkurse ishte foshnjë”, të cilin “hebrenjtë” dhe armiqtë e Tij të herëpashershëm “e bënë të huaj për shkak të smirës”.

    * *

    Jetesa në dhé të huaj, mërgimi, ka plagosur botën e sotme. Kulmon me emigrimin e zgjerohet më tepër nga të qenët i huaj, gjë që e ndiejnë shumë njerëz në një mjedis shoqëror indiferent. Të gjithë ata që gjatë këtyre të kremteve rrojnë në mërgim apo në forma të ndryshme mërgimi, le të sjellin ndër mend me besë Mërgimtarin e madh, i Cili përjetoi edhe këtë përvojë njerëzore dhe është i gatshëm t’u gjendet pranë në vuajtjet, privimet dhe vetminë e tyre, kudo që ata ndodhen.

    Ato familje që kanë pjesëtarë të tyre në dhé të huaj, ndërsa mendjen e tyre e kanë të drejtuar tek të mërguarit, dashurinë e tyre le t’ia bëjnë lutje të thellë Atij “që di të përkujdeset për të varfrit dhe të huajt”. Çdo njeri merr mbështetje, kur ndien se disa njerëz e duan me të vërtetë dhe mendojnë për të, qoftë edhe nëse ndodhen larg tij.

    Shumë takojnë në vendin e tyre njerëz që kanë lënë atdheun të shtyrë nga nevoja të ndryshme mbijetese. Frika, dyshime dhe shqetësime ndaj atij që është ndryshe dhe i huaj, synojnë t’u mbyllin zemrat. Të gjithë ne që I besojmë vërtet Krishtit, le të mos harrojmë se respekti ynë për të huajin, pasqyrohet në Vetë Krishtin, i Cili u identifikua aq qartë me të.

    * *

    Por, përveç atyre që janë formalisht të “huaj”, në epokën e sotme shpesh vendosim në kategorinë e të huajit edhe njerëz të njohur dhe të afërt. I largojmë dhe i izolojmë ata; dhe arrijmë derisa të shohim si të “huaj” madje dhe njeriun që kemi pranë. Tendenca e distancimit e shkreton jetën tonë. Ashtu si ndryshimet klimaterike në planet zgjerojnë gjithnjë e më shumë shkretëtirat, në të njëjtën mënyrë edhe ndryshimet e sotme sociale shkretojnë marrëdhëniet njerëzore, sidomos në qytete. Ndaj, njerëzit e përballojnë njëri-tjetrin në mënyrë patetike, indiferente, si të huaj, dhe e lënë veten e tyre të zhytet në vetmi.

    Ky izolim i individit, i egos, shpesh arrin në pikën tragjike të largimit, madje dhe nga elementi më i çmuar i personalitetit tonë: nga thellësia e vetes sonë, nga nevojat dhe kërkimet tona ekzistenciale. Shumë nga ne i shmangemi të merremi me “qenien” tonë të vërtetë, me personin tonë të vërtetë. Përfundimisht ne e kalojmë atë si të ishte “i huaj”.

    Shkaku? Sa më shumë largohemi nga “Qenia e Qenësishme”, Zoti i gjithësisë, Perëndia Triadik, aq më shumë bëhemi të huaj me veten tonë dhe me të tjerët; jo vetëm me ata që janë formalisht të huaj, pra të ardhur, por edhe me njerëzit tanë më të afërt.

    Mishërimi i Fjalës Hyjnore dhe mënyra e Ardhjes së Saj në tokë ka rëndësi të madhe dhe unikale për secilin nga ne. Një himnshkrues i Kishës sonë, duke iu drejtuar Perëndinjeriut, thotë shprehimisht: “I huaj u bë në të tijat, për të thirrur të kthehej në qiell, atë që kishte mërguar mjerueshëm larg nga Parajsa” (Ode I, 24 dhjetor). Me Trupëzimin e Tij, me jetën, veprën dhe sakrificën e Tij, Krishti na çliroi nga “mërgimi” më tragjik, largimi nga Perëndia. Të bashkuar me Të, nuk jemi më “të huaj dhe të jashtëm”, por “pjesëtarë të familjes” së Perëndisë (Efes. 2:19).

    * *

    Duke festuar Krishtlindjet, ftohemi të ndërgjegjësohemi se respekti ynë dhe interesimi për tjetrin, “të huajin”, është shprehje e besimit dhe e dashurisë për Vetë Krishtin, i Cili me Lindjen e Tij veshi të gjithë natyrën njerëzore.

    Le të urojmë dhe të përpiqemi, në vitin që po vjen, për të rritur interesimin dhe dashurinë tonë për Fjalën e Perëndisë të bërë njeri, Krishtin, dhe për vëllezërit tanë - si për ata që ne i quajmë “tanët” ashtu dhe për ata që i konsiderojmë “të huaj”.

    Gëzuar Krishtlindjet dhe Vit të Ri të bekuar!

    Me të gjithë dashurinë më Krishtin Jisu, Zotin tonë,

    + Anastasi
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-12-2008 më 14:36

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-09-2005
    Postime
    40

    Mesazhi i Kryepiskopit Anastst - Krishtlindje 2008

    Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

    KRISHTLINDJE 2008

    ÇUDI!


    [i]† Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë



    Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,
    Bij të shtrenjtë më Zotin,


    “Fjala, i bashkëqenshëm me Atin, ngjizet prej
    gjakrash virgjërorë,..., lind në shpellë, çudi!”
    (Lavdërimi i Himneve të 21 dhjetorit).

    Të gjitha sa lidhen me festën e Krishtlindjes habisin. “Fjala”, i paafrueshmi dhe i pakonceptueshmi, “që ka të qenët një me Atin”, “bir njeriu” bëhet, që ta çojë përfundimisht njeriun në lartësi të jashtëzakonshme: në hyjnizim. Biri i Perëndisë, duke marrë natyrën njerëzore, “që me anë të kungimit të Hyjnisë të bashkëhyjnizohet njerëzorja” (Shën Grigori i Nisës), i dha vlerë të habitshme çdo personi njerëzor në mbarë dhenë. E lartësoi njeriun në mënyrë të pakrahasueshme më tepër, nga sa është përpjekur çfarëdolloj teorie humaniste dhe teze ateiste.
    Kjo ngjarje kozmohistorike zhvillohet në një mënyrë të çuditshme: Nëna Virgjëreshë, pas Lindjes, “e mbështolli atë me shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Luk. 2:7). Ai që vjen për të udhëhequr gjininë njerëzore drejt shpëtimit “lindet në shpellë”, mohon çdo lloj forme të botës së jashtme, përbuz luksin, jeton nga çasti më i parë jetën e njerëzve të thjeshtë, të të përulurve dhe të varfërve, pra të shumicës dërrmuese të popullsisë së tokës.
    Por në të njëjtën kohë, Ungjillorët zbulojnë një tjetër prani të habitshme: Rreshta engjëjsh që këndojnë “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, e mbi njerëzit mirëdashje”. Më tej habit adhurimi i të urtëve nga Lindja dhe mania paranojake e Herodit, që kërkon të shfarosë Foshnjën Hyjnore, si kundërshtarin e tij të ardhshëm. Himnologjia e Kishës sonë na e tregon këtë ngjarje mahnitëse: “Fjala, që ka të qenët një me Atin, pasi u zu prej gjakrash të dëlirë virgjërorë (pasi u ngjiz në mitrën e Virgjëreshës),... lind përsëri në shpellë: çudi!” Fjala e përjetshme e Perëndisë, vjen në kohën e kësaj bote në një mënyrë të panjohur më parë, në heshtje dhe thjesht.
    Ngjarja tronditëse që ndryshoi rrjedhën e historisë së botës zhvillohet pa zhurmë, larg nga qendrat e vendimeve politike dhe ushtarake të Perandorisë Romake, që besonin se rregullonin fatin e planetit; larg rretheve ekonomike dhe tregtare, larg nga qarqet filozofike dhe fetare të botës së atëhershme, që mendonin se njihnin ligjet e natyrës apo ligjet e Perëndisë. “Se këshillat e mia nuk janë si këshillat tuaja, as rrugët tuaja nuk janë si rrugët e mia, thotë Zoti” (Isaia 55:8), ka theksuar profeti Isaia.
    Të gjitha sa kanë lidhje me Jisu Krishtin, në pamje të parë përbëjnë një sfidë për logjikën e zakonshme. Shpesh e përmbysin, por përfundimisht e zgjerojnë horizontin e saj. Kanë një dinamikë të pashtershme, një energji krijuese. Sa njohën Krishtin, sa e besuan dhe u lidhën me anë të dashurisë me Atë, konstatojnë dhe përjetojnë se Perëndia Triadik, të Cilin e zbuloi Jisui, nuk është një fuqi e epërme jopersonale, statike, moskokëçarëse, por është Perëndia i gjallë i dashurisë, Perëndia i të papriturave. Pa zhurmë, Ai çel horizonte të reja, aty ku të gjitha duken të mbyllura dhe pa shpresë. Ndërhyn me mënyra të pashpresuara në rrugëtimin e njerëzimit, të komunitetit në të cilin bëjmë pjesë, si edhe në jetën tonë personale. I jep jetës sonë zgjidhje të papritura për probleme të pazgjidhshme. Shpresa që ofron kjo e vërtetë në sprova na fuqizon dhe na ripërtërin. Dashuria që ajo shpërndan, pra dalja nga egoja jonë për të takuar tjetrin, shoqërohet nga hareja dhe paqja e brendshme. Jeta “më Krishtin” është e mbushur me eksperienca të mrekullueshme. Bëhet fjalë për një transformim shpirtëror të vazhdueshëm.

    * *

    Përkundrazi, mënyrat si e festojmë Krishtlindjen, në kohën tonë përbëjnë një çudi të hidhur. Në vend të thjeshtësisë dhe të përulësisë, mbizotëron luksi, të dukurit, lakmia, dëshirimi dhe nxjerrja në pah e pasurisë materiale, prirja marramendëse për kënaqësi, nënvlerësimi dhe përbuzja e të mirave shpirtërore.
    Madje në këtë epokë, po e shqetëson planetin një tjetër e papritur e pakëndshme: kolapsi i ekonomisë. Aktiviteti ekonomik i shtrembër, që adhuron fitimin dhe injoron e përbuz njeriun dhe zhvat krijesën, çoi në krizën e njohur ekonomike botërore, që si një uragan i tmerrshëm kërcënon pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Por kryesisht përfundon në një mundim të ri të miliona njerëzve të thjeshtë dhe të varfër.
    Propozimet për daljen imediate nga kriza, janë të shumta dhe të lavdërueshme. Por në një periudhë afatgjatë, më në përgjithësi sprova që kalon njerëzimi kërkon ndryshime më rrënjësore. Fjala e përjetshme e Perëndisë, Mishërimin e të Cilit ne festojmë, tregon në mënyrë diakronike drejtimin: Thjeshtësi dhe vetëpërmbajtje në jetën personale. Më shumë reciprocitet, më tepër dashuri autentike dhe respekt të vërtetë ndaj dinjitetit të çdo personi njerëzor, kudo dhe në çfarëdolloj kushtesh që ka lindur. Sepse merr pjesë në natyrën njerëzore, të cilën e mori dhe e lartësoi Biri i Perëndisë. Kjo formë jetese e rinovon jetën dhe e pasuron nga ana shpirtërore, duke i falur asaj bukuri unike. Dhe si përfundim, përforcon drejtësinë shoqërore dhe krijon qytetërimin e vërtetë.

    * *

    Le ta festojmë ardhjen e Çlirimtarit dhe le të tregojmë përkushtimin dhe besnikërinë tonë ndaj Atij, duke rezistuar cilësisht ndaj mentalitetit sundues të lakmisë, zemërngurtësisë dhe abuzimit me mjedisin. Këto e kanë çuar njerëzimin në idhujtarinë e re të parasë, të pasurimit të paligjshëm. Njeriu bashkëkohor, duke mos e vënë në qendër Fjalën e Perëndisë dhe duke përbuzur Perëndinjeriun, përfundoi në nënnjeri. Sa vuajmë për lartësimin esencial të shoqërisë, ftohemi t’i rezistojmë këtij mentaliteti, ngado që të vijë, ndaj kujtdo që edhe e ushqen.
    Fjala e bërë njeri e Perëndisë së urtësisë dhe dashurisë, le të drejtojë përditë jetën tonë, duke e mbushur atë me optimizëm dhe hare, në këto ditë festive dhe gjatë gjithë vitit të ardhshëm.
    Krishtlindje të bekuara!
    Me të gjithë dashurinë time më Krishtin



    + Anastasi
    Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 29-12-2008 më 15:52

Tema të Ngjashme

  1. Zemra e plagosur nga dashuria: Mbi sëmundjen
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 06-06-2011, 05:15
  2. Letra e Kishës së Romës drejtuar Kishës së Korinthit
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-03-2007, 16:35
  3. Shkrimet e Hershme: Bariu i Hermansit
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 13-12-2006, 08:01
  4. Ungjilli si bazë e jetës
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 08-06-2006, 22:59
  5. DOKTRINA - Kapitulli III: Trinia e Shenjtë
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-03-2005, 23:02

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •