Në matjet që ka bërë Gallup International, kosovarët kanë qenë ndër qytetarët më optimistë të botës që nga fillimi i këtij shekulli, ndërsa në vendin e dytë këtë vit janë radhitur qytetet kryesore të Kinës (53%)
Hulumtimi i fund-vitit "Zëri i popujve" i Gallup International sërish ka nxjerrë Kosovën në krye të vendeve më optimiste në botë. Në këtë hulumtim që ka përfshirë 45,700 respondentë nga mbarë bota dhe ka konkluduar se viti i ardhshëm pritet më shumë me pesimizëm (35%) sesa me optimizëm (27%) - Kosova zënë vendin e parë në kategorinë e vendeve optimiste, ku 60% të njerëzve kanë thënë se viti 2009 do të jetë më i mirë se viti 2008.
Hulumtimi është zhvilluar në mes të tetorit dhe dhjetorit të vitit 2008 - në kohën kur kishte eksploduar kriza globale financiare - dhe i ka pyetur njerëzit në 46 vende në kontinente të ndryshme "Sa u përket juve, a mendoni se viti 2009 do të jetë më i mirë apo më i keq se viti 2008?". Në Kosovë hulumtimi është kryer nga Index Kosova në nëntor 2008 dhe ka përfshirë 1,012 respondentë shqiptarë dhe minoritete (pa serbë). Në matjet që ka bërë Gallup International, kosovarët kanë qenë ndër qytetarët më optimistë të botës që nga fillimi i këtij shekulli. Sidoqoftë, në vendin e dytë këtë vit janë radhitur qytetet kryesore të Kinës (53%). Më tutje rangimi sjell vende si Australia (49%) dhe fqinjin e saj Zelandën e Re (44%), Libanin (48%) dhe Kolumbinë (48%), të pasuar nga Rusia dhe India (të dyjat nga 42%). Bahraini (41%) dhe Maqedonia (40%) janë gjithashtu në mesin e dhjetë vendeve të para. SHBAtë janë në vendin e 11-të në listën e optimistëve (38%).
Gjithashtu, duhet të theksohet se vitin e kaluar, vendet më optimiste kanë pasur përqindje më të larta të optimizmit ku së paku gjysma e popullsisë së të gjitha vendeve në listë pritnin që ky vit të jetë më i mirë. Kosova nuk është përjashtim - vitin e kaluar 68% e kosovarëve kanë pritur që ky vit të jetë më i mirë, kurse sivjet numri i optimistëve në Kosovë ka rënë në 60%. Duke shikuar në anën tjetër të shkallës së optimizmit/pesimizmit, dhjetë vendet më pesimiste janë të gjitha vende ku më shumë se gjysma e të intervistuarve presin që viti 2009 të jetë më i keq sesa viti 2008. Është interesante të theksohet se vitin e kaluar pesimizmi nuk ka qenë aq i lartë dhe në vetëm një vend (Senegal) pesimistët ishin mbi 50%. Një rezultat tjetër befasues i kësaj tabele të vendeve më pesimiste është se kryesohet nga vendi më optimist i vitit të kaluar - Hong Kongu (67%).
Gazeta /Koha.com.mk/
Krijoni Kontakt