Përballja Itali-Brazil rrezikon të mos përfundojë kurrë. Më 10 shkurt, në Londër, do të zhvillohet "ndeshja", nëntë kupa bote në 90 minuta, miqësorja e shekullit. Por sfida ka filluar në distancë, midis Dungës dhe Lipit.


Trajneri i kombëtares flet për Amaurin, prurjet e reja në skuadër dhe analizon ekipet italiane
Përballja Itali-Brazil rrezikon të mos përfundojë kurrë. Më 10 shkurt, në Londër, do të zhvillohet "ndeshja", nëntë kupa bote në 90 minuta, miqësorja e shekullit. Por sfida ka filluar në distancë, midis Dungës dhe Lipit. Në Brazil, më në fund, kanë filluar të mendojnë për Amamurin, një lojtar i shkëlqyer që Lipi po mendon ta përfshijë në kombëtaren e tij, duke filluar nga kjo verë "pa iu lutur askujt, si dhe duke mirëpritur ata që duan Italinë".

Praktikat e "instalimit" kanë filluar, por përshtypja është se në fund do të jetë juventini ai që do të zgjedhë. "Kur dhe, nëse do të bëhet italian, madje do të italianizohet, do të riflasim për këtë," - i bie shkurt tekniku i të kaltërve, të cilit Amauri do t'i ofronte shumë zgjidhje taktike. Në krah të Tonit (ose Xhilardinos) në skemën 4-4-2, mesfushor i avancuar në modulin 4-2-3-1, qendërsulmues në 4-3-3 me dy lojtarë krahu. Do të ishte një ndryshim i madh, në prag të Botërorit. Ndoshta për këtë arsye Lipi do t'i kalojë pushimet dimërore në Brazil.

- Në listë janë edhe Kasano, Toti, Del Piero...

- Lojtarët i shoh, vendet janë të limituara, por të gjithë duhet të ëndërrojnë kombëtaren. Po ndërtoj një grup me forcën psikologjike të atij të mëparshmit, duke parë edhe moshën e atyre që kanë luajtur në Gjermani 2006, pa ekzagjeruar me rinovimin. Jam në rrugën e duhur.

- Eshtë entuziazmues Juventusi i të rinjve. Nga Markizio te De Çelje, ka vend tek "axurrët"?

- Pas verës. Kaziragit ia kam thënë menjëherë: do të marr Rosin, sepse është gati. Të tjerët, në vazhdim.

- Duhej Seria B, për të rifilluar me "të rinj dhe italianë"?

- Këtë nuk e si. Mua Juvja më pëlqen. Eshtë protagonistja e vërtetë e këtij viti, ka dalë e para në grupin e Championsit. Dhe gjithçka pa Bufonin, Kamorranezin, Trezegenë. Mungesa të rëndësishme.

- Do të jetë e vështirë t'ia heqësh kampionatin nga duart Interit.

- Pikërisht kështu! Do të fitojë, por do të luftojë deri në fund me Juventusin dhe Milanin. Avnatazhi i tanishëm nuk ka rëndësi.

- Pse Interi?

- Eshtë ekipi më i fortë, ka organikën më të mirë, është bërë një skuadër e vërtetë.

- Si ju duket Mourinjo, në aspektin taktik?

- I avancuar. E organizon skuadrën, duke shfrytëzuar në maksimum karakteristikat e lojtarëve të tij. Me dy lojtarë krahu, nëse ka në maksimum Mansinin dhe Kuarezmën, me dy qendërsulmues, me skemën e rombit, me Stankoviçin mesfushor i avancuar... Më pëlqen, më ngjason, është praktik.

- Të rejat më të bukura?

- Tredhëmbëshi i Udinezes, Pepe dhe D'Agostino, pa pasur parasysh rezultatet e fundit negative. Dhe Napoli me Lavecin, Hamsik, Garganon, Vitalen, Maxhion, skuadër që është prej kohësh në majat e kampionatit, një lojë e shkëlqyer me vertikalizime shumë të shpejta.

- Trajneri që ju pëlqen më shumë?

-Vetëm një? Balardini, Marino, Xhiampaolo, Gasperini... Italianët janë më të mirët në botë. Pa përmendur këtu Kapelon, Ançelotin, Prandelin dhe Spaletin: edhe në Serinë B apo në C janë më të mirët.

- Bekham te Milani, investim i goditur?

- Eshtë një profesionist i madh, mund të luajë në të gjitha rolet e mesfushës, në krah, para mbrojtjes. Nëse krijohet një harmonizim, siç ka ndodhur me Ronaldinjon, gjithçka do të shkojë për mrekulli. Vetëm një problem: ka shumë pak kohë në dispozicion.

- Skuadra më e bukur?

- Forca dhe siguria e Mançesterit më frikësojnë, por më pëlqen më shumë Barcelona. Eshtë kënaqësi ta shikosh kur luan me topa të ulët, një ose dy takime, Mesi, Eto'o i rigjetur. Dhe guximi për të kaluar Guardiolën nga ekipi i të rinjve te skuadra e parë.

- Një lojtar i ri për kombëtaren?

- Emra mund të them shumë, por e rëndësishme është të mos ketë keqkuptime. Nëse vlerësoj dikë, nuk do të thotë se të nesërmen do ta grumbulloj. Mund të përmend Biazhiantin, Galopën, D'Agostinon, Paladinon, Espoziton, Brigi i shkëlqyer dhe i heshtur, Flokari, Guarente.

- Emocioni më i bukur? Ndoshta thyerja e rekordit të Vitorio Pocos?

- Po. Në mes të atyre rezultateve pozitive është edhe fitorja e Botërorit. Edhe Klemente dhe Bazile kanë kapur kuotën 31, por pa fituar Kupën e Botës. Jam shumë krenar për këtë.

- Itali-Brazil, për të shkuar në 32, rekordi absolut.

- Nëntë kupa bote në fushë, por unë nuk jam ndeshur kurrë me një ekip brazilian, në nivel klubesh dhe kombëtaresh.

- Më pas, vjen Kupa e Konfederatave. Një Botëror i vogël?

- Po, por kush e fiton shpesh nuk fiton Kupën e Botës. Do të bëjmë eksperiencë, do të njihemi më mirë me Afrikën e Jugut.