Numri i lindjeve në Shqipëri ka vijuar të bjerë që prej vitit 1990. Papunësia dhe vështirësitë ekonomike bëjnë që çiftet të lindin gjithmonë e më pak fëmijë, ndërkohë që abortet po arrijnë rekorde. Shumë çifte abortojnë vetëm për faktin se fëmija është vajzë.
TIRANA- Dikur vendi me numrin më të madh të lindjeve në rajon, sot Shqipëria renditet me lindje gjithmonë e më të pakta.
Sipas institutit të statistikave, në vitin 2007, në vend janë regjistruar 33200 lindje, krahasuar me 52 mijë në vitin 2006. Që prej vitit 1990 kur regjistroheshin 82 mijë lindje në vit, numri ka ardhur në rënie të vazhdueshme.
Zyhdi Dervishi, profesor sociologjie thotë se standardi i jetesës ka kushtëzuar edhe lindjet në Shqipëri. Sipas tij pasiguria e vendit të punës është arsyeja kryesore që çiftet vendosin të kenë vetëm një fëmijë.
Dervishi ja atribuon rënien e lindjeve edhe ndryshimit të vlerave shoqërore, sidomos për profesionistët. Pamundësia për tu martuar dhe për të formalizuar një lidhje janë edhe shkaqet kryesore që çiftet vendosin të mos bëjnë fëmijë.
Gjithashtu, të rinjtë janë të etur për të ecur përpara në karrierën e tyre, dhe kjo është një arsye më shumë për të mos patur fëmijë – tha Dervishi.
Ministria e shëndetësisë e lidh këtë fakt me arsyet socio- demografike. Sipas specialistëve emigrimi i të rinjve dhe abortimi është një faktor që çiftet nuk bëjnë fëmijë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 1990 kanë emigruar 25% e popullsisë në gjendje aktive riprodhimi.
Ndërkohë abortet në Shqipëri janë të lejueshme kur shtatëzania te gruaja shkakton probleme sociale dhe psikologjike. Por burime jo zyrtare raportojnë se nëpër klinika private bëhen një numër i madh abortesh të padeklaruara.
Abortet shumicën e herëve bëhen për shkak të rrethanave të vështira ekonomike.
Ndërkohë një numër i madh familjesh divorcojnë vetëm për faktin se fëmija është vajzë. Tradita shqiptare e të pasurit djem vazhdon të shkaktojë probleme sociale në Shqipëri- thotë Dervishi.
Por megjithë rënien e lindjeve, Shqipëria vazhdon të qëndrojë në krye të vendeve të rajonit sa i përket lindjeve. Kështu Shqipëria renditet e dyta pas Turqisë, e ndjekur nga Maqedonia dhe Mali i zi.
(O.Zhupa/ BalkanWeb)
Krijoni Kontakt