E enjte 7 Tetor 2010 9:51
Të premten më 1 tetor , pas namazit të xhumasë në qendër të Drenasit në prani të shumë besimtarëve e mysafirëve të ftuar, ku qenë i pranishëm edhe Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava me bashkëpunëtorë, zëvendësministri i Administratës publike, Amir Ahmeti, kryetari Drenasit, Nexhat Demaku, ai i Skenderajt, Sami Lushtaku, përfaqësuesi i familjes Jasharaj, baca Rifat, kryetari i këshilli të BI së Drenasit, Osman Musliu me bashkëpunëtor, pastaj kryetar, kryeimam e imamë të shumë këshillave vendore të BI-së, si dhe të ftuar të tjerë, në një solemnitet rasti u vu gurthemeli i qendrës islame në Drenas, në kuadër të cilës pritet që të jenë edhe selia e këshillit, qendra kulturore, lokalet vakëfi si dhe objekte përcjellëse.
Qendra kulturore do të ndërtohet në truallin që ka sipërfaqe 13 ari e 82 metra të cilën e ka ndarë Asambleja komunale e Drenasit, ku do të ndërtohet qendra me sipërfaqe prej 4.200 metrat katrorë. Objekti do jetë 5 katesh pa përshirë këtu bodrumin dhe përdhesen (P + 5 + B ). Ndërtimi i këtij objekti do të zgjidh çështjen e selisë për nevojat e këshilli të BI të Drenasit, pastaj do të krijoj mundësi për zhvillimin e jetës fetare e kulturore si dhe do të krijoj një bazë solide për të hyra materiale në këshill.
Kostoja financiare për ndërtimin e qendrës do jetë 1.230.000 euro. Ndërsa punimet do i kryej kompania “Jehona” nga Malisheva.
Nevoja e ndërtimit të një qendre të tillë ka qenë e kamotshme mirëpo te realizimi i saj u bë i munduar vetëm pas një angazhimi serioz të Këshilli të BI së Drenasit, i cili në bashkëpunimi me Asamblenë komunale arriti që të siguroj truallin për të.
Duke iu drejtua të pranishmëve kryetari i Këshilli të BI së Drenasit, Osman ef. Musliu pasi ka përshëndetë të pranishmit dhe ata që kanë kontribuar në realizmin e këtij projekti, në veçanti ka përshëndetur e falënderuar familjen Jasharaj, ndër të tjerat tha:” “Pas përfundimit të luftës personalisht jam interesuar për ndërtimin e një objekti të ri të Këshillit në këtë qytezë të Drenicës, me standarde moderne, pasi objekti i vjetër me shume i ngjante një kafazi të zogut me pak se 30 metra katrore, sesa një zyrë në të cilën gravitonin mbi 70 mijë besimtarë të Drenasit. Për ta realizuar këtë projekt madhor, Kuvendi komunal në krye me Nexhat Demakun e bëri të mundur duke na siguruar truallin. Por edhe pse ne siguruam truallin nuk mundem të gjejmë donatorë për financimin e projektit, atëherë filluam të trokasim në dyert e ndërmarrjeve ndërtimore për të gjetur mënyrën më të mirë e më të pranueshme për fillimin e punimeve” .
Ndërsa Rifat Jashari në fjalën e tij përshëndetëse tha: “U përgëzoj të gjithëve, ishalla u shkon puna mbar e mirë, ishalla gjeni përkrahje edhe te ne, të gjithë nga pak behët bollë , ishalla Zoti na ndihmon të gjithëve, ishalla Zoti na shpërblen të gjithëve!”.
Kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku tha: “Ne jemi shumë të nderuar që patëm fatin që të realizojmë një obligim të tillë kur kemi parasysh që feja vazhdimisht në rolin e saj të veçantë që ka luajtur në kultivimin dhe ruajtjen e vlerave njerëzore si dhe me mesazhet e vazhdueshme që udhëheqësit fetar i kanë dhënë për paqe e tolerancë, dhe dashuri në mes gjithë qytetarëve. sigurisht ka qenë shumë më e lehtë për të gjitha institucionet tjera drejt realizimit të objektiva që i synojmë gjithë së bashku” .
Myftiu i Kosovës, Mr. Naim Tërnava: “Sot jam më se i kënaqur që gjendem në mesin tuaj, gjendem me një arsye tepër të madhe, ngase këtu pas krejt asaj që përftoi Kosova, ja erdhi dita që të kemi mundësi që të vëmë gurthemelin e ardhmërisë së islamit edhe në Drenas.
Drenasi që moti e ka merituar që të ketë një godinë në shërbim të besimtarëve të këtyre anëve. Siç po shihet edhe me këtë vepër kaq madhore, Kuvendi komunal i Drenasit ka bërë një hap tepër të guximshëm e të rëndësishëm dhe tepër moral e njerëzor, kur ka ndarë këtë truall dhe u ka dhuruar atyre të cilët e votuan edhe kryetarin e komunës që të jetë në krye të Kuvendit komunal.
Shpresoj që së shpejti të jemi kështu bashkë edhe në inaugurimin e këtij objekti madhështor”./bislame/
Krijoni Kontakt