Përmes një memorandumi, drejtuar më 25 nëntor Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme greke, organizata e minoritetit grek, OMONIA apelon domosdoshmërinë e plotësimit të shtatë kushteve nga Tirana zyrtare para se Athina t'i japë "OK"-in hyrjes së saj në familjen europiane. Kryetar i shoqates, kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano thekson si nje nga kushtet, dhënien e autonomisë për Vorio-Epirin
Organizata e minoritetit grek, OMONIA i kërkon zyrtarisht Greqisë të mos e ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Përmes një memorandumi, drejtuar më 25 nëntor Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme greke, kjo shoqatë apelon domosdoshmërinë e plotësimit të shtatë kushteve nga Tirana zyrtare para se Athina t'i japë "OK"-in hyrjes së saj në familjen europiane. Në thelb, kërkesa bazë e OMONIA-s, kryetar i së cilës është kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano, është dhënia e autonomisë për Vorio-Epirin.
Autonomia e Vorio-Epirit
Në memorandumin drejtuar Athinës zyrtare, OMONIA pretendon pikësëpari që Shqipëria të njohë si zonë minoritare pothuajse gjithë Jugun e vendit, të banuar sipas saj, qysh para 3 mijë vjetësh nga grekët etnikë. "Të njihen zyrtarisht si zona të minoritetit ato zona të cilat pala shqiptare nuk i njeh të tilla si për shembull, Saranda, Gjirokastra, Himara, Delvina, Korça si edhe 99 fshatra përreth tyre". Në funksion të kësaj, minoriteti grek kërkon në pikën pasardhëse, autonominë për të gjithë këtë rajon, të cilësuar prej saj si Vorio-Epiri, duke mos nguruar të servirë madje edhe rrugën ligjore se si mund të realizohet kjo kërkesë. "Të ndryshojë kuadri ligjor i Shqipërisë në një mënyrë të tillë që të lejojë bashkimin e gjithë kësaj zone në jug të Shqipërisë, që tradicionalisht banohet nga grekët, në një periferi të organizuar administrativisht në bazën e një organi që merr drejtpërdrejt vendimet nga vetë qytetarët", - citojmë nga memorandumi i OMONIA-s. Në pikën e tretë e të katërt, saktësohet se ky proces i kalimit të vetëqeverisjes së Vorio-Epirit nga grekët mund edhe të ndodhë gradualisht, duke sugjeruar kësisoj që "fillimisht mund të mos vazhdohet ushtrimi i politikës së centralizimit të pushtetit që drejtohet nga Tirana për sa i përket shpërndarjes së fondeve për pushtetin lokal", si edhe "duke respektuar të drejtën e pronësisë së tokave". Në pikën e pestë të memorandumit, OMONIA kërkon njohjen e gjuhës greke si gjuhë të dytë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë që në zonat e minoritetit, ajo të jetë e parë. Çështja e parafundit e trajtuar në memorandum është hapja e shkollave e sigurimi i librave në gjuhën greke në çdo fshat ku ka minoritarë. Ndërsa ajo e fundit është "respektimi i të drejtave politike të vorio-epiriotëve, e mos cenimi i tyre sikundër ndodhi me 5 të arrestuarit në 1993, deri në zgjedhjet e fundit me ngjarjet në Himarë".
(BalkanWeb)
Krijoni Kontakt