Shkup, 11 dhjetor - Një deklaratë befasuese e presidentit të shtetit, Branko Cërvenkovski. Kësaj radhe për legalizimin e Universitetit të Tetovës, në kohën kur partner koalicioni në qeveri ka pasur partinë e Ali Ahmetit, Bashkimin Demokratik për Integrim.
"Universitetin e Tetovës unë e legalizova unë . Propozimi kishte rrjedhur nga unë e jo nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Këtë e bëra pasi desha të mbyllja një çështje që mund të sillte probleme ndëretnike në vend", tha në intervistë për televizionin Alsat, presidenti Cërvenkovski.
Ndryshe nga Cërvenkovski, i cili hapur tha se BDI nuk kishte kërkuar legalizimin e UT-së, deputetja Ermira Mehmeti ka thënë se kjo parti në programin e saj zgjedhor të vitit 2002 e ka pasur legalizimin e Universitetit të Tetovës.
"Ne si parti e dalë nga ish-Ushtria Çlirimtare Kombëtare, në programin e zgjedhjeve të vitit 2002, prioritet e kemi pasur legalizimin e UT-së dhe e njëjta u legalizua. Kjo u bë me iniciativë dhe kërkesë të Bashkimit Demokratik për Integrim", ka thënë shkurt Mehmeti. Ndërkohë, nga kabineti i presidentit Cërvenkovski nuk kanë dëshiruar të japin sqarime shtesë dhe të mohojnë ose pohojnë deklaratën e deputetes së BDI-së.
"Deklarata e presidentit Cërvenkovski ishte publike dhe nuk kemi asgjë më tepër se ajo që ka thënë presidenti në deklaratën e tij publike në televizion. Ajo është e vërteta", ka thënë nga kabineti i Cërvenkovskit. Ndryshe, në zgjedhjet e vitit 2006, Bashkimi Demokratik për Integrim në fushatën parazgjedhore si të arritur të madhe të kësaj partie kishte përmendur legalizimin e Universitetit të Tetovës, pasi gjatë katër viteve pushtet, nuk kishte arritur të sjellë Ligjin për gjuhën shqipe, Ligjin për statusin e veteranëve të UÇK-së dhe shumë Ligje tjera të rëndësishme për shqiptarët e që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit. Ligje këto që akoma nuk janë miratuar. Për Universitetin Shtetëror të Tetovës, përveç se atëkohë, kur edhe u sjell Ligji për legalizim, edhe tani midis opozitës dhe partisë shqiptare në pushtet kanë lindur kundërshtime të mëdha. Dhe kjo tani kur me Buxhetin e vitit të ardhshëm, USHT-së i janë përgjysmuar mjetet, ndërkohë që ka marrë më pak se Universiteti i Shqipit, që ka tre fish më pak studentë. Nga 355 milionë denarë sa është dashur t'i ndahen USHT-së, me Buxhetin e ri Universitetit të vetëm shtetëror shqiptarë i janë ndarë 205 milionë euro.
Koha
Krijoni Kontakt