O, EULEX, OJ “NËNA” JONË...!


Si njëra prej veseve tejet të shprehura të mentalitetit tonë shqiptar, pa dyshim është bindja e rrënjosur e krenarisë mashkullore në ne; apo, thënë ndryshe, gjatë çfarëdo vendimmarrjeje, patjetër ardhja në shprehje e fjalës autoritare mashkullore e burrit. Apriori, gati në çdo familje tonën, besa edhe në ato ku brendapërbrenda familjes, raportet e ndërsjella janë paksa më të moderuara, ende dominon ajo bindje se “duhet të bëhet gjithmonë ashtu sikur thotë baba”, apo, thjeshtë, në atë shtëpi duhet të ndihet vetëm zëri i burrit (burrit me dy “r”, kuptohet”). E, si duket, realiteti në prapavijë është krejtësisht ndryshe. Edhe pse, më së shumti thuaja se ndihet fjala e burrit në ndonjë vendimmarrje, nga ana tjetër e problemit, na del e kundërta: gjithmonë në fund është vepruar ashtu siç ka thënë dhe kërkuar gruaja.
Zakonisht, në këto situata, burri në shikim të parë, e ka kënaqur krenarinë e vet që t’i dëgjohet zëri i tij, e në anën tjetër, pas heshtjes së kësaj shamate, gjithmonë ka përfunduar ashtu siç ka kërkuar gruaja.
E pabesueshme mbase, por e vërtetë! Nëse ndonjë skeptik nuk i beson kësaj teze, shumë lehtë mund ta krahasojë atë si shembull edhe në familjen e vet: le ta marrë një rast të vetin kur në ndonjë situatë ka kundërshtuar ashpër si burrë, dhe fjala e kujt ka dalë si e realizuar në fund?
Një analogji me këtë metaforë, e kemi edhe me aferën e “burrërisë” sonë të fundit me refuzimin e 6-pikave të Ban Ki Moon-it. Aty “burrat” e shtëpisë sonë reaguan ashpër dhe të vendosur, besa edhe me britmë dhe emocione duke thënë “JO”-në e fortë. Me këtë reagim të tyre “mashkullor”, më në fund publikisht u pa se kush “kollitet” në këtë shtëpi. BABA, dihet! Fëmijët na bënë pak potere, por kryesorja “nëna” heshti dhe e “kuptoi” se kush është zot shtëpie këtu..
A thua, si do të na dalë fundi i kësaj pune?
Posa të harrohet pak ky pluhur që u qua panevojshëm nga ana e “fëmijëve” të rebeluar, patjetër, si gjithmonë, në prapavijë do të bëhet ashtu sikurse ka thënë “nëna”, ndërsa publikisht do të duket ashtu qysh ka thonë me këmbëngulje “baba”?!
Nuk ka dyshim! Kurrë dhe si do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës EULEX-i? E, me çfarë kushte dhe konditash do të veprojë ai, pakkujt do t’i interesojë kjo punë më vonë. Sepse, si gjithmonë, në këto raste “ujku do të jetë i ngopur, e delet në numër”!
Posa të fillojë të vendoset EULEX-i në Kosovë, më pas, na pret një etapë tjetër edhe më strategjike: e punës pedagogjike brendapërbrenda familjes. Urgjentisht, si prioritet, do të fillohet me edukimin e fëmijëve tanë të padëgjueshëm, të cilët, kohën e fundit, si shpesh po ngrehin kokë kundër vendimeve të”babës”.
Së pari, “baba” publikisht do t’i denoncojë ata, nga njëra anë, e nga ana tjetër, me metoda tanimë të sprovuara dhe prapa kulisave, heshtur do të punojë me media dhe me analistët politikë, të cilët në të ardhmen, me shkrimet e tyre analitike do të kontribuojnë për krijimin e një klime të re në Kosovë - klime “EULEKSIANE”. Në këtë punë, “nëna” edhe më tej veç do të heshtë dhe në qetësi do ta bëjë punën e vet. Ajo, e sigurt në vete se gjithmonë në fund do të bëhet sipas fjalës së saj, nga buxheti i saj vetjak do të praktikojë t’u japë “fëmijëve” ndonjë para, me kusht që ta dëgjojnë “babën” në të ardhmen...
Dhe... kjo strategji e veprimit, sikur ia ka nisur!
“Nuk do te lejoje te shahet EULEX.-i...”, kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e rregullt të qeverisë, e cila u mbajt këto ditë, duke akuzuar kështu organizatorët e protestave të kaluara dhe disa nga krerët e partive opozitare dhe të shoqërisë civile, që, sipas tij, me deklarata e tyre rreth vendosjes së ERULEX-it po prishin imazhin e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare.
"Ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë dhe assesi nuk duhet të tolerojmë sharje e akuza e hedhje të gurëve ndaj partnerëve tanë, qofshin të Bashkimit Evropian, qofshin të NATO-s apo të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndoshta gjithashtu individë të caktuar të dështuar në politikë dhe të dështuar në sferat tjera pa ndikim në shoqërinë kosovare, kanë pritur që institucionet e Kosovës t'i thonë po gjashtëpikëshit edhe mund të jenë të frustruar, por ky është qëndrimi shtetëror dhe gjithë popullor", deklaroi kryeministri ynë.
Në anën tjetër, ndaj 6 pikave dhe vendosjes së EULEX-it, shumë media dikur më të ashpra në reagimet e tyre, tani ia kanë nisë të zbuten. Në disa sosh, asisoji analistësh politikë që në mënyrë direkt apo indirekte kaherë e kanë “hëngër” nga qeveria, veç kanë filluar ngapak t’i qëndisin ndryshe qëndrimet e tyre të mëparshme. Patjetër që në të ardhmen, këta (b)analist, në shkrimet e tyre publicistike pro politikave aktuale, me përplot citime filozofike, edhe më shumë do të jenë të frytshëm dhe atraktivë në sytë e popullit të hutuar kureshtarë si lexues. Ata të sigurt do të veprojnë kështu, sepse më së miri e dinë se te ne nuk lexohen fare gazetat e vjetra.
Sa i përket shoqërisë civile dhe atyre 20 OJQ –ve që ishin bashkorganizatore të dy protestave të fundit gjithëpopullore kundër 6-pikave të Ban Ki Moon-it, kjo bashkësi e tyre, që sot reflektoi fuqi, patjetër dikur do të përçahet.
Menjëherë, për dallim nga protesta e parë e19 nëntorit, në këtë të dytën, disa OJQ, që edhe më parë dihen se janë të afërta me perëndimorët dhe me strukturat qeveritare në pushtet, sikur nuk u vërejtën si aq aktive aty.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe me pjesën tjetër të tyre: Më vonë, posa të rehatohet EULEX-si dhe të fillonjë ta hapë “qesen” e vet për financimin e programeve të “vlefshme” dhe “atraktive” shoqërore, atëherë, edhe mjaftë OJQ-të tjera, sikur ato alla “për demokraci”, “luftimin e SIDA-s”... e ku ta di se për çfarë mbrojtje të të drejtave tjera në shoqëri, që si duket, kohën e fundit kanë mbet pa pare (lexo: donacione të huaja), patjetër dikur do t’i nënshtrohen këshillave të “nënës” ( edhe të “babës”, kuptohet)...
Por, me hesap, çdo familje në shtëpinë e vet e ka një fëmijë të “papërmirësueshëm”, e ky fëmijë te ne në Kosovë, edhe më tej do të jetë lëvizja “VETËVENDOSJE”. Ajo e cila deri më tani si e vetmja në këtë shoqëri, është dëshmuar se kurrë nuk mund të shitet e as të mashtrohet lehtë, e më së paku me disa sheqerka të larme.
Me sa duket, në të ardhmen, edhe ”baba” edhe “nëna” do ta kenë mjaftë vështirë me ta...?!

Adnan Abrashi