BDSH: Policia po demonstron forcë antishqiptare në Kumanovë
16/11/2008
15:26:04
Bashkimi Demokratik Shqiptar (BDSH) në një komunikatë sot reagoi për praninë e shtuar dhe kontrollet e policisë dhe njësitit “Alfa”.
“Politika antishqiptare e qeverisë VMRO-BDI, në të njëjtën logjikë të funksionimit si qeveritë e mëparshme të Shkupit, kërkon pretekste të ndryshme për të ushtruar dhunë dhe terror ndaj popullit shqiptar në Maqedoni. Nën pretekstin e luftës kundër krimit të organizuar, me qindra familje shqiptare të rrethit të Kumanovës janë bastisur dhe maltretuar nga instrumentet e dhunës shtetërore (Policisë dhe njësive famëkeqe « ALFA »)”, thuhet në komunikatën e BDSH-së.
Sipas kësaj partie, bastisjet, maltretimet, poshtërimet, plaçkitjet dhe arrestimet e shqiptarëve gjatë të ashtuquajturit “Operacioni Hiri” u shërbejnë qeveritarëve të Shkupit që të dëshmojnë para opinionit maqedonas se dhunën kundër shqiptarëve nuk do ta ndalin.
“Ndërsa, institucioneve ndërkombëtare kjo dhunë antishqiptare u paraqitet për të dëshmuar efikasitetin e tyre në luftën kundër krimit. Kemi hyrë në javën e dytë që në Kumanovë dhe rrethinë pas orës 19h00 çdo shqiptarë që zihet në rrugë maltretohet për të vetmen arsye se është shqiptar ! Praktikisht, nga ora 19h00 e deri në 07h00 të mëngjesit për shqiptarët është orë policore ! Edhe pse e pashpallur !”, thuhet në komunikatën e BDSH-së të drejtuar nga Bardhyl Mahmuti.
Sipas BDSH-së, instrumentet e dhunës shtetërore të Maqedonisë kanë filluar plaçkitjen edhe të drushitësve shqiptarë, të cilëve u merren drutë me gjithë mjetet transportuese.
BDSH dënon orën policore të pashpallur në Kumanovë dhe rrethinë dhe kërkon stopimin e kësaj logjike diskriminuese të maltretimit dhe dhunës të ushtruar ndaj familjeve shqiptare. Kjo parti tërheq vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare se kjo dhunë e institucioneve shtetërore ndaj shqiptarëve paraqet rrezik të madh për stabilitetin në Maqedoni dhe më gjerë. (INA)
Krijoni Kontakt