Këshilli i Sigurimit i OKB-së nxit luftë të re në Ballkan
30/11/2008 13:56:52
Sipas BDSH-së, kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e Marrëveshjes së Kumanovës paraqet kërkesë për të mbështetur agresionin e ri serb kundër Kosovës.
“Lëshimet që Këshilli i Sigurimit të OKB-së i bëri klanit ruso-serb, duke miratuar Raportin që legjitimon shkatërrimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës, trimëroi politikën luftënxitëse të Beogradit dhe vuri në rrezik përpjekjet e demokracive perëndimore për siguri e paqe në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në reagimin e Bashkimit Demokratik Shqiptar.
Sipas kësaj partie, dy ditë pas vendimit të Këshillit të Sigurimit lidhur me funksionimin binar të EULEX-it dhe legjitimimin strukturave komanduese paralele në Kosovë, Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq shpalosi fazën e dytë të luftës së re që Serbia planifikon të bëjë në Kosovë.
“Kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e Marrëveshjes së Kumanovës për tërheqjen e forcave ushtarake dhe të policisë serbe nga Kosova me qëllim që të krijohet “një mbulesë legjitime” për kthimin e aparateve represive serbe në Kosovë, paraqet kërkesë për të mbështetur agresionin e ri ushtarako-policor serb kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Bashkimi Demokratik Shqiptar thërret institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës, thërret forcat politike shqiptare në Ballkan dhe diasporën shqiptare që përballë këtij rreziku të rreshtojnë veprimtaritë e tyre të gjithanshme që nga kjo situatë të dalim fitimtarë.
Bashkimi Demokratik Shqiptar u bën apel të gjitha shteteve që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e shtetit të Kosovës, e që janë të interesuara për paqe dhe siguri në këtë pjesë të globit, urgjentisht ta njohin realitetin e ri si masë preventive për luftën e re që i kanoset Ballkanit Perëndimor.
Bashkimi Demokratik Shqiptar përsërit qëndrimin e vet se vendosja e EULEX-it duhet të bëhet në përputhje me vendimet e Bashkimit Evropian dhe në harmoni të plotë me aktet themelore të Shtetit të Kosovës.
(INA)
http://www.ina-online.net/default.as...ed8b8b6fe&ln=3
Krijoni Kontakt