Ai është djali 15-vjeçar i një familjeje shqiptare nga Maqedonia, që përpara pesë viteve ka emigruar në Angli. Tashmë, specialistët në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se Zele Ismaili do të bëhet futbollisti më i kërkuar në botë dhe që do të vlejë 100 milionë sterlina (118.3 milionë euro).
Momentalisht, sulmuesi i talentuar stërvitet në Akademinë e Volverhempton, skuadra që kryeson Çempionshipin (ligën e dytë angleze).
Edhe pse është në moshë fare të re, për Ismailin interesohen dy prej klubeve më të mëdha në Premiership, Çelsi dhe Mançester Siti, të cilat janë të gatshme të paguajnë 2.5 milionë sterlina.
Megjithatë, drejtuesit e klubit të Volves kanë refuzuar çdo ofertë: ata synojnë ta mbajnë në skuadër djaloshin, i cili vlerësohet si futbollist me aftësi të jashtëzakonshme për moshën e tij. Nëse vazhdon të zhvillohet deri në moshën 21-vjeçare, ai do të bëhet tepër i çmuar.
“Njerëzit po flasin se një ditë Zele mund të vlejë 100 milionë sterlina”, tha trajneri i dytë i Boltonit, Kris Evans, që në të kaluarën ka punuar në Akademinë e Volverhemptonit.
Gur i çmuar
Kur Ismail ishte vetëm 10 vjeç, drejtuesit e Volves ishin të sigurt se zbuluan një “gur të çmuar”, që i kishte të gjitha mundësitë për t’u bërë një prej yjeve të mëdhenj të futbollit botëror.
Por, ata janë të vetëdijshëm se lojtari mund të shndërrohet në “gjah” për klubet më të mëdha dhe menaxherët kryesorë, të cilët do të duan ta transferojnë.
Klubi e mbajti “të fshehur” Ismailin deri në verën e kaluar, kur lojtari me origjinë shqiptare fitoi çmimin si futbollisti më i mirë i turneut “Milk Cup”: i njëjti turne ku janë zbuluar edhe dy yjet e Anglisë, si Devid Bekam e Xho Kol.
Talenti i Ismailit ishte pikasur nga ish-drejtori i Akademisë së Volves, Kris Evans, që në të kaluarën ka zbuluar futbollistë si Robie Kin, Xholeon Leskot, Li Najlër dhe Uejn Henesi. “Prej fillimit dukej qartë se Zele ishte një lojtar i veçantë dhe talenti i tij e tejkalonte moshën që kishte”, tha Evans për tabloidin anglez “Neës of the World”.
“E seleksionuam kur luante me ekipin e shkollës, në moshën 10-vjeçare. Ai po luante me fëmijë dy vjet më të mëdhenj”, theksoi numri 2 i Boltonit.
Ecuria
Evans tregon se Zele ishte më i vogël se të tjerët, por aftësia e tij teknike dhe vizioni në lojë e kanë ndihmuar t’i kalojë problemet fizike.
“Shpejt e kuptuam se duhej ta mbronim, sepse ka shumë ‘skautë’ të klubeve të mëdha”, pohoi ai, duke theksuar se për shumë kohë Volverhempton ishte detyruar t’i largonte menaxherët e klubeve të tjera nga qendra stërvitore, në mënyrë që ata mos ta vërenin lojtarin.
“Gjithsesi, me aftësitë e tij ishte e pamundur që të mos binte në sy. Ai mund të shënojë katër, pesë, apo gjashtë gola në një ndeshje. Por, Ismail ishte i shkëlqyer në turneun ‘Milk Cup’ dhe tashmë ka debutuar edhe me ekipin U-16 të Anglisë”, tha Evans.
“Ai është futbollisti më i mirë në vend për moshën e tij. Nëse vazhdon në këtë rrugë, deri në moshën 21-vjeçare do të bëhet tepër i çmuar. Njerëzit thonë se ai një ditë mund të vlejë 100 milionë sterlina.
Kjo është e kuptueshme, pasi sot futbolli është në duart e miliarderëve. Nuk dua ta vë nën presion këtë djalosh, por në vitet e ardhshme mund të paguhen shuma marramendëse për transferimin e tij”.
top-channel.tv
ps: me qene se nuk gjeta nje teme te tille per talentet e rinje shqiptar, e hapa nje teme ne vete.
Krijoni Kontakt