Dr. Mentor Çoku - Ideali im është Lidhja e Prizrenit
Viset e Maqedonisë shqiptare kanë dashur gjithmonë përmallshëm t’u bashkohen atyre të trungut amë. Banorët e këtyre trojeve etnike,këta besimtarë të unitetit kombëtar, duke dashur të mos u binden trilleve të fatit historik, kanë luftuar me pushkë dhe penë për të kundërshtuar Londrën e vitit 1913, për t’iu bashkangjitur vëllezërve të tyre. Në këto përpjekje vigane, dhjetra herë më të madhe se mundimet e Sizifit së lashtë, janë edhe jeta e vepra e Dr.Mentor Çokut.
Lindi në Elbasan më 1914. Ende pa mbushur motin së bashku me të ëmën, shkuan në Ohër. Pat qarë e qeshur në ate derë bucare, e cila decenie më parë ish ngritur në lartësitë e këngës prej trimërive të gjyshit të tij Iljaz Pashë Dibra. Pat ecur nëpër ato gurë të sokakut nga merrnin udhë të largët trimat e nisnin të këndonin grykat e armëve. Iljaz Pashë Dibra, ishte dhe mbetet prej furtunave të maleve të Dibrës. Ai luftoi një jetë të tërë në krah të burrave të tillë si Abdyl Frashëri, Ymer Prizëreni e Sulejman Vokshi duke ndriçuar jo vetëm nderin dhe krenarinë e vet, por krejt Dibrës dhe Shqipërisë.
Ndërsa i jati i Mentorit, Hamdi Bej Ohri, do të njihej në gjithë vilajetin e Manastirit jo vetëm për atdhetarinë, por edhe trimërinë e tij. Në bashkëpunim të ngushtë me nijazi Resnjën, Said Najdenin, Bajo Topullin, Gjergj Qiriazin etj, Hamdiu do të vendosej në vitet e para të shekullit të njëzetë, në radhët e burrave që formuan komitetin e fshehtë të Manstirit. Si rallëkush në ato kohëra, Hamdi bej Ohri do t’i kundërvihej politikës mashtruese të turqve të rinj, të cilët deri sa muarën pushtetin nuk lanë premtim pa bërë, ndërsa më tej, nisën të shkelin me zjarr dhe me hekur çdo nismë shqiptare për dije dhe përparim. Në të gjitha tallazet që kalonte Shqipëria, edhe atëherë kur u coptua tragjikisht nga Fuqitë e Mëdha, në vitin 1913, Hamdi Bej Ohri, dijti të mbajë të ndezuara për një të ardhme sa më të lumtë për atdheun e vet, të mbledhur në kufijtë etnike – arbërore. Këtë mesazh, ai ua përcolli edhe fëmijëve të vet, ku veçmas në vetëdijen e Mentorit të vogël, ky mesazh la gjurmët e veta të pashlyeshme. I betuar deri në vedekje për lirinë e krejt viseve shqiptare, Hamdi Bej Ohri do të luftonte me armë në dorë, mal në mal të Dibrës si ndaj hordhive të Sulltanit ashtu edhe ndaj synimeve aneksioniste të serbo-sllavomaqedonasve e bullgare. Pikërisht në këtë udhë, do të ecte më pas edhe i biri mentori, i cili duke trashëguar virtytet e rralla të gjyshit e babait të vet, që në rininë e tij, përkrahu thellësisht idetë nacionaliste.
Mësimet e para Mentor Çoku i merr në Ohër, i cili, në vitet 20 të të shekullit të kaluar ende ruante diçka nga madhështija e viteve të shkuara. Ai do të dallohej aty për dashurinë e madhe për dijet dhe veçmas do të ishte i interesuar për gjeografinë dhe historinë e Shqipërisë së tij, në krejt viset etnike. Më pas në vitet 1925-1928, vazhdon shkollën e mesme në Beograd, ku jeta e tij merr një tjetër përmasë, ate të shqiptarit me shpirt të kulluar por edhe të vendosur për të kërkuar të drejtat e veta. Në Beograd mban lidhje të drejtëpërdrejta me atdhetarin tjetër të shquar Rauf Fiçon, i cili në ate kohë ishte Ambasador i qeverisë shqiptare në Jugosllavi. Natyrisht edhe me nxitjen e Raufit, Mentori së bashku me dhjetar gjimnazistë shqiptarë në beograd, krijon “shoqërinë e djelmërisë për të drejtat e shqiptarëve” në thelb të së cilës parashihej lufta me mjete diplomatike dhe politike për arritjen e të drejtave të shqiptarëve. Në vitin e fundit të gjimnazit, kur protestat e kësaj shoqërie i patën kaluar kufijtë e Beogradit dhe po diskutoheshin në Paris e Gjenevë, Mentor Çoku pushohet nga shkolla pa të drejtë për t’u rikthyer më në beograd. Kthehet sërish në Ohër dhe me disa provime plotësuese ka arritur në Shjqipëri të marrë dëftesën e gjimnazit. Duke qenë se rrezulltatet në mësime i ka patur tejet të larta, me ndihmën e pakursyer të prindërve (nëna e Mentorit ka qenë prej familjes së njohur të Toptanasve) shkon në Milano dhe fillon studimet në Fakultetin e Drejtësisë. Edhe këtu ndjenjat atdhetare të birit të Ohrit nuk do të mungonin. Në shoqërinë e dhjetar bijve të tjerë të shqiptarisë, juristi i ardhshëm, Mentor Çoku, do të debatonte me pedagogët e vet italianë, lidhur me disa të drejta legjitime të kombit të vet. Ka qenë viti 1935 ku Mentor Çoku le Milanon dhe shkon pranë familjes dhe miqve të vet në Ohër. Ndërsa urtësia ka qenë tipari karakteristik i tij, Mentori e ka pritur i revoltuar pushtimin Italian të 7 prillit 1939. E vërteta është se qenë ditët e para të ardhjes në Shqipëri qeveria italiane bëri çmos të shtinte në dorë pikërisht intelektualët shqiptarë që patën mbaruar studimet atje. Dhe nëse në ndonjë rast, ia arriti qëllimit, tek pjekuria dhe dinjiteti i Mentor Çokut, kjo manovër italiane dështoi plotësisht. Biri i Ohrit kishte një qartësi të mahnitshme për rrjedhat e ngjarjeve ndaj nuk e humbi askurrë shpresën. Në fillim të vitit 1943, kontaktet e tij me nacionalsitët e Kosovës, Maqedonisë shqiptare dhe atyre të shtetit amë, sa vijnë e shpeshtohen. Duke lënë menjanë avokatinë, Mentor Çoku bëhet organizator i formacioneve luftarake nacionalsite në Ohër, Strugë e Manastir. Ka qenë kjo arsyeja që ai zgjidhet si delegat i këtyre trevave në Lidhjen e Dytë të Prizërenit në vjeshtën e vitit 1943. Fjala e tij në disa tubime të kësaj Lidhjeje, në Prizëren, u dëgjua me vëmendje të madhe jo vetëm pse sillte atje trazimet politike në Ohër, Strugë e Manastir, por sepse parashihte trazime akoma më të mëdha në të ardhmen. Zëri i Mentor Çokut, u ndje ashpër sidomos në ngritjen sa më shpejt të formacioneve luftarake që do të vireshin në shërbim të kësaj Lidhjeje. Ata që kanë dëgjuar gjykimin e drejtë të Mentor Çokut në këto tubime, asesi nuk kanë harruar shprehjen proverbiale të tij “Partia ime është Lidhja e Prizërenit”. Tek ky simbol i bashkimit të forcave shqiptare, ai parashihte të vetmen mundësi të shpëtimit të kombit të vet, nga sllavomaqedonasit e rinj dhe të vejetër.
...........................
Krijoni Kontakt