Në Kur’an janë të cekura mjaft qartë të gjitha shtyllat e Islamit.

Ne vetëm duhet ta lexojmë atë dhe ta studiojmë me kujdes, e jo të lexojmë vetëm libra tjerë të fesë islame apo libra të ndryshëm me përmbledhje hadithesh dhe t’i përmbahemi vetëm atyre.

Më poshtë i kam renditur ajetet që i tregojnë këto shtylla:

Gjashtë shtyllat e besimit

Besimi në Allahun xh.sh., engjujt, librat dhe në të dërguarit e Tij

2:285. I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: “Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhërin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë”.

Besimi në ditën e gjykimit

5:69. S'ka dyshim se kush e beson All-llahun (sinqerisht), e beson ditën e gjykimit dhe bën vepra të mira, qoftë prej atyre që besuan, prej jehudive, prej sabiinëve (të krishterë që i adhurojnë yjet), prej të krishterëve, për ta nuk do të ketë frikë as pikëllim (me kusht që ta kenë pranuar të dërguarin e fundit- Muhammedin).

Besimi në kaderin (parapërcaktimin)

65:5. Ky është vendim i All-llahut që ua zbriti juve, e kush e ka frikë All-llahun, Ai atij ia shlyen të këqijat dhe ia shton shpërblimin.

20:129. E sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, dënimi do t'i kapte ata.

19:71. Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t'i afrohet atij. Ky (kontaktim i xhehennemit) është vendim i kryer i Zotit tënd.


Shtyllat e Islamit (Fesë)

Shehadeti (deklarata)

Nuk ka të adhuruar tjetër pos Allahut xh.sh.:

21:108. Thuaj: "Mua më shpallet se Zoti i juaj është vetëm një Zot, e ju a po dorëzoheni?"

Dhe Muhammedi s.a.v.s. është rob dhe i dërguar i Tij:

41:6. Thuaj: "Unë jam vetëm njeri sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është vetëm Zoti Një, pra drejtonju Atij dhe kërkoni falje prej Tij. Për idhujtarët është mjerim i madh,

7:158. Thuaj (Muhammed): "O ju njerëz! Unë jam i dërguari i All-llahut te të gjithë ju. All-llahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s'ka të adhuruar tjetër pos Tij; Ai jep jetë dhe Ai jep vdekje, pra besoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij, pejgamberin e pashkolluar, që beson All-llahun dhe shpalljet e Tij, ndiqeni rrugën e tij që ta gjeni të vërtetën.

Salati (falja)

Mënyra se di duhet të falemi dhe të gjitha kohët e faljes:

22:77. O ju që besuat, falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni. Bëni punë të mira (të dobishme), se do të gjeni shpëtim.

9:112. (Të xhennetit janë) Edhe ata që pendohen, ata që sinqerisht adhurojnë, ata që falënderojnë, ata që agjërojnë, ata që bëjnë ruku, që bëjnë sexhde, që urdhërojnë për të mira e ndalojnë nga të këqijat, edhe përmbushin dispozitat e All-llahut. Pra, përgëzoi besimtarët.

20:130. Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe duke falënderuar Zotin tënd, falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, falu edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, ashtu që të gjesh kënaqësi (me shpërblim).

50:40. Falu për hir të Tij edhe në një pjesë të natës edhe pas sexhdes (pas namazit farz).

Zeqati (dhënia e lëmoshës)

9:71. Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t'i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë.

2:177. Nuk është tërë e mira (e kufizuar) t'i ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson All-llahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberëve dhe pasurinë që e do ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit.

Sijami (agjërimi)

2:183. O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.

2:184. (Jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për te. Mirëpo, po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.

Haxhi (vizita e Qabes)

22:27. Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.

2:196. E kryeni haxhin dhe umren për hir të All-llahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therrni për kurban) çka t'ju vijë më lehtë prej kurbanëve, e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar. Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban. E kur jeni të sigurt, ai që bënë umren para haxhit (duhet therrë) një kurban që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të ktheheni, këto janë dhjetë ditë të plota. Ky është rregull për ata që nuk e kanë familjen pranë xhamisë së shenjtë. Pra kini dro All-llahun dhe dijeni se All-llahu është ndëshkues i rreptë.


Dhe në fund një sure që i porosit të gjithë Muslimanët se si duhet ti përmbahen Islamit:

103. Asr

Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

103:1. Pasha kohën!
103:2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt.
103:3. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t'i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

Autor: Sefedin Muqaj, Prizren, Kosovë.

Referenca: Kur’ani Fisnik – përkthim i Sherif Ahmetit