Athine- Lëvizja e lirë e shqiptarëve do të jetë realitet brenda mandatit të parë të qeverisjes socialiste. Këtë u ka premtuar bashkëatdhetarëve tanë në Greqi, kryesocialisti Edi Rama gjatë takimit përmbyllës të festimeve të 28 dhe 29 Nëntorit në Athinë të Greqisë.
“Sot është koha që ne të bëjmë të mundur lëvizjen e lirë të gjithë shqiptarëve. Është koha për sfidën atdhetare dhe shoqërore, që çdo shqiptar e shqiptare të lëvizë lirisht dhe të ketë një pasaportë, e cila është njësoj si pasaportat e tjera të Bashkimit Evropian”-iu drejtua Rama emigrantëve, duke i premtuar se atë që Berisha deklaroi me bujë për lëvizjen e lirë, socialistët do ta bëjnë realitet brenda mandatit të parë.
Ai ka theksuar në fjalën e tij, se tashmë duhet një politikë e re, që të jetë shprehje e njerëzve, që së bashku të zgjdhen probleme, që vetëm nuk zgjidhen dot.
“Askush nuk e zgjidh dot i vetëm çështjen e certifikatave, të kalimit të lirë të kufirit, të lëvizjes së lirë, të shkollimit të fëmijëve në gjuhën shqipe. Por, së bashku ne mund t’i zgjidhim këto probleme dhe të japim mundësi të reja, shanse të reja, që të shkojmë më larg, dhe që fëmijëve t’ju garantojmë një jetë më të mirë se sa sot”- tha ai, duke shtuar se për këtë ka lindur politika dhe për këtë arsye na duhet një politikë e re, përmes një bashkimi të ri qytetarësh.
Politika e re, sipas Ramës është fuqia e bashkimit, jo në emër të së shkuarës, por në emër të së ardhmes, sepse të gjithë fëmijët e sotëm duhet të jenë së bashku në një Shqipëri të të gjithëve, në një Shqipëri njësoj të barabartë, për fëmijët e socialistëve dhe të demokratëve, një Shqipëri që shkon përpara.
Ai ka shprehur mirënjohje për punën e emigrantëve në Greqi, duke kujtuar rrugën e tyre aspak të lehtë në një vend të huaj, shumë herë të shpërfillur dhe të përbuzur.
Rama ka sjellë në kujtesë shembullin e një sipërmarrësi që financon një shkollë shqipe dhe ka kujtuar raste të shumta të studentëve dhe nxënësve shqiptarë që shkëlqejnë në shkollat greke.
Shekulli
Krijoni Kontakt