
Postuar mė parė nga
~Miracles~
Agolli: Ai që shkel mbi gjakun e dëshmorëve do të mallkohet nga Zoti
Është e çmendurishme ndalimi i 29 Nëntorit nga kryetari i qeverisë, Sali Berisha. E çuditshme për ne nuk është, pasi e prisnim që ai me ardhjen në pushtet, të parën gjë që do të bënte ishte që të fshinte nga kalendari 29 Nëntorin. Ai kështu bëri më 1992-shin dhe kjo është strategji, nuk është kështu, e thjeshtë…
D. N
TIRANË- “Mallkime” për ata që mohojnë datat e historisë dhe në këtë rast asgjë më shumë se vetë 29 Nëntorin. Qëndrim të tillë ka mbajtur dje shkrimtari Dritëro Agolli, duke iu referuar vlerësimeve të qeverisë së të djathtës për të njehsuar në festimet e 28 Nëntorit edhe Ditën e Pavarësisë edhe Ditën e Çlirimit të vendit. Agolli, në një bisedë me “Shekullin”, mbrëmë përmblodhi rishtaz qesëndinë me qëndrimin e të majtëve për 29 Nëntorin, datën e kahershme që mban në të dy anët e ndryshme politikën dhe njerëzit. Shkrimtari ka “mallkuar” ata që, sipas tij, “shkelin gjakun e popullit”: “Ai që shkel mbi gjakun e dëshmorëve, edhe pse unë vetë nuk besoj në Zotin e në këto gjëra, por në këtë rast, do të them se Zoti do ta mallkojë”. Për Agollin, nuk do të ishte asgjë e keqe, nëse festat mbaheshin që të dyja, sikurse edhe janë festuar me kohë prej shqiptarëve, ngjashëm me festat e besimit. Duke e vërejtur si qëndrim që shkakton përçarje, Agolli nuk është pajtuar me ndryshimin e datës së çlirimit, pasiqë, sipas tij, nuk ka arsye se “përse të kemi ndarje, përse të bëhemi për ta ndaluar apo për ta përçarë popullin” apo se “pse një pjesë do të vejë andej, një pjesë tjetër këndej”. Ai është gjithashtu kundër deklarimit të kryeministrit mbi përgjegjësinë e historianëve për të përcaktuar datat dhe jo të politikës. Për Agollin, kanë qenë pikërisht historianët ata që e caktuan 29 Nëntorin dhe se këtë e sheh të dokumentuar në botimet e shumta të pasluftës, sikurse po për Agollin dëshmohet edhe nga vetë Berlini se më 29 nëntor 1944, ushtria gjermane është larguar prej Shqipërisë…
Fundnëntori u përgjysmua rishtaz në festimet e datave historike. Çfarë vlerësimi keni ju ndërsa përkujtimet po mbajnë anë partiake?
Unë mendoj që ajo festë që ka zgjatur kaq vjet dhe që njerëzit gjithmonë e kanë kujtuar, e kanë festuar, janë mbledhur bashkë, kanë pirë një gotë, kanë ngritur dolli, nuk ka se përse të prishet. Ne shqiptarët gjithmonë vuajmë nga një mani që duam t’i reduktojmë sa më shumë festat patriotike. E ç’iu prish Shqipërisë që të ketë edhe një festë tjetër 29 Nëntorin, kur ai është fakt historik që edhe gjermanët vetë e kanë pohuar në dokumentet e tyre kur i kanë sjellë te ne?! Ato dokumenta thonë edhe këtu kur i kanë sjellë, pra gjermanët, që “që ne ikëm nga Shkodra më 29 nëntor”. Tani edhe sikur të ndodhte që të mos ishte ashtu, përse do të prishet kjo datë? Përse të kemi ndarje, përse të bëhemi për ta ndaluar apo për ta përçarë popullin, pse një pjesë do të vejë andej, një pjesët tjetër këndej? Dhe, ata qeveritarët në vend që ta bashkojnë popullin, mundohen si e si që ta përçajnë.
Megjithatë, festat, nga të gjitha palët mbështeten me “fakte”…
Po, shiko, ne kemi Bajramin e Madh si festë, kemi Bajramin e Vogël, janë Krishtlindjet, janë edhe Pashkët, pastaj është Dita e Sulltan Nevruzit, Dita e Nënë Terezës… Tashti, si t’i bëjmë këto? Ta bëjmë Bajramin në një “Bajram” meqenëse janë dy?! T’i bëjmë edhe pashkët në një, meqë janë edhe pashkët ortodokse edhe pashkët katolike, pra t’i bashkojmë?! Domethënë, kjo është një gjë që edhe festat fetare, ne shqiptarët i kemi bërë bashkë, ashtu siç kemi bërë Bajramin, kemi bërë edhe Krishtlindjen edhe Pashkët, Ditën e Sulltan Nevruzit, pa edhe kemi shkuar te njëri-tjetri. Kurse, këtu, pra domethënë edhe në festat patriotike si 28 Nëntori dhe 29 Nëntori bashkarisht i kemi bërë dikur dhe tani të mundohemi t’i përçajmë njerëzit. Po kjo, dua të them, mohimi i 29 Nëntorit, heqja e kësaj date nga kalendari kuptohet që është një qëndrim ndaj vetë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Përse?
Këtu ata që mundohen ta heqin atë datë, mundohen ta fshijnë edhe Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare”. Që, kjo u bë (siç dihet edhe ne ishim brenda koaliconit antifashist anglo-amerikano-rus), kështu që ajo luftë ishte e përbashkët me këtë koalicion. Ti tani thua që jemi me Amerikën, jemi me Anglinë dhe këtej mohon Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare! Prandaj është edhe ajo strategjia e Sali Berishës, për të cilin mendoja dhe besoja shumë në fillim se do të ndryshonte… . Unë, madje, edhe e kam shkruar, kur e kam thënë në intervistën e parë kur erdhi ai në pushtet, që isha optimist që Berisha do ta çonte përpara Shqipërinë e të gjitha si këto. Por, atje në atë intervistë, unë thosha edhe këtë gjë; që nëse ai do të fillojë me ato që bëri në vitin 1992 dhe deri në vitin 1997, që edhe të heqë festën e 29 Nëntorit, të mohojë luftën Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të prishtë lapidarët dhe monumentet, atëherë ditët e tij nuk do të jenë të gjata, sepse lufta është e shenjtë. Ai që shkel mbi gjakun e dëshmorëve, edhe pse unë vetë nuk besoj në Zotin e në këto gjëra, por në këtë rast, do të them se Zoti do ta mallkojë! Unë rrjedh nga një origjinë bektashinjsh që besojnë në Zot, por në një Zot që ndodhet kudo dhe e them këtë që ai që mohon luftën e madhe të popullit shqiptar, sakrificat, ai që mohon festën e kësaj lufte, do ta pësojë, se Abaz Aliu do t’i presë gjuhën.
Zoti Agolli, por kryeministri tha që me datat do të duhet të merreshin historianët, jo politika…
Po historianët e kanë thënë, deri tani, cilët e kanë thënë?! Janë botuar gjithë ato libra për luftën dhe pse nuk e ngritën ata, ai e ngriti?! Ashtu siç e mohoi, po të dojë le ta mohojë. Ai, Berisha nuk do të jetë përgjithmonë, se do të vijë një qeveri tjetër dhe do ta hedhë ****ëpërpjetë.
Po presidenti? Çfarë vëreni në qëndrimet e tij?
A, unë mendoj se ai është më i arsyeshmi dhe dua ta lavdërojë se ka një qëndrim shumë të mirë, objektiv dhe se është një njeri që po luan një rol shumë të mirë për bashkimin e popullit. Ai tha dhe këtë unë e dëgjova në televizion, se askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë festat popullit. Ne jemi në një moshë me të pothuaj dhe më bëhet shumë qejfi që edhe ai është me të vërtetë një njeri patriot.
Krijoni Kontakt