Liderët në prag të konsensusit për riformatimin e sistemit financiar botëror
Liderët e ekonomive më të zhvilluara të planetit dhe ato në
zhvillimi e sipër, gjithsej 20, që përbëjnë edhe të ashtuquajturin G20, janë takuar dje në mbledhjen e shumëpritur e shumëpërfolur të Uashingtonit, për të tentuar gjetjen e rrugëzgjidhjeve për krizën financiare që po përjeton bota. Ata janë paraqitur me ministrat përkatës të Financave dhe kanë diskutuar me njëri-tjetrin përgjatë 4 orëve të takimit, që është zhvilluar në ambientet e një muzeu. Të gjithë janë vënë përreth një tryezë katërkëndëshe, në mes të së cilës ndodhej globi, një simbolikë kuptimplotë kjo për ata që dinë të lexojnë mes rreshtash. Ndërkohë që të 20-tët janë bërë bashkë shenjat e krizës ekonomike sa vjen e po
thellohen në shumë rajone të botës. “Viktima” e fundit, por sigurisht jo e paparalajmëruar ishte eurozona, e cila dy ditë më parë ra në recesion. Pikërisht ndërsa zhvillohej mbledhja, Fondi Monetar Ndërkombëtar ra dakord për t’i dhënë Pakistanit një hua prej 7.6 miliardë dollarësh, si pjesë e një plani më të madh për vendin aziatik të zhytur në borxhe. Me Presidentin amerikan, Bush, të cilit i mbeten vetëm 2 muaj në detyrë dhe pasuesin e tij, Obama, që ka zgjedhur të mos marrë pjesë në takim, si dhe liderët e tjerë ndërkombëtarë, gjatë diskutimeve janë rrahur çështjet kryesore të daljes nga kriza. Sipas disa
liderëve, ata kanë qenë pranë marrëveshjes në të cilën shprehet
nevoja për ndryshime në sistemin financiar, përfshi shtimin e rregullatorëve në sektorin financiar, ku operacionet me rrezikshmëri të lartë në sferën e kredive për shtëpi, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ishin edhe zanafilla e gjithë këtij kaosi në botë. Bush që i ka kundërshtuar të gjitha thirrjet për ndërmarrjen e rregullave të reja në industrinë financiare, tha se liderët duhet të kërkonin mënyrën e duhur për mos përsëritjen e kësaj krize në të ardhmen dhe jo të riformatonin gjithë sistemin. “Jam i kënaqur që liderët riafirmuan parimet në lidhje me tregjet e hapura dhe tregtinë e lirë. Për mua, një nga rreziqet më të mëdha të kësaj krize është që njerëzit të nisin të zbatojnë politika proteksioniste”, ka deklaruar Bush. Sipas tij, kriza nuk ka marrë fund. Takimi i së shtunës pritet që
t’i hapë rrugën, gjatë muajve në vijim, një tjetër takimi në fillim të vitit të ardhshëm, kur në Shtetet e Bashkuara të jetë vendosur Presidenti i ri, i cili mund të marrë në konsideratë ndryshimet e mëdha që i duhen bërë sistemit financiar.
Përveçse rregullave të reja, liderët kanë marrë në konsideratë mënyrat e reja të futjes së institucioneve globale, si FMN në ekonomitë e vendeve në zhvillim, të cilat janë shndërruar në faktorë të rëndësishëm ekonomikë dhe balancues në Planet. Kryeministri britanik, Gordon Braun, tha se inflacioni i ulët krijoi hapësirën
për uljen e përqindjeve të interesave bankare dhe marrjen e paketave të stimujve financiarë. “Këto janë bisedime të vështira, sepse bëhen mes vendesh që vijnë nga realitete të ndryshme dhe ne na duhet që të gjejmë gjuhën e përbashkët me të gjithë”, ka thënë Braun. Ai i bëri thirrje grupit që të veprojë i bashkuar për stimulimin e ekonomive përmes politikave fiskale dhe monetare. Pas një darke që liderët kaluan së bashku të premten, ministrat e tyre të Financave punuan deri vonë për të hartuar një komunikatë të përbashkët, që ka dalë në fund të takimit. Kancelarja gjermane, Merkel, tha se dokumenti përmban mos shmangien e asnjë tregu financiar, apo institucioni financiar ndaj kontrollit të institucioneve mbikëqyrëse dhe se plani i aksionit përfundimtar ka 50 masa, që duhet të zbatohen deri në fund të muajit mars. Ndërkohë, ekonomitë e vendeve në zhvillim kanë paralajmëruar se koha po ndalon për ndalimin e dëmeve financiare që po shkakton në ekonomitë e tyre kriza e tregjeve financiare. “Nëse nuk do të marrim një aksion të shpejtë, atëherë do të ndodhemi përballë rrezikut
të zhytjes në depresion”, kanë bërë të ditur ministrat e Financës së disa vendeve të Amerikës Latine.
Krijoni Kontakt