Komisioni Evropian paraqiti në Bruksel raportet vjetore të progresit për shtetet e Ballkanit. Por për aq kohë sa nuk ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Lisbonës, disa shtete nuk duan zgjerime të reja.
DW bën një analizë të vendeve te Ballkanit dhe raportin e këtyre të fundit me BE
TIRANË- Komisioni Evropian paraqiti në Bruksel raportet vjetore të progresit për shtetet e Ballkanit. Por për aq kohë sa nuk ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Lisbonës, disa shtete nuk duan zgjerime të reja. Nën hijen e lajmeve për përfundimin e zgjedhjeve në SHBA, komisari i zgjerimit të BE, Oli Rehn paraqiti raportet e sivjetme të progresit për një sërë vendesh si Turqia, Kroacia, Maqedonia dhe konkurruesve si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi.
Në Bruksel ka rënë dukshëm interesi për dëshmitë që marrin kandidatët e zgjerimit të ardhshëm. Nga njëra anë evropianët i mundon kriza financiare dhe ekonomike, nga ana tjetër BE aktualisht nuk e di edhe vetë si do të venë punët më tej. Marrëveshja e Lisbonës, e cila do të vendoste rregulla të qarta edhe për zgjerimin e ardhshëm, vazhdon të jetë e bllokuar.
Është krejtësisht një çështje e hapur, nëse Irlanda do të mbajë vitin e ardhshëm një referendum për Marrëveshjen e Lisbonës dhe ç'përfundim mund të kishte ajo. Zgjedhja e Parlamentit Evropian dhe caktimi i një Komisioni të ri Evropian vitin e ardhshëm ndodhin në mes të krizës për Marrëveshjen.
Midis 27 anëtarëve të BE është e diskutueshme, nëse mund të ketë zgjerim pa një marrëveshje të re bazë. Megjithëse Komisioni Evropian niset nga fakti që negociatat formale me Kroacinë do të kenë përfunduar deri në fund të 2009-ës, është fare e paqartë se kur mund të bëhet Kroacia anëtare e BE. Kjo varet kryesisht nga BE, por edhe nga lufta e Kroacisë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Që prej tri vjetësh po zhvillohen negociata me Kroacinë dhe me Turqinë. Me turqit, negociatorët në thelb rrinë në vend numëro. Problemet e brendshme politike, kriza shtetërore, procedura e ndalimit të partisë AKP, konflikti me kurdët, mungesa e lirisë së mendimit dhe të sigurisë, të gjitha këto përmenden sërish në raportin e progresit. Sidoqoftë drejtimi i Turqisë në politikën e jashtme lëvdohet. Në Lindjen e Afërt dhe në Kaukaz, angazhimi i saj ka efekte pozitive.
Në Maqedoni, kushtet politike për negociatat e anëtarësimit nuk janë plotësuar edhe pas tri vjetësh periudhe përgatitore. Edhe këtu humbi një vit, sepse zgjedhjet nuk u zhvilluan në përputhje me standardet ndërkombëtare e parlamenti nuk funksionon si duhet. Sidoqoftë, reformat ekonomike vazhdojnë.
Por kjo nuk mjafton për të entuziazmuar dikë në BE për ta zgjeruar atë. Vetëm në hapa fare të vegjël ecin punët te konkurruesit e tjerë në Ballkan. Shqipëria përpiqet të adaptojë standarde evropiane në politikë dhe në sistemin e drejtësisë, por puna çalon në zbatimin praktik të tyre. Në Bosnjë-Hercegovinë, tensionet midis institucioneve me bazë etnike vazhdojnë të kenë ndikim negativ në procesin e reformave. Fare mirë ndahet Mali i Zi i vogël, megjithëse këtu mbeten problem korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar.
Raporti i Serbisë me BE, veçanërisht me Holandën, vazhdon të jetë i rënduar, për aq kohë sa nuk dorëzohet i kërkuari si kriminel lufte, Mladic. Sidoqoftë, BE dhe Serbia kanë gjetur me sa duket një modus vivendi për ta zgjeruar plotësisht misionin e BE në Kosovë. Ky hap më i fundit i Beogradit do të ketë ndikim pozitiv në bisedimet në Bruksel.
Në Kosovë vetë, BE ndodhet fare në krye të punës së tij. Qeveria e Kosovës është ende në ndërtim e sipër. Gjendja ekonomike është delikate. Përgjithësisht, në radhët e BE-së mbizotëron lodhje nga anëtarësimet. Ndërsa në anën e konkurruesve për anëtarësim ka zënë vend një lloj deziluzionimi për faktin sa e gjatë dhe sa e mundimshme është dhe do të jetë ende rruga për në BE.
Komisioneti për Zgjerimin flet për sfidat që kanë vendet e rajonit
Rehn: Zgjedhjet e 2009-s, test për politikën
TIRANË- Zgjedhjet e ardhshme parlamentare mbeten ende një sfidë për Shqipërinë.Komisioneri evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, vazhdon t’i mëshojë kësaj kërkese sa herë që pyetet nga mediat shqiptare mbi zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Duke e konsideruar vitin 2009 si vitin e Ballkanit Perëndimor, Rehn u ndal në sfidat që kanë përpara vende si, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Sa i përket klimës politike në Shqipëri, Rehn vlerëson përmirësimin e saj dhe ekzistencën e një konsensusi ndërpartiak, lidhur me objektivat evropiane.
Megjithatë, komisioneri europian, nuk fshehu mangësitë lidhur me problemet e korrupsionit, qëndrueshmërisë së furnizimit me energji dhe aspekte të tjera të zhvillimit ekonomik, duke shtuar se ka shumë për të bërë. Në fjalën e tij, Rehn u shpreh se Shqipëria e ka zbatuar pa pengesa Marrëveshjen e ndërmjetme të Stabilizim Asocimit. “Tani është e rëndësishme që Shqipëria të garantojë se zgjedhjet e vitit që vjen do të zhvillohen në përputhje me të gjitha standardet evropiane. Ky është një test për pjekurinë politike, për stabilitetin politik dhe për demokracinë e vërtetë.
Për këtë arsye është e rëndësishme të bindim Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të tij në këto aspekte, para se të mund të lëvizim përpara në procesin e përafrimit të Shqipërisë", - tha ai. Të njëjtat shqetësime, sipas tij, lidhen edhe me zgjedhjet në Maqedoni. Rehn cilësoi të rëndësishme mënyrën sesi do të zhvillohen këto zgjedhje. Ndërsa lidhur me Kosovën. Rehn theksoi se shteti më i ri duhet të dëshmojë në sytë e BE-së se mund të jetë e aftë të ndërtojë një shoqëri demokratike dhe multietnike, në përputhje me Kushtetutën.
DW
Krijoni Kontakt