Kryetari që e drejton komunën nga “kulla e ngujimit”
Ndodh dhe kështu në “Shqipërinë e ngujuar”, që një kryetar komune i zgjedhur nga vota plebishitare, të drejtojë nga “kulla e ngujimit”, pa ia treguar askujt adresën se ku e ka bujtinën, pasi i frikësohet një gjakmarrjeje të pranishme, sipas zakonit.
Gjergj Marku
Hene, 10 Nentor 2008 09:55:00
MIRDITË - Ndodh dhe kështu në “Shqipërinë e ngujuar”, që një kryetar komune i zgjedhur nga vota plebishitare, të drejtojë nga “kulla e ngujimit”, pa ia treguar askujt adresën se ku e ka bujtinën, pasi i frikësohet një gjakmarrjeje të pranishme, sipas zakonit.
Nuk është aspak një trill, por një jetë e përditshme e një familjeje të ngujuar, pikërisht e kryetarit të komunës malore të Selitës në Mirditë, Nikolin Marash Lleshaj, i cili për shkak të vrasjes që ka kryer vëllaj i tij në muajin gusht të këtij viti, është i detyruar të qëndrojë brenda i ngujuar së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij, ndërsa jep e merr me telefon për çdo problem që ka komuna me zyrtarët e atjeshëm.
Më të besuarit e takojnë tek vendi i ngujimit, aty ku i duhet të hedhë firmën domosdoshmërisht për urdhërpagesat. Është një tragjedi, që nuk e kishte besuar se mund t’i ndodhte pikërisht atij, që më parë luftonte të shuante fenomene të tilla në mes familjesh të ndryshme. “Është gjë e tmerrshme, askush nuk e kupton po nuk e provoi në kurriz, - rrëfen ai, - të mos mundesh të dalësh nga shtëpia për asgjë, të jetosh me “veshë në krah” se nga mund të të vijë e keqja.
Dhe aq më tepër, kur shikoj fëmijët që nuk shkojnë në shkollë e ku ka tretur gëzimi i moshës”. I duhet t’i bindë fëmijët, djalin 13-vjeçar, se nuk mund të dalë, dhe të kthehet në mësues për të. Ka heshtur gëzimi dhe është ngrirë buzëqeshja tek vajza e vogël, thotë ai, fëmijë i këndshëm që më parë shkonte hareshëm në kopsht, ndërsa sytë e gruas ditë-natë rrijnë të përlotur.
“Është një zakon që duhet zbatuar, - thotë më tej Nikolini, - pasi vrasja e kryer nga vëllai për motive krejt banale ndaj një familjari tjetër duke ia lënë fëmijët dhe atij jetimë, ishte shumë e rëndë. Nuk ka nënë ta vajtojë”.
Por për këtë vrasje të kryer më 24 gusht të këtij viti, ai ka mundur ta bindë të vëllanë që kishte marrë arratinë të dorëzohej në polici dhe t’i nënshtrohet hetimit dhe gjykimit për të vënë drejtësinë në vend. “Është e tmerrshme të kryhet një vrasje, - thotë ai, - pasi një zinxhir i tërë vuajtjesh dhe problemesh shkaktohen jo vetëm për “dorasin”, por dhe për shumë familje, në mes të cilëve më i godituri, viktima dhe familja e tij, por dhe familje të tjera, me vëllezër e të afërm të tjerë. Ja, p.sh. vëllai e ka familjen si mos më keq, të strehuar tek prindërit e gruas së tij dhe ata të ngujuar, po ashtu dhe unë si vëlla dhe të tjerë. Jemi disa të ngujuar për atë vrasje të mallkuar të pamend”.
Kryetari që po i jepte jetë një “zone fantazmë”
Qendra e komunës që drejton kryetari i komunës, Nikolin Lleshaj, është Kurbneshi, një qytezë e dëgjuar që para ‘90-s ishte vend i përmendur për minierën e thellë silikotike që u mori jetën mbi 300 minatorëve në moshë të re, të ftohtin e acartë dhe të internuarit e regjimit komunist.
Numëronte rreth 5000 banorë, ndërsa pas kaq vitesh ai është kthyer në një qytet fantazmë, banorët e të cilit numërohen me gishtat e dorës. Si për ironi të fatit, m’u në mes të qytetit në një pallat të tërë jeton një familje e ngujuar prej vitesh po për arsye hasmërie. Është nga të paktët intelektualë që ka preferuar të qëndrojë në vendlindje dhe të kthejë besimin tek banorët e asaj zone me plot burime, që të mos e braktisin. Një zonë me një rrugë të gjatë që gjendet në mes Rrëshenit dhe Lurës turistike, që me pasion e përkushtim mund të rigjallërohej.
Ndaj gjithnjë ka folur me gjuhën e projekteve duke hartuar një strategji të qartë zhvillimi. Nikolini është zgjedhur në dy mandate si kryetar komune i votëbesuar në mënyrë plebishitare me mbi 70 për qind të votave. Dhe këtë besim komunitar ai e ka konvertuar në dhjetëra projekte që nisin me kilometra të tërë rrugë rurale që lidhin tërë fshatrat e komunës që nga Kthella e Epër, Bardhaj, Lufaj, Zajsi e me radhë.
Nuk ka fshat që në këto dy mandate të tij të mos jetë pajisur me qendra shëndetësore dhe, së fundi, me Karitasin austriak edhe minispitalin e Kurbneshit me disa dhoma shërbimi, përurimit të të cilit nuk mundi t’i gëzohej për arsye të ngujimit. Janë të shënuar projektet e trashëgimisë kulturore për mirëmbajtjen e kullave-monument, që i ka të spikatura kjo zonë, të dy qendrave sociale për rininë dhe gratë, projekte të përmirësimit të pyjeve komunale, disa objekte të shërbimit komunal, madje dërgimin e ujit deri dhe në bjeshkë për bagëtitë si në kullotat e famshme të Kunor-Valmorës dhe Didhës, kur verojnë mbi 2000 kokë bagëti në një bjeshke aq të begatë.
Kthimi i vëmendjes së komunës tek turizmi si strategji, ka qenë shkaku i projekteve që nisin me Kroin e Bardhë, ku kanë filluar elementet e aplikimit të turizmit natyror dhe kurativ, pasi ky krua njihet në të gjithë vendin për vetitë e tij kurative të dhjetëra sëmundjeve dhe që popullohet nga rreth 800 njerëz çdo verë, qytetarë që vijnë që nga Saranda, Tirana a gjetkë, apo krahina të tjera të Mirditës. Nuk ka fshat që të mos i jetë përfunduar ujësjellësi i ujit të pijshëm apo të mos ketë shkollë të standardeve falë aplikimit të projekteve në këto dy mandate të këtij kryetari.
Meraku, projektet në proces
Muajt e fundit komuna po u jepte formën planit strategjik dhe profilit të saj. Këtë e shprehin dhe trajnerët dhe drejtuesit e CANGO-s në Tiranë, si organizatë e njohur e rritjes së kapaciteteve të njësive vendore. Ata janë të shqetësuar për fatin e kryetarit me të cilin kishin vënë ura të shkëlqyera bashkëpunimi.
“Janë disa projekte e pika që po ravijëzoheshin në planin strategjik, - rrëfen Lindita, - që nga rruga-auto që do të lidhte Kthellën me Malajn e Bashkisë së Rrëshenit, ajo Lufaj Përlat, dalja me rrugë në Orosh dhe në autostradën Durrës-Morinë, ujësjellësin me vetërrjedhje 3 km të Kurbneshit, KUZ Kurbnesh, ngritjen e një kompleksi shkollor me përqendrim dhe transportin e nxënësve me mjete të komunës, zhvillimin blegtoral, atë të bletarisë, prodhimin e energjisë alternative përmes ujit të shumtë që ka zona dhe erës së fortë e deri te turizmi speleologjik që kjo zonë e ka aq të përmendur për shpellat e shumta interesante.
Të tëra këto na i kishte listuar kryetari me komisionin e përzgjedhur qytetar të zonës. Për të mos i lënë këto punë përgjysmë, me po atë merak që kishte muaj më parë, ai drejton me telefon, dhe për këtë faturat telefonike të përmuajshme i kalojnë 30 mijë lekë të reja.
Ndërkohë që prej “kullës së ngujimit” ku jeton me familjen e tij, ka organizuar mbledhjen e këshillit për t’i deleguar kompetencat nënkryetarit, i ardhur si strukturë e re e miratuar nga këshilli. Të tjerat porosi i jep përmes telefonit apo takimeve të padekonspiruara.
Kryekomunari, krerëve të shtetit: Mbroni jetën time e të familjes sime!
Është kryetari i vetëm i një komune apo qeverisje vendore i zgjedhur në mënyrë popullore që drejton tej “hekurave të ngujimit”, dhe për këtë ka lajmëruar gjithë zyrtarët sipas hierarkisë shtetërore, duke nisur me pushtetin lokal, prefekturën e deri tek ministri i Brendshëm. Pastaj i është drejtuar me mesazhe disa herë kryeministrit të vendit, Sali Berisha, në numrin e reklamuar në publik, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
Madje ka lajmëruar dhe përfaqësinë e SHBA-së në Tiranë, pasi për shkak të funksionit ndihet i kërcënuar, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje dhe nuk e di se cili do të jetë fati i tij dhe i familjes. Është munduar të negociojë për daljen e tij nga ngujimi, por nuk është arritur gjë, “edhe pse dhimbja në familjen tjetër është shumë e madhe, dhe në raste të tilla gjërat kuptohen në anët tona,- thotë ai.-Për fat të keq nuk shoh shpresë pajtimi”.
Nikolini i trembet një gjakmarrjeje të mundshme, ndaj kërkon ndihmën e shtetit si i zgjedhur i një komune të jetë më i ndjeshëm ndaj këtij problemi. “Dyshoj se jam përzgjedhur për t’u vrarë, - rrëfen ai, - ndaj kërkoj të më sigurohet jeta, mua dhe familjes sime duke e parë si të vetmen rrugë daljen jashtë shtetit”. Ai thotë se pranon të vetëdorëhiqet nga funksioni vetëm që të sigurojë jetën e fëmijëve.
shekulli
Krijoni Kontakt