Ish luftëtarët thonë se mund të organizohen në vetëmbrojtje
Bekim Murat
Shkup, 9 nëntor - Arrestimi i dy ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe akuzat ndaj njërit ndër udhëheqësit e UCK-së, Harun Aliu, kanë shkaktuar reagime të shumta nga shokët dhe bashkëluftëtarët e tyre. Arrestimet e fundit nga ana policisë maqedonase nuk janë komentuar nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Besim Hoda, thotë se veprimet dhe proceset e montuara politike ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së, janë të patolerueshme dhe mund të shkaktojnë tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni.
"Kjo është vazhdimësi që po bën policia maqedonase, jo vetëm ndaj ish pjesëtarëve të ish UÇK-së, por edhe ndaj popullit shqiptarë. Këto veprime janë provokime shumë të rënda dhe është një minim i të gjitha proceseve paqësore. Në qoftë se vazhdohet me veprime të tilla, situata mund të radikalizohet dhe sigurisht që ish ushtarët e UÇK-së e kanë një strukturë e cila shumë shpejt mund të organizohet në mbrojtje të vlerave të UÇK-së dhe të del në vetëmbrojtje. Eprori i larët i ish UÇK-së, Xhezair Shaqiri, i njohur si ish komandant Hoxha, dënon ashpër veprimet e policisë maqedonase. Edhe ai këto procese i konsideron si veprime hakmarrëse kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët në vitin 2001 mposhtën policinë dhe ushtrinë maqedonase.
"Unë personalisht mund të them se ish pjesëtarët e UÇK-së, Bekim Dardhishta dhe Miftar Islami, i njohur si komandant Tali, i cili ka qenë komandant kompanie në Orizare të Kumanovës, nuk kanë lidhje me veprën për të cilën i akuzon policia e Maqedonisë, pasiqë i njoh shumë mirë ata shokë të luftës. Sipas informacioneve që i kam unë për atë vepër, para disa muajsh, është ekzekutuar një djalë i ri nga Haraçina dhe për atë sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë llogari", ka thënë Komandant Hoxha. Sipas tij, policia e Maqedonisë edhe në të ardhmen do të vazhdojë me veprime të tillla, me procese të montuara politike do të mundohet t'u hakmerret pjesëtarëve të ish UCK-së. Sipas, Shaqirit, partitë politike shqiptare në Maqedoni dal nga dalë duhet të fillojnë të rishqyrtojnë mbështetjen e tyre për emrin kushtetues të Maqedonisë."Nuk mundet që ne si shqiptarë ta mbështesim Maqedoninë për emrin e saj kushtetues derisa Gruevski të vret dhe të arrestojë shqiptarë. Mbështetja jonë për emrin duhet të ndërpritet menjëherë", ka thënë Shaqiri. Shaqiri me kritika të ashpra është shprehur edhe ndaj partive shqiptare, të cilat, sipas tij, janë vetëm dorë e zgjatur e VMRO-DPMNE-së.
"Jankullovska po zbaton urdhërat e Gruevskit për vrasjen dhe arrestimin e shqiptarëve, kurse shqiptarët në pushtet nuk kanë asnjë informacion rreth aksioneve të policisë. Sipas disa informative që kamë nga të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shqiptarët në këtë ministri nuk kanë asnjë kompetencë", ka thënë Shaqiri.
Ndërkohë që përmes një komunikate ka reaguar Alternativa Kombëtare e Harun Aliut. Kjo parti u bën apel të gjitha institucioneve në vend që të ndërprejnë ofensivën e qeverisë për arrestimin e ish pjesëtarëve të UÇK-së. "U bëjmë apel të gjitha institucioneve shtetërore, Presidentit, Qeverisë, përfaqësive diplomatike në Maqedoni, që të ofrojnë ndikimin e tyre për ndërprerjen e këtyre veprimeve ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së", thuhet në reagimin e Alternativës Kombëtare
Krijoni Kontakt